Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadori të BE-së Luigi Soreca gjatë ceremonisë së firmosjes së mbështetjes së BE-së për Shqipërinë në luftën kundër Covid-19

Tirana, Albania, 03/04/2020 - 16:17, UNIQUE ID: 200403_5
Press releases

Të dashur të pranishëm,

Mirë se erdhët në këtë ceremoni nënshkrimi. Kam kënaqësinë të jem virtualisht në praninë e Ogerta Manastirliut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Brian Williams-it, Koordinator i Përhershëm i OKB-së.

Si pjesë e reagimit të tij global ndaj epidemisë së koronavirusit, Bashkimi Evropian po e ndihmon Ballkanin Perëndimor me deri në 38 milionë Euro mbështetje të menjëhershme për sektorin e tij shëndetësor dhe 375 milionë Euro gjithsej për të ndihmuar rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit.

Siç u njoftua javën e kaluar, për Shqipërinë kjo do të thotë konkretisht 4 milionë Euro për furnizimin me pajisje mjekësore për shpëtimin e menjëhershëm të jetëve dhe pothuaj 50 milionë Euro për mbrojtje dhe mbështetje sociale, si dhe për të zvogëluar ndikimin e krizës mbi vendet e punës dhe ekonominë.

Jam shumë i lumtur që sot jemi në gjendje të nënshkruajmë kontratën e furnizimit midis BE-së dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS). Kjo kontratë do të garantojë sigurimin e shpejtë të pajisjeve dhe aparaturave të specializuara mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e shpërthimit të pandemisë. Këto pajisje do të jenë thelbësore për adresimin e emergjencës aktuale shëndetësore dhe për përgatitjen e sistemit shëndetësor shqiptar për t'iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të ngjashme në të ardhmen.

Në mesin e pajisjeve të financuara nga Bashkimi Evropian do të ketë:

  • skanerë CT,
  • ventilatorë,
  • ambulanca plotësisht të pajisura që shpëtojnë jetë për sigurimin e transportit dhe ndihmës së parë për rastet më të rënda,
  • aparate portative digjitale për ekzaminime me rreze x,
  • radiografi digjitale,
  • dhe pajisje moderne për kujdesin intensiv.

Këta artikuj janë identifikuar si të nevojshëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetit, bashkërisht.

BE-ja do të sigurojë gjithashtu shtretër plotësisht të pajisur për Njësitë e Kujdesit Intensiv, si dhe materiale mbrojtëse dhe dezinfektantë për punonjësit dhe operatorët e kujdesit shëndetësor që janë në vijën e parë të kësaj beteje të përditshme.

Situata evoluon me shpejtësi në terren. Kjo është arsyeja pse mbështetja e BE-së është krijuar për të qenë fleksibël për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas në rast të nevojave dhe emergjencave që ndryshojnë me shpejtësi.

Ne po shqyrtojmë gjithashtu mënyrat e mundshme për të mbështetur operatorë të tjerë thelbësorë të vijës së parë, siç është policia. Por tashmë programi i BE-së për zbatimin e ligjit, PAMECA, po siguron komplete mbrojtëse për policinë.

Shumica e Shteteve Anëtare të BE-së aktualisht po përballen me një krizë të paprecedent të shëndetit publik dhe po përpiqen të adresojnë kërkesat e shumta të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor. Por edhe në këto kohëra të vështira, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj kanë vendosur të qëndrojnë përkrah Shqipërisë dhe partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç ndodhi menjëherë pas tërmetit, Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë në solidaritetin e Bashkimit Evropian.

Qëllimi ynë për ofrimin e mbështetjes për Shqipërinë në këtë moment të vështirë është të sigurojmë një prokurim sa më efikas dhe të shpejtë. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe tani në Shqipëri, për të siguruar furnizimin e shpejtë dhe cilësor të këtyre artikujve shumë të nevojshëm. Ekspertiza e tyre mbarëbotërore dhe rajonale në koordinimin e prokurimit dhe njohja e tregut do të sigurojnë që pajisjet më të mira të vijnë në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ministre, shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mbështetjen dhe mirënjohjen e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për stafin tuaj dhe për të gjithë punonjësit shqiptarë të shëndetësisë që janë aktualisht në vijën e parë të vështirë të luftës kundër COVID-it. Ata të gjithë po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe ne jemi të gjithë pranë tyre në përpjekjet e tyre të përditshme.

Faleminderit Ministre dhe faleminderit Brian për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në të mirë të popullit shqiptar dhe atyre që janë prekur nga COVID-i. Më lejoni gjithashtu të falënderoj kolegët e mi në Delegacionin e BE-së që kanë bërë të mundur me punën e tyre të madhe të arrihet kaq shpejt në nënshkrimin e kësaj kontrate të rëndësishme.

Tani do ta mbyll këtë ceremoni të nënshkrimit duke u kujtuar të gjithëve të respektojnë distancimin fizik, të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbështesin njëri-tjetrin emocionalisht. Ne jemi të gjithë së bashku në këtë gjë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: