Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Një proces më i besueshëm, dinamik, i parashikueshëm dhe politik i pranimit në BE - Komisioni paraqet propozimet e tij

Tirana, Albania, 05/02/2020 - 15:24, UNIQUE ID: 200205_14
Press releases

Sot, Komisioni Evropian paraqiti një propozim për të çuar përpara procesin e pranimit në BE, duke e bërë atë më të besueshëm, me një drejtim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi komentoi: “Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore për Komisionin. Ne po punojmë në tri pista: Së pari, sot ne propozojmë hapa konkretë se si të përmirësohet procesi i pranimit. Ndërsa jemi duke e forcuar dhe përmirësuar procesin, qëllimi mbetet pranimi dhe anëtarësimi i plotë në BE. Së dyti, dhe paralelisht, Komisioni i qëndron fort rekomandimeve të tij për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe së shpejti do të sigurojë një përditësim mbi përparimin e bërë nga këto dy vende. Së treti, në përgatitje për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb, në maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin.”

Ambasador Luigi Soreca, Kreu i Delegacionit te BE-së në Shqipëri, tha: “Propozimi i Komisionit Evropian për një metodologji të rishikuar në procesin e pranimit në BE është një lajm i mirë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ndërsa e çon përpara pranimin në BE, ai gjithashtu do ta përmirësojë dhe nxisë kryerjen e reformave. 2020-a është një vit kyç për Shqipërinë." 

Përmirësimi i procesit të pranimit - Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor 

Një proces më i besueshëm: Procesi i pranimit duhet të bazohet te besimi, siguria e ndërsjellë dhe angazhime të qarta nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor. Besueshmëria duhet të forcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë te reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate. Kur vendet partnere t’i plotësojnë kriteret objektive, Shtetet Anëtare do të bien dakord të shkojnë përpara në fazën tjetër të procesit, duke respektuar qasjen e bazuar në merita.

Një drejtim politik më i fuqishëm: Natyra politike e procesit të pranimit kërkon një drejtim politik më të fuqishëm dhe angazhim në nivelet më të larta. Komisioni propozon të rrisë mundësitë për dialog politik dhe linja veprimi të nivelit të lartë, përmes samiteve të rregullta BE-Ballkani Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit. Të gjitha organet në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit do të përqendrohen shumë më tepër në çështjet kryesore politike dhe reformat, ndërsa konferencat ndërqeveritare do të sigurojnë një drejtim politik më të fuqishëm për negociatat.

Një proces më dinamik: Për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e bisedimeve, Komisioni propozon grupimin e kapitujve të negociatave në gjashtë grupime tematike: bazat; tregu i brendshëm; konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse; agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; marrëdhëniet e jashtme. Bisedimet për secilin grupim do të hapen si një e tërë - pas përmbushjes së standardeve të hapjes - në vend të kapitujve individualë. Negociatat mbi bazat do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit dhe përparimi i tyre do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Afati kohor midis hapjes së një grupimi dhe mbylljes së kapitujve individualë duhet të jetë i kufizuar, mundësisht brenda një viti, plotësisht në varësi të progresit të reformave.

Një proces më i parashikueshëm: Komisioni do të sigurojë qartësi më të madhe në lidhje me atë çka pret BE-ja nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit. Ai do ta bëjë më të qartë se çfarë pasojash pozitive mund të sjelli përparimi me reformat dhe cilat do të jenë pasojat negative kur nuk ka përparim.

Për të inkurajuar kërkimin e reformave, Komisioni do të përcaktojë më mirë kushtet e vendosura për përparimin e kandidatëve dhe do të sigurojë stimuj të qartë dhe të prekshëm me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët. Stimujt mund të përfshijnë integrimin e përshpejtuar dhe “përfshirjen graduale” në politika individuale të BE-së, në tregun të BE-së dhe programet e BE-së - duke siguruar kushte të barabarta - si dhe rritje të fondeve dhe investimeve. Sa më shumë të përparojnë kandidatët me reformat e tyre, aq më shumë do të përparojnë me procesin. Në të njëjtën mënyrë, Komisioni propozon masa më vendimtare që sanksionojnë në mënyrë proporcionale çdo amulli serioze apo të zgjatur apo kthim pas në zbatimin e reformës dhe plotësimin e kërkesave të procesit të pranimit. Negociatat mund të ndalen në zona të caktuara, ose në rastet më serioze, të pezullohen plotësisht, dhe kapitujt tashmë të mbyllur mund të rihapen; përfitimet nga integrimi i afërt, si qasja në programet e BE-së, mund të ndërpriten ose të tërhiqen, dhe fushëveprimi dhe intensiteti i financimit të BE-së mund të shkojë në rënie.

Hapat e tjerë

Komisioni shpreson që Shtetet Anëtare do ta miratojnë propozimin, paralelisht me hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përpara Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Zagreb, më 6-7 maj. Për samitin, Komisioni do të shqyrtojë se si të përshpejtojë investimet, integrimin socio-ekonomik dhe sundimin e ligjit për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për më shumë informacion

Linku me komunikatën

P & P/memorandum

Të dhëna informative mbi marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor

Të dhëna informative procesi i pranimit në BE

Faktografë për partnerët:

Mali i Zi

Serbia

Maqedonia e Veriut

Shqipëria

Bosnja dhe Hercegovina

Kosova

Languages:
Seksionet editoriale: