Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Drejt financimit të qëndrueshëm të menaxhimit të burimeve ujore në Shqipëri: Workshop kombëtar në kuadër të Strategjisë së financimit të ujit të Unionit për Mesdheun

Tirana, Albania, 04/11/2019 - 13:18, UNIQUE ID: 191104_9
Press releases

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e përfaqësuar nga Z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, mirëpriti Workshopin kombëtar në kuadër të Strategjisë së financimit të ujit të Unionit për Mesdheun. Workshopi kombëtar u organizua në bashkëpunim nga Unioni për Mesdheun (UpM) dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore e Shqipërisë.

Workshopi mblodhi së bashku rreth 50 përfaqësues nga ministritë dhe agjencitë shqiptare, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Banka Evropiane e Investimeve, Agjencia Austriake e Zhvillimit dhe partnerë të tjerë për zhvillim, ekspertë ndërkombëtarë nga Jordania dhe Maroku, dhe përfaqësues të bashkive, ujësjellësve dhe kryetarëve të bordeve të baseneve ujore dhe shoqatave respektive.

Gerta Lubonja, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Burimeve Ujore theksoi rëndësinë e menaxhimit të burimeve ujore në Shqipëri. Ajo vuri në dukje gjithashtu, rolin e Agjencisë në lidhje me transpozimin dhe zbatimin e Direktivës Kuadër të Ujit të Bashkimit Evropian.

Almotaz Abadi, Drejtor i UfM-Water, në emër të Sekretariatit të UpM theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal drejt menaxhimit të qëndrueshëm dhe të integruar të ujit në rajonin e UpM. Agjenda e Ujit e UpM do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e kërkesave të Kapitullit 27 – Mjedisi si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për të arritur Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) 6 në rajonin e Mesdheut, ashtu edhe disa OZHQ-ve të tjera.

 Z. Andrea Vera, Shefi i Seksionit të Qeverisjes Ekonomike në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa shtesë për krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e sektorit të ujit, duke filluar me forcimin urgjent të agjencive kombëtare kyçe të sektorit. Ai theksoi mbështetjen e madhe të vendeve evropiane për sektorin për të sjellë përfitime të qëndrueshme për qytetarët shqiptarë.

Workshopi kombëtar në kuadër të Strategjisë së Ujit të UpM u fokusua në financimin e qëndrueshëm të menaxhimit të burimeve ujore. Disa nga mesazhet kryesore nga takimi janë se ndërsa ka nevoja të konsiderueshme për financim, vështirësia kryesore mund të jetë aftësia përthithëse, dhe se ka mundësi të mëdha për të rritur eficencën operacionale dhe përmirësuar raportin kosto-përfitim të investimeve. Workshopi mori parasysh se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është nxitësi kryesor për reforma dhe investime. Workshopi ndihmoi autoritetet shqiptare për të përmirësuar përafrimin e objektivave dhe strategjive kombëtare me strategjitë rajonale (UpM) ashtu edhe OZHQ dhe për të treguar punën analitike të kryer në nënsektorin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe pastrimit të ujërave të ndotura (WSS).

Languages:
Seksionet editoriale: