Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

BE-ja do të presë konferencën ndërkombëtare të donatorëve për Shqipërinë për të ndihmuar me rindërtimin pas tërmetit

Tirana, Albania, 10/01/2020 - 12:35, UNIQUE ID: 200110_1
Press releases

Bashkimi Evropian do të organizojë konferencën ndërkombëtare të donatorëve më 17 shkurt, në Bruksel, për të mbështetur përpjekjet për rindërtim në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin në fund të nëntorit, njoftoi sot Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

 

Bashkimi Evropian është i lumtur të njoftojë  që konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në Bruksel  më 17 shkurt. Është një konferencë  donatorësh pas tërmetit të tmerrshëm në Shqipëri. Ne duam të ndihmojmë Shqipërinë në rindërtimin e saj”, tha Presidentja Von der Leyen gjatë konferencës për shtyp në fund të Kolegjit të Komisionerëve që u mblodh në Zagreb për të shënuar fillimin e Presidencës Kroate të BE-së.

 

Bashkimi Evropian i jep përparësi të lartë rindërtimit dhe rimëkëmbjes së Shqipërisë dhe do të ndihmojë për koordinimin e një reagimi ndërkombëtar, si dhe për të mbledhur mbështetjen e nevojshme financiare për të ndihmuar në përpjekjet afatgjata që do të nevojiten për këtë. Qëllimi është gjithashtu të ndihmojë forcimin e aftësive të Shqipërisë për të përgatitur dhe trajtuar reagimin ndaj fatkeqësive.

 

 

Background

 

Më 26 nëntor 2019, një tërmet me magnitudë 6.4 goditi Shqipërinë, duke shkaktuar shkatërrimin e infrastrukturës publike dhe private, dëmtuar mijëra banesa dhe shkaktuar 51 viktima, rreth 1.000 të plagosur, dhe rreth 14.000 njerëz të zhvendosur përkohësisht. Mijëra ndërtesa janë dëmtuar seriozisht, përfshirë shkolla ​​dhe objekte të kujdesit shëndetësor.

 

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian u aktivizua me kërkesë të qeverisë shqiptare pas tërmetit dhe si rezultat, ekipet e kërkimit dhe shpëtimit u dislokuan menjëherë në Shqipëri. Ndihma logjistike dhe inxhinierët strukturorë u mobilizuan përmes mekanizmit, si dhe në mënyrë bilaterale nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët nga rajoni. Ekipi i Mbrojtjes Civile i BE-së ishte në Shqipëri nga 27 nëntori deri më 20 dhjetor dhe koordinoi reagimin ndërkombëtar.

 

Komisioni njoftoi një grant fillestar prej 15 milion Eurosh për rindërtimin e ndërtesave publike me përparësi në takimin e tij të parë në dhjetor. Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës (PDNA), që ka nisur në mes të dhjetorit 2019 nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, do të finalizohet përpara konferencës. PDNA-ja është e nevojshme për organizimin e konferencës së donatorëve pasi do të shërbejë si bazë për përpjekjet e rindërtimit dhe rehabilitimit.

 

Do të marrin pjesë BE-ja, Shtetet Anëtare të saj, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë OKB-në dhe Bankën Botërore.

 

Languages:
Seksionet editoriale: