Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Prezantimi i Konferencës së Katërt Vjetore Rajonale “Të drejtat tona, e ardhmja juaj"

Tirana, Albania, 06/11/2019 - 20:45, UNIQUE ID: 191106_13
Speeches of the Ambassador

Zonja dhe zotërinj,

 

Jam i nderuar që marr pjesë në hapjen e këtyre 3 ditëve diskutimesh intensive rreth temave që shkojnë në zemrën dhe shpirtin e Bashkimit Evropian: liria, diversiteti, barazia.

 

Jam gjithashtu jashtëzakonisht i lumtur që këtë vit konferenca vjetore e ERA-s zhvillohet në Tiranë.

 

Për ne në këtë sallë dhe për shumë njerëz jashtë, orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk janë problem. Orientimi seksual nuk duhet të minojë kurrë barazinë dhe dinjitetin e asnjë qenieje njerëzore, apo të ndërhyjë në mundësinë e punësimit, arsimit dhe çfarëdo shërbimi.

 

Sidoqoftë, për shumë njerëz në këtë vend, në rajon dhe më gjerë, është ende turp të jesh lezbike, homoseksual, biseksual apo transgjinor. Në mënyrë tragjike, disa arrijnë të përdorin rregullisht dhunë kundër komunitetit LGBT, të tjerë i shprehin instinktet dhe frikërat e tyre homofobike prej njerëzish mendjengushtë në shumë mënyra të ndryshme. Ata njerëz duhet të jenë shënjestra e përditshme e fushatave tona për të mbrojtur dhe promovuar diversitetin, tolerancën dhe pranimin.

 

Megjithatë, mund të themi me siguri se situata e komunitetit LGBT në Shqipëri është përmirësuar. Çdo vit kemi një program shumë intensiv të ngjarjeve gjatë javës së Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, përfshirë një Paradë të Krenarisë të suksesshme dhe me pjesëmarrje të mirë këtë vit.

 

Të flasësh publikisht për LGBT-në është më pak tabu, pavarësisht rezistencës dhe ideve konservatore të shumë njerëzve. Fatkeqësisht, duhen ende shumë përpjekje për të ndryshuar mendësitë.

 

Këtu dëshiroj të falënderoj dhe të shpreh mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për shoqërinë civile shqiptare: disa aktivistë tejet të guximshëm që i rezistojnë agresionit dhe fyerjeve. Puna juaj është thelbësore dhe rezultati i përpjekjes suaj po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Shumë janë të pranishëm sot këtu, unë do të doja t'i përgëzoja publikisht për promovimin e lirisë dhe diversitetit në Shqipëri.

 

Qytetarët e Shqipërisë e dinë fare mirë se çfarë do të thotë të privohesh nga të drejtat themelore dhe të jesh viktimë e urrejtjes dhe diskriminimit. Periudha kriminale e veçimit dhe riedukimit ka marrë fund, njëherë e përgjithmonë. Shqipëria është një demokraci, ku të gjithë qytetarët, të gjitha grupet shoqërore dhe të gjitha pakicat kanë të drejta të barabarta.

 

Në nivelin global, Bashkimi Evropian i mbështet rrjetet LGBT, përfshirë ERA-n. Në nivelin vendor, ne kemi disa nisma për mbështetje institucionale, për shembull përmes ekspertizës së Këshillit të Evropës, si dhe nisma për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile LGBT, strehat dhe aktivistët.

Ju uroj të gjithëve diskutime dhe shkëmbime të frytshme gjatë këtyre 3 ditëve. Është shumë e rëndësishme për mua që jemi mbledhur në Shtëpinë e Evropës. Unë e shoh atë si një “shtëpi” të vërtetë, plot jetë dhe debate, por edhe si një “shtëpi” ku të gjithë mund të shijojnë plotësisht vlerat e Bashkimit Evropian: solidaritetin, demokracinë dhe të drejtat themelore.

 

Shtëpia e Evropës do të jetë gjithmonë e hapur për ju, si një vend për t'u mbledhur dhe për t’u ndier të qetë për të diskutuar për shpresat dhe shqetësimet tuaja.

 

Mbështetja e Bashkimit Evropian do të vazhdojë derisa barazia dhe liria të jenë realitete konkrete dhe të përditshme për komunitetin LGBT në Shqipëri dhe më gjerë.

 

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: