Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Komisionerit Olivér Várhelyi pas video konferencës së Ministrave të Çështjeve Evropiane

Tirana, Albania, 24/03/2020 - 22:58, UNIQUE ID: 200325_24
Remarks

Bruksel, 24 mars 2020

 

Këto janë kohëra shumë të vështira dhe unë mendoj se Evropa tani po tregon se kur vendos diçka e ka me të vërtetë. Kjo do të thotë që ne jemi të gatshëm të marrim vendime strategjike edhe në rrethana të vështira. Unë mendoj se ky është një lajm shumë i rëndësishëm, i qartë dhe i zëshëm, që duhet të përhapet në mbarë Evropën dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor. Kjo tregon vendosmërinë tonë: ne përcaktojmë një qëllim dhe e zbatojmë atë, edhe nëse është e vështirë.

Para së gjithash, dëshiroj të përgëzoj dy vendet - Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut - me të cilat Shtetet Anëtarët vendosën sot të hapin negociatat e anëtarësimit. Kur zëvendësuam Komisionin e mëparshëm, punët nuk dukeshin edhe aq mirë sa sot. Kur zëvendësuam Komisionin e mëparshëm, nuk arritëm të binim dakord në tetor dhe ky u perceptua si një dështim në të dyja vendet. Por, për fat të mirë, ato bënë një zgjedhje shumë të matur dhe të vështirë, për të vazhduar dhe për t’i përshpejtuar reformat në të gjitha nivelet politike për rrugën drejt Evropës. Kjo vendosmëri ka sjellë tashmë fryte sot.

Prandaj, unë jam shumë i lumtur që së bashku me Presidencën ne i siguruam sot Shtetet Anëtare se ka arritje për këto dy vende. Dhe kjo është ajo çka shihni, e njohur dhe e nderuar nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian. Me vendimin e sotëm politik për hapjen e bisedimeve, ne e kemi rikthyer çështjen e zgjerimit, ne kemi rikthyer besueshmërinë.

Ky është një nga parimet kryesore: kur njoftuam metodologjinë e re për procesin e zgjerimit, ne vendosëm besueshmërinë si parimin e parë. Dhe unë mendoj se sot besueshmëria është rivendosur, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Shtetet tona Anëtare.

Nëse vështroj Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ajo çka shoh është se ato e kanë përshpejtuar punën që nga tetori dhe kanë dhënë rezultate në shumë fronte.

Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, dhe marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë, i ka treguar një shembull të gjithë rajonit dhe ky është një shembull që duhet t'i hapë rrugën Maqedonisë së Veriut që të përfshihet me shpejtësi në negociata. Ne shohim se me gjithë zgjedhjet parlamentare dhe qeverinë e përkohshme, ata kanë qenë në gjendje ta trajtojnë gjithsesi çështjen e mbartur që ishte reforma e Zyrës së Prokurorit Publik.

Shqipëria ka bërë një rrugë shumë të gjatë, dhe ne kemi parë në tetor se sa larg mendonin Shtetet Anëtare se ishte vendi nga negociatat e pranimit. Por sot, duke pasur parasysh rezultatet e përshpejtuara dhe shumë të prekshme që vendi ka arritur në luftën kundër krimit të organizuar, kërkesave të paligjshme për azil, reformës në drejtësi, Shtetet Anëtare kanë marrë tashmë në konsideratë kushtet që duhen përmbushur për të hapur negociatat e pranimit. Ky është një zhvillim i madh, diçka që ishte plotësisht e pamundur të mendohej pas tetorit të kaluar.

Unë u jam shumë mirënjohës të dyja vendeve, por edhe Shteteve Anëtare. Mendoj se mbi këtë bazë kemi arritur një terren të ri për të çuar përpara çështjen e pranimit dhe u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë. Kjo ka qenë një punë shumë serioze nga të gjitha palët - por nëse i përkushtohemi vërtet, ajo sjell rezultate, ndaj jam shumë i lumtur që e shoh këtë.

Përgëzoj sërish Presidencën kroate, si dhe përgëzoj të dyja vendet. Dhe nga ana jonë, si Komision, ne do ta përshpejtojmë punën tonë dhe do të prezantojmë shumë shpejt kornizat e negociatave në mënyrë që vetë negociatat të mund të fillojnë shumë shpejt me të dyja vendet.

Linku për videon: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/video/I-187206

 

P: A mendoni se kushtëzimi i vendosur nga Shtetet Anëtare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë është një kompromis i rreptë dhe i drejtë? Cilat janë hapat e ardhshëm për Shqipërinë?

Përgjigja ime për pyetjen është një “po” shumë e fortë. Këto kushte janë të rrepta, por të drejta. Të rrepta dhe të drejta. Kur bëhet fjalë për këto kushte, ajo çka do të gjeni është që kujtojmë kushtet që ishin përcaktuar tashmë në vitin 2018, ndërsa të dyja vendet vazhdojnë të japin rezultate. Këto kushte janë kushte për anëtarësim. Këto kushte janë parakushtet e pranimit. Pra, këto kushte nuk do të hiqen. Komisioni do të vazhdojë të raportojë për përmbushjen e të gjitha këtyre kërkesave, sepse këto janë kërkesa afatgjata.

Elementi i dytë për të cilin do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen është se këto janë kushte që burojnë nga kriteret e Kopenhagës, kështu që këto kushte duhet të përmbushen vazhdimisht gjatë gjithë rrugës, edhe nëse janë vendosur më vonë.

Unë mendoj se nëse shikoj raportin dhe deklaratën tonë, do të zbuloni se për shumë prej tyre, do të thosha pothuajse për të gjitha këto kushte, Shqipëria ka filluar tashmë të arrijë reforma dhe rezultate të prekshme, afatgjata, shumë të rëndësishme. Dhe prandaj shpresoj që Shqipëria do të jetë në gjendje t'i plotësojë këto kushte në periudhën afatmesme dhe afatshkurtër.

Ne sigurisht që do të punojmë shumë fort me Shqipërinë për ta arritur këtë. Unë shoh shenja shumë premtuese që po shfaqen tashmë pas botimit të raportit tonë, si zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë apo anëtarëve të tjerë për Gjykatën Kushtetuese. Ka përparim të vazhdueshëm dhe unë mendoj se deri në qershor, kur të vijmë me Paketën Vjetore të Zgjerimit, me kornizën e negociatave për të dyja vendet, do të shihni që shumica e tyre do të jenë përmbushur tashmë nga Shqipëria.

Kështu që unë jam shumë i bindur që duke pasur parasysh ritmin aktual dhe nivelin e angazhimit, të cilin e inkurajoj Shqipërinë që ta rrisë edhe më tej, sepse tani po hyjmë në një fazë të re që do të kërkojë edhe më shumë punë dhe përpjekje nga të dyja vendet, ta përshpejtojë më tej përparimin, si dhe zbatimin në terren. Nuk po shqyrtojmë vetëm legjislacionin, po shqyrtojmë gjithashtu edhe zbatimin, historikun, që është po ashtu kyç.

 

P: A do të ketë një datë specifike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? A do të fillojnë të dyja vendet në të njëjtën kohë apo do të trajtohen veçmas?

Në këtë fazë nuk ka një datë specifike, ky është një proces i bazuar te meritat, dhe koha e Konferencës së parë Ndërqeveritare (IGC) mund të jetë e ndryshme. Mund të jetë Maqedonia e Veriut e para, ose Shqipëria e para. E gjitha varet nga kushtet që plotësohen nga të dy vendet. Bazohet te meritat. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi në këtë gjë. Dhe datat nuk janë vendosur për këtë arsye.

 

P: Sa kohë prisni të marrin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh që autoritetet e Maqedonisë së Veriut pretendojnë se 50% e legjislacionit kombëtar është tashmë në përputhje me legjislacionin e BE-së?

Sipas vlerësimit tim 50% nuk është e mjaftueshme për anëtarësim. Kjo do të thotë që gjysma e punës legjislative është bërë - nëse kjo është shifra e duhur, nuk jam i sigurt që është, por nuk dua të hyj në një lojë hamendësimi për këtë.

Ajo çka mund t'ju them është se metodologjia e re do të sigurojë mundësinë për të ecur me shpejtësi, por do të thotë edhe që puna nga ana tjetër dhe reformat nga ana tjetër do të duhet gjithashtu të jenë me të vërtetë të shpejta.

Por nuk mjafton vetëm të bëhet puna legjislative. Legjislacioni i vendosur duhet të sigurojë rezultatet që ne presim nga një Shtet Anëtar i BE-së. Sa më i shpejtë të jetë legjislacioni, aq më të shpejta mund të jenë negociatat, por nuk është e mjaftueshme vetëm të vendosësh njëfarë legjislacioni. Duhet të jetë legjislacioni i duhur dhe ai duhet të hyjë në fuqi dhe të zbatohet në mënyrën e duhur. Kjo mund t’i shkurtojë negociatat.

 

P: Cilët janë hapat e njohur që duhet të ndërmerren nga procedurat e mëposhtme të shkruara në mënyrë që të fillojnë negociatat e vërteta?

Ajo që mund t'ju them nga ana jonë është se ne do të përgatisim tani shumë shpejt kornizat e bisedimeve së bashku me të dy vendet. Ne duhet të ulemi me këto vende dhe t’i përgatisim ato.

Ne planifikojmë ta vendosim këtë në tryezën e Këshillit sa më shpejt që të jetë e mundur, që do të thotë se mund të shkojë së bashku me paketën e zgjerimit, dhe shpresoj që t’i fillojmë shpejt negociatat në bazë të kornizave të bisedimeve. Pasi ato të vendosen, mund të thirren Konferencat e para Ndërqeveritare nga Presidenca e radhës.

 

P: Si e shihni mbështetjen e BE-së në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e krizës COVID-19 deri më tani? A mundet BE-ja t’i përfshijë vendet e pranimit në reagimin e përbashkët evropian apo të paktën t'i përjashtojë ato për skemën e autorizimit për eksportin e furnizimeve mjekësore?

Ne po punojmë shumë fort për këtë. Ne kemi mobilizuar tashmë 30 milionë € për partnerët e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ata t’i marrin shpejt pajisjet e nevojshme mjekësore të nevojshme për të luftuar krizën.

Ne po koordinohemi shumë ngushtësisht me këto vende. Ne dëshirojmë t'i përfshijmë ato në nismën tonë të përbashkët të prokurimit në mënyrë që të kenë qasje më të mirë në pajisje, si dhe po shohim gjithashtu mundësitë se si t’i rirregullojmë fondet nga ana e BE-së për t'i ndihmuar ato edhe për anën ekonomike të krizës.

Ne po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për t'i ndihmuar ato. Sigurisht që nuk është e lehtë të vësh në lëvizje të gjithë makinerinë ndërsa po kufizohemi në mjediset tona të punës. Por ne po bëjmë çmos për të ndihmuar dhe unë jam personalisht në kontakt me të gjitha vendet.

Ne kemi marrë vlerësimet e para të nevojave të tyre dhe sot po u drejtohemi atyre për të parë implikimet ekonomike të krizës dhe si të sigurojmë disa garanci që të jenë në gjendje të vazhdojnë me një ekonomi që do të funksiononte për vendet e tyre. Pra, ne po shqyrtojmë jo vetëm pajisjet mjekësore, por edhe zgjidhjet afatmesme dhe afatgjata për të luftuar pasojat e kësaj krize.

 

P: Çfarë mund të bëjë BE-ja për të shmangur krizën politike në Kosovë? Ne kemi një vendim nga qeveria për të kufizuar lëvizjen e njerëzve dhe një ndalim nga Presidenti për qytetarët dhe policinë për të mos e zbatuar këtë.

Nuk i njoh zhvillimet më të fundit, por sigurisht që do të kontaktoj me Qeverinë e Kosovës. Pata një konferencë telefonike javën e kaluar me kryeministrin dhe ai më siguroi që menaxhimi i krizës është i koordinuar siç duhet brenda vendit dhe se në thelb po ndërmarrin masa të ngjashme krahasuar me ato që po marrin Shtetet tona Anëtare kur bëhet fjalë për kufizimet.

 

P: Kryeministri hungarez Victor Orban dëshiron të fusë një legjislacion të ri që i jep atij kompetenca të gjera. A u diskutua kjo sot? Nëse po, si e shikojnë Shtetet e tjera Anëtare situatën në Hungari? Kur do të diskutohet ajo përsëri në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme?

Unë vetëm mund të konfirmoj atë që sapo tha ministrja, se kjo nuk u diskutua nga ministrat. Unë do t’ju lutem të gjithëve që në këtë kohë krize të përqendrohemi në lehtësimin e punës së të gjitha qeverive, në mënyrë që ato të marrin të gjitha masat e nevojshme për të luftuar krizën. Ndoshta duhet të shmangim krijimin e krizave shtesë dhe të panevojshme, duke kërkuar gjëra pa vlerësimin e duhur. Unë do t'ju bëja thirrje të gjithëve të përqendrohen në atë se si mund ta luftojmë krizën në mënyrë efektive. Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: