Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë konferencës për "Administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara"

Tirana, Albania, 15/11/2019 - 14:02, UNIQUE ID: 191115_33
Speeches of the Ambassador

I dashur Ministër,

Të dashur kolegë,

Vetëm një javë më parë ne ishim në Durrës, ku u bëmë dëshmitarë të nisjes së projektit të dytë që BE-ja po mbështet në një vend të konfiskuar nga një organizatë e krimit të organizuar.

Një bar nëntokësor i pluhurosur tani është shndërruar në Librarinë Kafene KINFOLK, një qendër multikulturore që synon të rinjtë në rrezik për t’u përfshirë në veprimtaritë kriminale të të miturve, duke i angazhuar në aktivitete sociale dhe kulturore.

Nisma e parë që BE-ja mbështeti në ambientet e konfiskuara, “KE BUONO”, tashmë daton në janar 2018. Po ashtu një bodrum i errët dhe i pluhurosur, ai u shndërrua në një dyqan ëmbëlsirash që përdoret për aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Pas dy javësh, ne do të hapim një projekt të tretë në Sarandë që do të ofrojë mundësi punësimi për gratë dhe vajzat që kanë qenë viktima të trafikimit njerëzor, prostitucionit të detyruar, abuzimit seksual dhe dhunës në familje.

Këto nisma janë risi jo vetëm për Shqipërinë. Ato japin shembullin e duhur për rajonin. Mesazhi ynë është: “Ajo çka i është vjedhur shoqërisë duhet t'i kthehet shoqërisë”.

Ndonëse këto janë shembuj shumë pozitivë, mbetet realiteti që pasuritë e marra nga krimi i organizuar janë shumë të vogla në krahasim me të ardhurat e krijuara nga grupet kriminale.

BE-ja e konsideron identifikimin, ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive kriminale si një nga mjetet më efektive për të luftuar krimin e organizuar. Ngritja e zyrave të dedikuara për rikuperimin e pasurive është vërtetuar se ka qenë një mjet efektiv për trajtimin e kësaj sfide. Kjo është arsyeja pse u bë një detyrim për të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së - sipas legjislacionit të BE-së – krijimi i zyrave të tilla. Dhe ne e kemi inkurajuar Shqipërinë - në raportet tona të fundit për vendin - të ngrejë zyrën e saj për rikuperimin e pasurive.

Vitet e fundit Shqipëria ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar në mënyrë efektive krimin e rëndë. Por të gjitha institucionet duhet të bashkojnë përpjekjet e tyre për kryerjen e hetimeve financiare në mënyrë të përbashkët, bazuar në procedura të qarta.

BE-ja po e mbështet Shqipërinë me këtë detyrë. Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri (i financuar bashkërisht nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës) po forcon rikuperimin e pasurive dhe praktikat e administrimit të pasurive. Kontribute janë dhënë edhe nga projekti ynë rajonal “Lufta kundër krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor” dhe programi i ardhshëm për zhvillimin e kapaciteteve për hetime financiare.

Përtej mbështetjes financiare dhe teknike, më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Shqipëria është në një pozitë unike duke qenë se ka Marrëveshje Bashkëpunimi me shumë Shtete Anëtare të BE-së dhe partnerë, si dhe me Europol dhe Eurojust.

Europol ka vendosur në fillim të këtij viti në Tiranë një Oficer Ndërlidhës për ta lehtësuar më tej bashkëpunimin. Këto marrëveshje tani duhet të përdoren me të gjithë potencialin e tyre nga autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit edhe për të shkëmbyer të dhëna me homologët e tyre në BE në funksion të gjurmimit të pasurive kriminale në të gjithë Evropën.

Zonja dhe zotërinj,

Koncepti i ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara është mjaft i ri edhe brenda Bashkimit Evropian, por e ka treguar qartë efikasitetin dhe kontributin e tij për shoqërinë. Ai është një shembull i përsosur i asaj që është bërë e njohur si “qasja e tërë shoqërisë”.

Për të luftuar këtë fenomen të rrënjosur thellësisht dhe të përhapur gjerësisht në shoqëri, përpjekje të përkushtuara duhet të vijnë jo vetëm nga qeveria dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, por edhe nga qytetarët. Shoqëria civile, sektori privat dhe media janë pjesë e një zgjidhjeje afatgjatë për të luftuar krimin e organizuar.

Personalisht jam shumë i lumtur që shoh që Libera është ftuar sot në këtë diskutim. Suksesi i tyre është prova që ripërdorimi i pasurive të konfiskuara në bashkëpunim me shoqërinë civile ka rikonfirmuar vlerën e ligjshmërisë dhe ka treguar se veprimi i qytetarëve kundër krimit të organizuar po funksionon.

Organizatat shqiptare të shoqërisë civile duhet të jenë në zemër të çdo diskutimi të ardhshëm mbi përdorimin dhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në këtë vend. Dua të përgëzoj veçanërisht Partnerët Shqipëri dhe organizatat e saj vendore për guximin e tyre për t'u ngritur kundër rrjeteve kriminale në rrethana shpesh të vështira.

Ishte një rrugë e vështirë dhe zgjati shumë, por projektet tona në Durrës, Fier dhe Sarandë kanë vërtetuar që sipërmarrja sociale brenda pasurive të konfiskuara është e mundur në Shqipëri. Rruga e ardhshme është vendosur. Le të punojmë së bashku në mënyrë që ato të bëhen praktikë normale dhe jo përjashtime.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: