Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë BE - Seritë “Sot për Mjedisin”: Reduktojmë mbeturinat dhe përdorimin e plastikës

Tirana, Albania, 18/11/2019 - 20:45, UNIQUE ID: 191119_4
Speeches of the Ambassador

Mirëserdhët të gjithë në Shtëpinë e Evropës!

Dy javë më parë, ne nisëm një fushatë të quajtur “Sot për mjedisin” për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e mjedisit në Shqipëri dhe për të inkurajuar njerëzit dhe institucionet të ndryshojnë.

Sot është i pari nga tre debatet që ne po organizojmë për të shqyrtuar më me hollësi çështje specifike, me ekspertë, profesionistë apo biznese. Ne duam të shkojmë përtej fjalëve dhe qëllimeve të bukura dhe të shqyrtojmë praktikat konkrete të ndryshimit të sjelljes individuale dhe institucionale. Çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon? Çfarë duhet të bëjnë autoritetet? Çfarë mund të bëjnë qytetarët?

Debati ynë i parë është mbi temën kryesore të fushatës sonë, të cilën e quajtëm “Plastika nuk lënë vend ​​për jetën”.

Veri, Jug, Lindje, Perëndim. Të gjithë e shohin që kemi një problem me plastikën. Të gjithë e dinë që duhet ta zgjidhim dhe se është urgjente. Nëse nuk e bëjmë, plastika do ta mbysë mjedisin tonë dhe do të shkaktojë probleme shëndetësore edhe më të rënda për qeniet njerëzore.

Ne gjejmë mikroplastikë pothuajse në çdo pikë uji dhe në çdo qenie të gjallë në tokë. Oqeanet tona po bllokohen, jeta jonë detare po vuan. Duhet të bëjmë diçka për këtë.

Kjo është arsyeja pse, në fillim të këtij viti, Bashkimi Evropian ka vendosur ta bëjë përdorimin e plastikës më qarkulluese, por edhe të ndalojë plastikën me një përdorim e cila është  e panevojshme ose për të cilën kemi alternativa të shkëlqyera.

Por përtej ndryshimeve rregullatore, ne mund ta ndryshojmë individualisht mënyrën se si jetojmë dhe mënyrën e përdorimit të plastikës. Një pipë e thjeshtë prodhohet për pak sekonda, ju e përdorni atë ndoshta pesë minuta, pastaj duhen rreth 500 vjet për ta shpërbërë, dhe ajo që mbetet është përsëri mikroplastikë në mjedisin tonë natyror.

Siç është shprehur Komisioni Evropian, ne nuk duam që kjo periudhë të quhet "epoka e plastikës", kur arkeologët të studiojnë civilizimin tonë pas një mijë vjetësh.

Ne duam që kjo të jetë epoka kur të kthehemi dhe sigurohemi që të marrim përgjegjësi për mjedisin natyror dhe shëndetin tonë.

Dhe kjo është pikërisht ajo që kanë bërë panelistët tanë sonte. Ata nuk pritën për t’i marrë punët në dorë dhe për t’u bërë agjentë të ndryshimit.

Jam krenar që do të dëgjoni për një nga projektet tona të BE-së që bashkon dy nga prioritetet e Bashkimit Evropian: sjelljen e riciklimit në Shqipëri nga njëra anë, dhe forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e politikave, nga ana tjetër.

Ne gjithashtu do të diskutojmë përvojën e dy bizneseve që kanë kaluar 100% pa plastikë apo që po e minimizojnë ndikimin e tyre mjedisor përmes ripërdorimit të mbetjeve. Mezi pres që të frymëzohem, por edhe të kuptoj se cilat ishin vështirësitë dhe si mund t'i ndihmojmë që t'i adresojnë ato.

Dhe për të na udhëhequr përmes debatit, mund të mbështetemi në ekspertizën e dy profesorëve nga Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, për të kuptuar më me hollësi se cilat janë ndikimet negative të plastikës në mjedis, shëndet dhe ekonomi.

Kërkesa jonë për plastikë ka arritur përmasa krejt të papërballueshme. Ne, autoritetet, politikëbërësit, biznesmenët, konsumatorët dhe qytetarët nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të kërkojmë zgjidhje alternative.

Kjo është diçka që mund ta zgjidhim. Por së pari, kjo është diçka që duhet t'ua shpjegojmë njerëzve dhe t'i bëjmë pjesë të saj. Ky është qëllimi i debatit të sotëm.

Shumë faleminderit!

Languages:
Editorial Sections: