Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Tirana Connectivity Forum 2019

Tirana, Albania, 30/10/2019 - 14:00, UNIQUE ID: 191030_4
Speeches of the Ambassador

Të nderuar Ministra, Deputetë të Parlamentit,

Zonja dhe Zotërinj,

Të dashur miq,

Brenda vetëm pak viteve, lidhshmëria është përcaktuar si një përparësi kyçe e angazhimit të Bashkimit Evropian si një aktor global.

Lidhshmëria është thelbësore për agjendën e Komisionit të ri, buxhetit të ardhshëm të BE-së, Presidencës së ardhshme kroate dhe Strategjisë Globale të BE-së.

Pikërisht një muaj më parë, Komisioni Evropian organizoi forumin e tij të parë Lidhshmëria në Evropë – duke forcuar lidhjet mes qeverive, institucioneve financiare dhe sektorit privat nga e gjithë bota.

Me më shumë se 1.000 pjesëmarrës nga 82 vende, dhe 11 milionë reagime në mediet sociale, suksesi i tij konfirmoi pozicionin unik të BE-së për të mbledhur partnerë me mendësi të njëjtë.

Sigurisht, sot në edicionin e tij të 5-të, Tirana Connectivity Forum ka qenë një lloj pararendësi. Dhe unë do të doja t’i përgëzoja sinqerisht organizatorët. Ju e bëtë këtë mbledhje një takim thelbësor për të diskutuar lidhshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Siç thotë Presidenti Juncker, lidhshmëria është skalitur në ADN-në tonë evropiane. Projekti evropian është zhvilluar duke i ndërlidhur gjithnjë e më shumë qytetarët evropianë.

Unë përmenda pozicionin unik të BE-së, por cila është qasja evropiane për lidhshmërinë?

Ajo bazohet në katër nga pikat e forta të BE-së:

  • tregu ynë i brendshëm,
  • përvoja jonë e të punuarit përtej kufijve,
  • aftësia jonë për të lidhur partneritete në nivelin dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe një kornizë gjithëpërfshirëse financiare për mobilizimin e investimeve.

Në shumë mënyra, BE-ja po e bënte lidhshmërinë përpara se ajo të quhej lidhshmëri!

Përmes krijimit të tregut të brendshëm, BE-ja mundësoi qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Rregullat e BE-së - siç janë kontrolli i ndihmës shtetërore dhe rregullat e prokurimit - sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe transparente, ndërsa politikat e Bashkimit sigurojnë mbrojtjen e mjedisit, sigurinë, mbrojtjen, si dhe të drejtat sociale dhe individuale.

Është pikërisht kjo gjithëpërfshirje që e bën unike qasjen e BE-së.

Është kjo Agjendë Lidhshmërie që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë krijuar në rajon përmes procesit të Berlinit.

Nga 1 miliardë Eurot që Komisioni premtoi në Samitin e parë në Vjenë në vitin 2015, 90% tashmë është angazhuar me 39 projekte. Këto grante janë duke shfrytëzuar investimet totale prej më shumë se 3.2 miliardë Euro, duke kontribuar për krijimin e më shumë se 45.000 vendeve të punës.

Ne duhet të jemi krenarë për atë që është realizuar në vetëm 4 vjet:

  • marrëveshja rajonale roaming,
  • hyrja në fuqi e një marrëveshje rajonale për lehtësimin e tregtisë,
  • Traktati i Komunitetit të Transportit,
  • përfundoi një projekt i parë i lidhshmërisë dhe filluan edhe 20 të tjerë.
  • përparim domethënës në agjendat e gjelbra dhe digjitale.

Në një moment kur ndikimi i huaj po diskutohet shumë në Ballkanin Perëndimor, le të kujtojmë se Bashkimi Evropian ofron mbi 75% të të gjithë asistencës ndërkombëtare dhe të investimeve të huaja direkte për rajonin. Dhe ne synojmë ta rrisim këtë mbështetje gjatë periudhës së ardhshme 2021-2027.

Dhe le të jemi të qartë, miliardi i premtuar në vitin 2015 është financim granti. Kjo bie ndesh me financimet ruse apo kineze, për shembull, të cilat vijnë pothuajse ekskluzivisht në formën e kredive me kushte.

Themeli kryesor i Agjendës, ëndrra që qëndron pas këtij procesi, është “rrjeti bërthamë”, i cili do të lidhë të gjitha kryeqytetet, qendrat kryesore ekonomike dhe portet kryesore në rajon.

Asnjë politikë e transportit kombëtar apo energjisë nuk mund të veprojë në izolim. Angazhimi i ndërsjellë është kyç për të hequr pengesat në trafik, në mënyrë që të zvogëlohet koha e udhëtimit për qytetarët dhe të reduktohet kostoja e transportit për bizneset.

Projektet e miratuara në konferencën e Poznanit në korrik do ta reduktojnë kohën e udhëtimit me 1 orë ndërmjet Sarajevës dhe Zagrebit, 1 orë ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, 1.5 orë ndërmjet Shkupit dhe Nishit.

Në Shqipëri, Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor ka mbështetur rindërtimin e 800 km rrugë rurale, ka siguruar furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza për rreth 260.000 banorë dhe shkolla më të mira për 18.400 nxënës. Po përgatiten projekte edhe më ambicioze që do të ofrojnë 145 km rrugë të reja për shpejtësi të lartë, rehabilitimin e 190 km linja hekurudhore dhe modernizimin e 170 km transmetimi të energjisë elektrike.

Sidoqoftë, ka pak kuptim të investosh shumë në rrugë apo hekurudha nëse kamionët apo trenat ngecin në kufij. Infrastrukturat kanë kuptim nëse plotësohen me masa institucionale dhe rregullatore që hapin tregje, krijojnë një kornizë rregullatore transparente, ndërtojnë besimin e investitorëve dhe heqin pengesat. Dhe, së fundi, lidhin njerëzit. Lidhshmëria është më shumë se rrugë, ura dhe linja të energjisë elektrike – ajo, mbi të gjitha, ka një dimension njerëzor të përbërë nga shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fushat e arsimit, kërkimit dhe inovacionit.

Lidhshmëria duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. Elitat, si ato politike ashtu dhe biznesi, janë gjithnjë e më të ndërvarura dhe po përfitojnë nga ndryshimet, ndërsa shumica e qytetarëve jo, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Kjo krijon polarizimin politik dhe ekonomik, si dhe dobësitë që mund të sjellin pasoja gjeopolitike. Barometri i fundit i Ballkanit Perëndimor tregoi se rritja e ndjenjës pozitive në biznes shoqërohet me një ndjenjë se zhvillimi nuk arrin te njerëzit.

Lidhshmëria e njerëzve me njerëzit duhet të jetë pjesë e gjithë zhvillimit të politikave tona. Kjo përfshin forcimin e rolit të luajtur nga shoqëria civile për t’i sjellë nevojat e njerëzve dhe komuniteteve, veçanërisht atyre rurale apo të izoluara, në Agjendën e Lidhshmërisë.

Për të përfituar plotësisht nga këto prirje globale rajoni duhet të investojë më shumë në kapitalin njerëzor.

Situata e të rinjve është veçanërisht shqetësuese: afërsisht 40% e të rinjve dëshirojnë të largohen, ndërsa, në të njëjtën kohë, në tregun e punës mungojnë aftësitë e nevojshme. Kjo është një emergjencë sociale.

Është një hap shumë i mirë që forumi i këtij viti i kushton kaq shumë hapësirë ​​diskutimit të lidhshmërisë dhe rinisë. Rinia duhet të jetë thelbi i Agjendës së Lidhshmërisë. Është arritur përparim, veçanërisht në njohjen e kualifikimeve arsimore dhe, natyrisht, suksesi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO). Tani RYCO po mbështet 80 shkolla dhe organizata, si dhe 3.000 të rinj me skemë lëvizshmërie.

Por më shumë duhet bërë, sepse rinia mishëron gjithçka që nënkupton agjenda jonë e lidhshmërisë: krijimin e mundësive të reja.

Mundësitë e reja sigurisht që sigurohen edhe nga ekonomia digjitale. Në modelet e eksportit ende mbizotërojnë nga produktet të cilat kërkojnë aftësi të ulëta prodhuese, teknologji të ulët dhe të bazuara te burimet natyrore. Ne kemi nevojë për investime që stimulojnë aftësi dhe sipërmarrje shumë të zhvilluara. Agjenda digjitale e miratuar në Sofje garanton që qytetarët të kenë aftësi që përputhen me kërkesat e ekonomisë së re, dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes Rajonale Roaming korrikun e kaluar është një arritje e konsiderueshme.

Cila është mënyra më e mirë e veprimit për ta përshpejtuar agjendën e lidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor? Një mënyrë është të shpejtohet zbatimi i Zonës Rajonale Ekonomike. Konsolidimi i një tregu prej 20 milionë njerëzish do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të krijojë mundësi për qytetarët dhe biznesin. Kjo duhet të mbetet një përparësi për udhëheqësit politikë në rajon.

Kapaciteti i Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara integrimin rajonal ekonomik tregon gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në tregun unik të BE-së. Zona Rajonale Ekonomike nuk është një devijim në udhën e rajonit drejt BE-së.

Kjo më sjell, natyrisht, te një çështje shumë aktuale: procesi i integrimit në BE. Ne dëgjojmë, nga kënde të ndryshme, se Zona Rajonale Ekonomike mund të jetë një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, apo se Zona Rajonale Ekonomike mund të sigurojë një model të ri.

Dua të përsëris atë që është thënë qartë në nivelin më të lartë: angazhimi ynë ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar.

Siç deklaroi Komisioneri Hahn javën e kaluar para Parlamentit Evropian: "Politika e zgjerimit është e mishëruar në Traktat. Bëhet fjalë për takimin tonë me historinë, duke përfunduar procesin e unifikimit që ka filluar kohë më parë. Ai është mbi të gjitha në interesat tona gjeostrategjike."

Reformat që lidhen me BE-në, përfshirë Agjendën e Lidhshmërisë, tashmë po i transformojnë vendet e rajonit dhe po sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

Popujt e rajonit presin që agjendat e reformave të ndiqen me vendosmëri. Lidhshmëria, në të gjitha format e saj, është në krye të kësaj agjende.

Zonja dhe zotërinj,

Mos u gaboni! Debati i vazhdueshëm mbi format e lidhshmërisë është një luftë pushteti për të përcaktuar rendin e ri global.

Bota, siç po ndryshon - ringjallja e proteksionizmit dhe nacionalizmit, si dhe minimi i ligjit ndërkombëtar - nuk është bota që dëshiron Bashkimi Evropian.

BE-ja është e gatshme të përparojë. Presidentja e zgjedhur Von der Leyen propozoi një “Komision gjeopolitik”. Përfaqësuesi ynë i Lartë / Zëvendëspresidenti i ardhshëm, Josep Borrell theksoi gjatë seancës së tij dëgjimore se: "BE-ja duhet të mësojë të përdorë gjuhën e pushtetit".

Strategjia jonë e Lidhshmërisë është një mbrojtje e fortë e rendit shumëpalësh ndërkombëtar dhe e rregullave që e mbështesin atë. Ne synojmë t’i japim formë agjendës dhe ta promovojmë lidhshmërinë si të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të hapure.

Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja do të mbetet partnerja kryesore për të forcuar tregtinë, investimet, qeverisjen dhe pajtimin midis njerëzve.

Përtej kësaj, angazhimi ynë ndërkombëtar do të mbrojë pa u lodhur hapjen globale dhe bashkëpunimin e besueshëm me partnerët.

Agjenda e Lidhshmërisë siguron një bazë të fortë për të mbështetur përgjegjësinë tonë kolektive për të punuar për një botë më paqësore, më të sigurt dhe të begatë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: