Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Deklaratë e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së për Ditën e të Drejtave të Njeriut

Brussels, 10/12/2019 - 12:02, UNIQUE ID: 191210_39
Statements on behalf of the EU

Këtë vit ne festojmë 10-vjetorin e Kartës së të Drejtave Themelore dhe 30-vjetorin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Megjithatë, këto të drejta vazhdojnë të sfidohen në të gjithë botën. Në veçanti, fëmijët dhe të rinjtë vazhdojnë të jenë viktimat kryesore të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ata detyrohen të kërkojnë strehim, rekrutohen si ushtarë, detyrohen të punojnë apo të ndahen nga familjet kundër vullnetit të tyre.

 

Në shumë vende të botës qytetarët po mobilizohen në favor të të drejtave të njeriut. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut po dalin nëpër rrugë për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre: civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Në veçanti, të rinjtë kanë qenë gjithnjë e më aktivë për të mbrojtur të drejtat dhe të ardhmen e tyre.

 

Në këtë peizazh global në ndryshim, Bashkimi Evropian mbetet mbështetësi më i fortë i sistemit shumëpalësh. Ai është shtylla e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Bashkimi Evropian do ta forcojë angazhimin e tij të gjatë, me fokus te çështje të reja, siç janë inteligjenca artificiale apo ndryshimi i klimës.

 

BE-ja riafirmon angazhimin e vet të fortë për gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut nga të gjitha gratë dhe vajzat. Angazhimi i intensifikuar i Bashkimit Evropian, si një lojtar global, ka rezultuar në arritje të rëndësishme në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2019. Në veçanti, Bashkimi Evropian ka kontribuuar për ecjen përpara me të drejtat e fëmijëve dhe lirinë e fesë apo besimit. Ai ka krijuar konsensus rreth situatave problematike të të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut, Mianmar dhe Siri. Bashkimi Evropian ka vazhduar të jetë në partneritet me shoqërinë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, botën akademike, sektorin privat dhe shumë të tjerë, për të ecur përpara me agjendën e të drejtave të njeriut.

 

Forumi BE-OJQ, i cili u mbajt në Bruksel, më 3 dhe 4 dhjetor, me pjesëmarrjen e rreth 200 aktivistëve të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, hulumtoi rolin e Bashkimit Evropian në avancimin e një të ardhmeje të drejtë mjedisore dhe dha rekomandime për veprime të synuara të mundshme. Menaxhimi i tokës dhe burimeve natyrore është një nga sfidat më kritike me të cilat përballet sot bota. Bashkimi Evropian njeh rëndësinë e punës së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, shpesh përballë vështirësive të mëdha dhe kostove personale. Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjithë partnerëve që t’i lejojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut të punojnë në një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm, pa pengesa dhe pasiguri.

 

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbrojë, promovojë dhe përmbushë të drejtat e njeriut së bashku me të gjitha vendet, organizatat dhe individët e angazhuar në ofrimin e reagimeve efektive dhe novatore ndaj sfidave ekzistuese dhe atyre të reja. Kemi arritur shumë, por duhet bërë shumë më tepër.

Languages:
Seksionet editoriale: