Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën "Sfidat e Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e reformës në drejtësi"

Tirana, Albania, 03/03/2020 - 12:30, UNIQUE ID: 200303_8
Speeches of the Ambassador

I dashur z. Çela,

Të dashur ministra,

Të dashur kolegë,

Së pari, do të doja të përgëzoja sërish z. Çela për emërimin e tij dhe që na priti sot këtu.

Ne duhet të jemi krenarë që, teksa jemi mbledhur sot këtu, të gjitha institucionet e reja të drejtësisë tashmë janë krijuar. Është një arritje e rëndësishme, por këtë duhet ta konsiderojmë vetëm fundin e fillimit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe i gjithë sistemi i prokurorisë janë transformuar nga reforma në drejtësi, duke sjellë më shumë pavarësi, duke stimuluar decentralizimin në vendimmarrje dhe duke rritur përgjegjshmërinë.

Z. Çela, ju keni përgjegjësinë të siguroni që rregullat dhe procedurat e parashikuara në legjislacionin e ri të zbatohen siç duhet - një rol që e ndani me Këshillin e Prokurorisë dhe sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës.

Më lejoni të përmend disa arritje të reformës në drejtësi të cilat lidhen drejtpërdrejt me Zyrën e Prokurorisë:

   Para disa vitesh, shumë ishin të pakënaqur që Prokurori i Përgjithshëm u emërua politikisht. Sot, ne mirëpresim një Prokuror të Përgjithshëm i cili votohet nga kolegët e tij në mesin e magjistratëve që kandidojnë për këtë post.

   Para disa vitesh, ishin të shumtë ata që kërkonin struktura të specializuara, instrumente dhe mjete trajnimi për krime të veçanta. Të gjitha këto tani janë krijuar dhe po vihen në zbatim.

   Para disa vitesh, perspektivat e karrierës për prokurorët ishin të paparashikueshme dhe të ndikuara nga politika. Sot, perspektiva është e qartë dhe mundëson një rrugë nga njësia e rrethit te bërja Prokuror i ardhshëm i Përgjithshëm.

Përkundër këtyre arritjeve, është e rëndësishme që shumë avokatë të rinj me integritet dhe pasion mund të bëjnë provimin e radhës në Shkollën e Magjistraturës. Si gjykatës apo si prokuror, ju tani keni një perspektivë të plotë në karrierë që shpërblen njerëzit më të mirë. Ky është çasti juaj për të kontribuar në të ardhmen e vendit!

Ndërsa shikojmë rezultatet e arritura deri më tani, kemi detyrimin dhe detyrën të shohim përpara, dhe se si të sigurohemi që sfidat ekzistuese, siç u përmend nga prokurori i Përgjithshëm, të përmbushen.

Sistemet më të mira dhe më të avancuara gjyqësore përballen me sfida. Një sistem i ri si ai shqiptar, i dalë nga reforma në drejtësi, e ka të pashmangshëm përballjen me sfidat.

  A duhet që sistemi si i tërë të jetë më efikas? Patjetër që po. Ende ka shumë procedura që duhet të përmirësohen dhe më shumë burime njerëzore që i duhen kushtuar sistemit të drejtësisë.

  Efikasiteti në ndjekjet penale të veprave që lidhen me pastrimin e parave dhe konfiskimin e pasurive kriminale duhet të përparojë;

  Çështjeve të drejtësisë për të mitur u duhet dhënë përparësi nga shërbimet e ndjekjes penale. Në përgjithësi, ligji penal duhet të adoptojë një perspektivë të orientuar më shumë nga të drejtat e njeriut, duke u përqendruar te të drejtat e viktimës.

Ne duhet të shpresojmë për dosje hetimore më pro-aktive dhe të qëndrueshme, të cilat shumë shpesh nuk u rezistojnë testeve gjyqësore.

Unë e di dhe e kuptoj plotësisht se shpesh është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Dosja e duhur hetimore kërkon kohë, ka nevojë për shumë burime dhe nivel të lartë profesionalizmi. Puna në ekip, trajnimi dhe ndihma nga modelet më të mira të BE-së dhe ato ndërkombëtare duhet t'ju shoqërojnë në këto detyra sfiduese.

Juve sigurisht që nuk do t'ju mungojë mbështetja dhe ndihma e Bashkimit Evropian. PAMECA së bashku me EURALIUS-in janë këtu për të ndihmuar. Për më tepër, projekti ynë i ardhshëm mbi "Hetimet Financiare" do të ofrojë këshillimin më të mirë mes kolegëve me prokurorët e Shteteve Anëtare të BE-së.

BE-ja ka alokuar deri në 34 milion Euro për të mbështetur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e reformës. Ky investim i rëndësishëm duhet të përdoret sa më mirë, për ta bërë sistemin më efikas dhe më performues. Kjo është detyra jonë e përbashkët.

Reforma shqiptare në drejtësi na ka mësuar një mësim të shkëlqyer: me guxim, punë të palodhur dhe dëshirë të fortë për një të ardhme më të mirë, mund të arrihet shumë. Në këtë vit të rëndësishëm 2020 dhe për vitet e ardhshme, fokusi duhet të jetë në atë se si ta bëjmë sistemin e ri efikas dhe performues. Për t'i shërbyer popullit shqiptar përmes një sistemi gjyqësor transparent dhe të përgjegjshëm.

Reforma e sistemit të drejtësisë është ende motori që e drejton vendin drejt asaj çka 97% e popullit shqiptar e konsideron qëllimin e vet të përbashkët, pranimin e Shqipërisë në BE.

Dje Komisioni Evropian paraqiti raportin e tij të përditësuar, i cili pason prezantimin e metodologjisë së re për zgjerimin. Ne besojmë se Shqipëria meriton të ecë përpara tani. Ne shpresojmë që Shtetet Anëtare do të marrin një vendim pozitiv në javët e ardhshme.

Faleminderit!

 

Languages:
Seksionet editoriale: