Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Çelja e Fushatës së Ndërgjegjësimit Publik për Mjedisin “Sot për Mjedisin”

Tirana, Albania, 07/11/2019 - 14:27, UNIQUE ID: 191107_26
Speeches of the Ambassador

I dashur zoti Ministër,

Shkëlqesitë Tuaja,

Të dashur vullnetarë dhe aktivistë,

 

Është kënaqësi t'ju mirëpres këtu për çeljen e fushatës sonë “Sot për Mjedisin”.

Siç mund ta dinë disa prej jush, unë jam një ekskursionist i pasionuar. Kaloj shumë nga fundjavat e mia duke zbuluar peizazhin e pasur natyror dhe biodiversitetin e Shqipërisë.

Pasuritë kryesore të vendit tuaj janë vija e bukur bregdetare, lumenjtë e pacenuar dhe malet e pyllëzuara. Dhe siç mund të shohim rreth nesh sot, në Muze, Shqipëria ka një numër të jashtëzakonshëm të faunës dhe florës që mund të gjenden në Evropë.

Këto burime natyrore janë gjithashtu baza për një model turizmi që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Ato duhen çmuar dhe ruajtur.

Fatkeqësisht, këto pasuri janë në rrezik të madh nga mbeturinat.

Më pak se 60% e mbetjeve të prodhuara në Shqipëri mblidhen. Plazhet dhe lumenjtë janë ndotur nga mbetjet, në veçanti plastika. As malet dhe pyjet nuk janë kursyer nga pirgjet e objekteve të përdorura, siç janë qeset dhe shishet.

Kjo krijon një skenë të shëmtuar për turizmin, por krijon gjithashtu probleme për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Plastika është bërë një nga sfidat më të ngutshme mjedisore dhe ekonomike të epokës sonë. Mbetjet plastike po i mbytin oqeanet tona dhe po vrasin jetën e egër. Mikroplastikat gjenden në ajër, si dhe në ujin e pijshëm dhe në ushqimin tonë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se para vitit 2050 do të ketë më shumë mbetje plastike sesa peshq në detet tona. Njerëzimi duhet të veprojë tani duke adresuar varësinë e vet nga plastika.

Bashkimi Evropian e ka kuptuar shkallën e çështjes dhe ka miratuar një strategji novatore për plastikën - strategjinë më gjithëpërfshirëse specifike për materialet në botë, me qëllim që të gjitha paketimet plastike të jenë të ripërdorshme apo të riciklueshme deri në vitin 2030.

Direktiva për Plastikën me një përdorim e miratuar nga BE-ja pranverën e kaluar do të ndalojë, deri në vitin 2021, 10 produktet plastike që gjenden më shpesh në plazhe. Ajo do të stimulojë gjithashtu prodhimin e alternativave të qëndrueshme, duke i bërë industritë e BE-së lidere botërore për të çuar përpara ekonominë qarkore.

Angazhimi i BE-së për të mbrojtur mjedisin e kontinentit bazohet në një të vërtetë të thjeshtë: përfitimet nga mbrojtja e ekosistemeve i tejkalojnë kostot e degradimit të tyre.

Sot ne po çelim fushatën e BE-së për ta sjellë këtë debat dhe këtë përparim në Shqipëri. Për dy muajt e ardhshëm, ne duam të rrisim ndërgjegjësimin mbi ndikimin negativ të plastikës në mjedis dhe t'i inkurajojmë njerëzit të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Nën sloganin “Plastika nuk lë vend ​​për jetën”', ne do të përqendrohemi te produktet si shkopthat prej pambuku, pipat prej kashte apo shishet plastike, të cilat njerëzit i përdorin për disa minuta, por që mund të duan pesëqind vjet ose më shumë për t’u shpërbërë.

Dhe përtej plastikës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare do të angazhohen gjithashtu me qytetarët, shkollat dhe autoritetet, për ta bërë Shqipërinë më miqësore me mjedisin. Do të ketë shfaqje filmash, debate dhe vizita, brenda dhe jashtë Tiranës. Ne do të prodhojmë gjithashtu video dhe infografikë për t’i informuar qytetarët se çfarë mund të bëjnë për të mbrojtur mjedisin.

Ju ftoj të merrni pjesë aktive në fushatë duke përdorur hashtagun sotpërmjedisin.

BE-ja dhe Shtetet Anëtare investojnë shumë për mbrojtjen e mjedisit. Gjatë dy muajve të ardhshëm, ne do të shqyrtojmë dhe diskutojmë se si kemi ndihmuar dhe çfarë mund të bënim më mirë. Vitin tjetër ne do të nisim një Program mbi Ekonominë Qarkore dhe Rritjen e Gjelbër. BE-ja do të mbështesë disa bashki që të arrijnë standardet e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, si dhe do ta nxisë ekonominë qarkore përmes granteve për biznesin eko-miqësor dhe shoqërinë civile.

Dua të falënderoj gjithë kolegët e BE-së që u bashkuan sot me ne. Është një shenjë e qartë që jemi bashkë, duke punuar për të përmirësuar mirëqenien, jetën e përditshme dhe mundësitë për shqiptarët. Sepse ata e meritojnë dhe sepse e afron më shumë vendin me standardet e BE-së. Përkushtimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare për ta mbështetur vendin dhe për të qenë në krah të qytetarëve të tij është i palëkundur.

Por BE-ja nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Mbrojtja e mjedisit të Shqipërisë është përgjegjësi e secilit prej jush, që nga autoritetet qendrore, deri te bashkitë, sektori privat, shoqëria civile dhe çdo qytetar shqiptar.

Unë mbështetem veçanërisht te të rinjtë që të fillojnë të japin shembullin për pjesën tjetër të komunitetit. Jini ndryshimi që doni të shihni dhe veproni për një Shqipëri më të pastër dhe më të qëndrueshme. Është vendi juaj, është Shqipëria juaj.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: