Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalët e Zëvendës Shefes së Delegacionit të BE-së Monika Bylaite me rastin e diplomimit të studentëve të Fakuktetit të Drejtësisë

Tirana, Albania, 13/11/2019 - 20:34, UNIQUE ID: 191114_11
Remarks

Të dashur Ministra, të dashur dekanë, profesorë të nderuar, kolegë dhe më e rëndësishmja,

Të dashur të diplomuar,

Do të doja të filloja me urime të mëdha për të gjithë ju që duhet të ndjeni sot një ndjesi të qartë arritjeje. Dhe me të drejtë. Jini krenarë! Për veten, për familjen tuaj dhe për të gjithë ata që investuan dhe besuan aq shumë te ju!

Ju mbaruat një kapitull shumë të rëndësishëm. Dhe sot ne po ju mirëpresim në jetën tuaj të re: në jetën profesionale, e cila do të jetë plot me ambicie, përpjekje, ëndrra, ndonjëherë edhe me zhgënjime, por edhe me shumë shpërblime.

Ditët e diplomimit janë gjithmonë festive dhe emocionuese dhe jam e sigurt që nuk do ta humbisni rastin për ta festuar mirë këtë sonte. Ndaj nuk do të marr shumë kohë dhe nuk do t’ju pengoj në  ceremoninë e hedhjes së kapelave që është më argëtuese.

Por më lejoni të them vetëm se të jem këtu sot dhe t'ju uroj në emër të Bashkimit Evropian më jep një lumturi të madhe. Ju e dini shumë mirë se Bashkimi Evropian mbështet fuqimisht reformën në vazhdim të sistemit shqiptar të drejtësisë. Dhe ajo që dua të them sot, që ju ta merrni me vete, është se ju jeni kjo Reformë! Ju jeni ndryshimi, ju jeni rritja, gjithçka që formon dhe përfaqëson Shqipërinë e ardhshme.

Dhe jeni ju që do të jepni kontributin thelbësor për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, duke festuar, besoj fort, anëtarësimin e vendit tuaj në BE.

Është e panevojshme të thuhet se ju po e filloni karrierën tuaj në një moment shumë të veçantë. Ju po e filloni pikërisht kur libri juaj i ligjit kushtetues është ndryshuar paksa, ose më mirë, ka ndryshuar shumë. Këto ndryshime kanë krijuar më shumë mundësi, më shumë shpresë dhe shpresojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ju dhe të gjithë shqiptarët.

Ndërsa baza e rrugës tuaj të re është përcaktuar për ju përmes studimeve dhe tani gradave, ka shumë gjëra për të cilat do të duhet të luftoni gjatë gjithë viteve të karrierës tuaj.

Së pari, do t’ju duhet të luftoni për profesionalizëm dhe për integritet, me tundimet që do t’i keni gjithnjë pranë.

Në këtë drejtim, jo ​​vetëm që paraqitjet dhe qëndrimet tuaja publike do të sjellin ndryshimin, por do të jenë vendimet që do të merrni kur askush nuk do t'ju vëzhgojë. Ne shohim tani çdo ditë individë që ishin ndjerë të paprekshëm përballë drejtësisë për të fshehta të vogla apo të mëdha që mendonin se i kishin të sigurta.

Niseni karrierën tuaj me synimin për të qenë një shembull, një frymëzim që ata që vijnë pas jush do ta shohin dhe do të guxojnë të mendojnë dhe të ëndërrojnë të bëhen si ju.

Ndaj mos ngurroni të besoni dhe të frymëzoni të tjerët me bindjet tuaja. Mos ngurroni të ëndërroni dhe të frymëzoni të gjithë moshatarët tuaj me ëndrrat tuaja. Ju jeni ata që do të shkruani faqet e reja të historisë tuaj dhe gjithashtu të historisë së vendit tuaj. Këto faqe janë para jush, në pritje të mbushen dhe të mbushen me histori vërtet frymëzuese.

Urime edhe një herë, urime për ju dhe familjet tuaja! Dhe gjithmonë kujtoni arsyen kryesore pse po e zgjidhni këtë profesion.

Languages:
Seksionet editoriale: