Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalët e Zëvendës Shefes së Delegacionit të BE-së Monika Bylaite në konferencën për shtyp për dy raportet e para të krahasimit me ADN-në që lejojnë identifikimin e eshtrave të dy personave që humbën pas burgosjes gjatë epokës së komunizmit

Tirana, Albania, 31/10/2019 - 17:25, UNIQUE ID: 191031_20
Remarks

Është kënaqësi e madhe të jem këtu, në këtë tryezë, së bashku me ICMP-në dhe Ministrinë e Brendshme, për të shpallur dhe mirëpritur rezultatet e para konkrete të projektit pilot për identifikimin e eshtrave të personave të humbur nga epoka komuniste në Shqipëri.

 

Duke pasur parasysh shtrirjen e mizorive të kryera gjatë dekadave të diktaturës, si dhe numrin e përgjithshëm të personave që kanë humbur dhe për të cilët nuk është mësuar më asgjë deri më sot, identifikimi i dy personave mund të mos duket shumë.

 

Por këto dy identifikime, përveç se i sjellin më në fund paqe dhe qetësi të paktën dy familjeve - të cilat në vetvete do t’ia kishin vlejtur gjithë përpjekjen - në të vërtetë po sjellin shumë më tepër se kaq: para së gjithash, ato sjellin shpresë për të gjitha familjet e tjera që ende presin me padurim që më në fund, pas gjithë këtyre viteve, të mund të jenë në gjendje të varrosin bijtë, motrat, etërit e tyre.

 

Së fundi, këto dy identifikime thyejnë gjithashtu akullin e viteve, të dekadave në të vërtetë, të përpjekjeve dhe dështimit për të arritur përparime / rezultate të prekshme me këto dosje: pas çështjeve gjyqësore të hapura dhe më pas të mbyllura, pas marrëveshjeve ndërkombëtare që duheshin nënshkruar, urdhrave të lëshuar nga gjykata për gërmime, përpjekjeve mbresëlënëse individuale të familjeve, bashkëpunimit të vendosur me autoritetet dhe bashkitë, e gjithë makineria burokratike më në fund nisi të lëvizë. Këto dy raste tregojnë se këto pengesa / këto përpjekje po shpërblehen, dhe se tani po hyjmë në një fazë të re, faza e arritjeve, faza e rezultateve, faza e qetësimit të gjithnjë e më shumë qytetarëve shqiptarë, por edhe faza e ndihmës për t'u marrë me atë pjesë të historisë shqiptare brenda familjes, shoqërisë dhe si një vend që dëshiron dhe ka nevojë të ecë përpara.

 

Historia, sado e vështirë, duhet të kujtohet dhe të përballet, sepse thjesht është tepër e kushtueshme të mos e bësh këtë. Popujt e Bashkimit Evropian e dinë këtë më mirë se kushdo tjetër, pasi kanë vuajtur vetë një numër të madh abuzimesh nga regjimet diktatoriale. Dhe procesi i trajtimit të kësaj historie - në disa vende, histori e kohëve të fundit - ende vazhdon sot.

 

Vetëm një muaj më parë, më 19 shtator, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi rëndësinë e Kujtesës Evropiane për të ardhmen e Evropës. Ajo kujton se regjimet naziste dhe komuniste kryen vrasje masive, gjenocid dhe dëbime, si dhe shkaktuan humbje jetësh dhe lirie në shekullin e 20-të në një shkallë të paparë në historinë njerëzore.

 

Ajo çka bën tjetër, dhe kjo është e rëndësishme duke pasur parasysh veprimtarinë e sotme, është se shpreh gjithashtu respektin e thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha Shteteve Anëtare, institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë çmos për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet e rënda sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të çohen para gjykatave të ligjit, për të garantuar që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më.

 

Dhe pikërisht në këtë drejtim Bashkimi Evropian ka qenë jashtëzakonisht i përulur dhe i lumtur që kemi mundur të bëjmë pjesën tonë të vogël dhe të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje duke financuar këtë projekt të rëndësishëm, i cili tani po sjell rezultate të prekshme.

 

Dëshirojmë të përgëzojmë edhe një herë ICMP-në dhe autoritetet shqiptare për arritjen e këtij momenti historik shumë të rëndësishëm.

 

Shpresojmë që e gjithë puna që është bërë gjatë tre viteve të fundit do t’u mundësojë autoriteteve shqiptare ta përsërisin procesin me njohuritë e nevojshme, për të qenë në gjendje të identifikojnë sa më shumë nga 6.000 apo më shumë personat që kanë humbur gjatë epokës komuniste, duke sjellë të paktën pak qetësi dhe paqe për sa më shumë shqiptarë.

 

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: