Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Së bashku për Shqipërinë: Nis Programi “BE për shkollat”

Tirana, Albania, 15/04/2020 - 13:16, UNIQUE ID: 200415_6
Press releases

15 milion Euro nga Bashkimi Evropian për të rindërtuar 22 objekte arsimore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë 7500 nxënës dhe mësues shkollash.

TIRANË, 15 prill 2020 – U nënshkrua të mërkurën Programi “BE për shkollat” midis Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, dhe Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së, znj. Limya Eltayeb, për të mbështetur qeverisjen qendrore dhe vendore në përshpejtimin e procesit të rimë pas tërmetit të 26 nëntorit, përmes riparimeve dhe rindërtimeve të objekteve arsimore.

Me anë të kësaj marrëveshjeje prej 15 milionë euro, BE synon të mbështesë ofruesit vendorë të shërbimeve arsimore, studentët dhe familjet e tyre, si edhe mësuesit e komunitetet, duke ndihmuar me riparimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përmes një procesi transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.

Nga financimi i BE-së do të përfitojnë pesë bashki, bazuar në nevojat e identifikuara nga Vlerësimi i Nevojave pas Fatkeqësisë (PDNA). Këto janë Bashkia Kavajë, Krujë, Kamëz, Durrës dhe Kurbin. Në të pesta bashkitë do të kryhen punime riparuese, ndërsa katër shkolla në Krujë dhe dy në Kurbin do të rindërtohen nga fillimi. Objektet arsimore të cilat do pajisen plotësisht përfshijnë pesë kopshte, njëmbëdhjetë shkolla fillore, dy shkolla të mesme, tre shkolla të përbashkëta dhe një shkollë të mesme profesionale. Numri i përgjithshëm i nxënësve dhe personelit mësimdhënës që do të përfitojnë nga projekti shkon në rreth 7 500 në të pesta bashkitë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, u shpreh se: “Ne premtuam ndihmë dhe po e ofrojmë atë shpejt. Shkollat janë mishërimi më i mirë i ringritjes dhe besimit në të ardhmen. Nisja e asistencës së ofruar nga BE pas tërmetit me shkolla të standardit më të lartë ndërkombëtar është veprimi më i mirë për t’u ndërmarrë. Përgjigja e Bashkimit Evropian tregon edhe njëherë se Shqipëria jo vetëm është afër gjeografikisht, por edhe afër zemrave dhe mendimeve tona”.

Përmes jetësimit të shpejtë të Programit “BE për Shkollat”, Bashkimi Evropian synon të rikthejë shërbimet arsimore në komunitetet lokale, në mënyrë që të ketë sa më pak ditë mësimi të humbura për fëmijët, si dhe të mundësojë kthimin gradual në normalitet në këto bashki, ku arsimi del në plan të parë. Ditën e djeshme Këshilli i BE-së miratoi buxhetin e ndryshuar të Bashkimit Evropian për vitin 2020 me qëllim që Shqipërisë t’i ofrohet sa më shpejt të jetë e mundur shuma prej 100 milionë euro shtesë, për të cilat Komisioni Evropian u zotua në konferencën e donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” në shkurt 2020.

Përgjatë zbatimit të masave, të gjithë partnerëve dhe publikut të gjerë do t’u vihet në dispozicion një panel online (dashboard) i inteligjencës në biznes (BI), aksesueshëm publikisht përmes teknologjive të rrjetit dhe celulare, me qëllim gjurmimin e progresit të rindërtimit në kohë reale.

Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, theksoi: “Ndërhyrjet rigjeneruese shoqërohen me strategji afatmesme dhe afatgjata, të cilat do të forcojnë qëndrueshmërinë dhe do të ngrenë kapacitete për të reduktuar por edhe për të trajtuar rreziqet dhe efektet e fatkeqësive të mundshme në të ardhmen. Qasja “Rindërtojmë më mirë” do të ndërthuret me qasjen “Rindërtojmë së bashku” brenda çdo njësie vendore - duke përfshirë këtu bashkëpunimin e qeverisjes vendore, komuniteteve dhe të institucioneve publike në projektimin dhe zbatimin e veprimtarive të rikuperimit me shpejtësi, përmes sistemeve transparente. Qasja “Rindërtojmë më mirë (BBB)” ofron mundësinë për të rindërtuar infrastruktura dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme ndaj fatkeqësive, si dhe me standarde më të larta”.

Institucionet qendrore dhe vendore do të angazhohen përgjatë të gjithë zbatimit të këtyre masave, për të forcuar mbikëqyrjen e përbashkët qeveri-komunitet dhe për të promovuar marrjen në dorëzim dhe qëndrueshmërinë e investimeve.

Masat e financuara nga BE do të zbatohen nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri

Languages:
Seksionet editoriale: