Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën "Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor"

Tirana, Albania, 28/10/2019 - 15:16, UNIQUE ID: 191028_12
Speeches of the Ambassador

Kryeministër, shkëlqesi, kolegë, është nder që t’i drejtohem kësaj audience të shquar.

 

Ajo që më keni kërkuar të bëj sot është një sfidë për një ambasador: Më keni kërkuar të flas për politikat e një vendi tjetër. Kjo është normalisht diçka e ndërlikuar për t’u bërë. Për fat të mirë, vendi për të cilin po flasim - Shtetet e Bashkuara - është një partner kyç dhe një mik i Bashkimit Evropian. Dhe, ndonëse edhe miqtë më të mirë mund të kenë dallimet e tyre, këtu në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i shohin gjërat në të njëjtën mënyrë.

 

Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik kyç i Bashkimit Evropian. Në fakt, partneri i vetëm më i rëndësishëm për BE-në dhe shtetet e saj anëtare për një gamë të gjerë çështjesh. Ne e mbështesim partneritetin tonë në vlera dhe interesa të përbashkëta, si dhe në gatishmërinë për të luajtur një rol të përgjegjshëm në çështjet botërore.

 

Ballkani Perëndimor është një zonë kyçe për bashkëpunimin transatlantik, dhe do të dal edhe te kjo. Por angazhimi ynë me Shtetet e Bashkuara është natyrisht shumë më i gjerë. Bashkëpunimi ynë shkon nga Siria, Afganistani dhe Koreja e Veriut deri në Venezuelë.

 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu partnerë të ngushtë në luftën kundër sfidave ndaj sigurisë, të tilla si terrorizmi, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride. Dhe, natyrisht, Evropa dhe Amerika e Veriut janë aleate të vjetra dhe besnike, me NATO-n që formon shtyllën kurrizore të mbrojtjes sonë kolektive.

Fakti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku ka rëndësi. Pesha jonë e kombinuar ekonomike është e pakrahasueshme me çdo partneritet tjetër në botë, dhe përbën pothuajse gjysmën e PBB-së së botës dhe pjesën më të madhe të tregtisë globale. Së bashku, ne gjithashtu sigurojmë tre të katërtat e asistencës zyrtare për zhvillim në mbarë botën.

Sigurisht që ka dhe dallime. Ka çështje të cilat ne jo gjithmonë i shohim në të njëjtën mënyrë, siç janë ndryshimi klimaterik, tregtia dhe multilateralizmi. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kapërcyer periudha të vështira edhe më parë. Dhe një Evropë që po bëhet strategjikisht më autonome dhe gjeopolitikisht më e aftë, do ta bëjë partneritetin transatlantik vetëm më të fortë dhe më të ekuilibruar.

 

Për t’u përqendruar te tema e diskutimit tonë sot, ndërsa mund të ketë disa dallime gjetkë, në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara punojnë plotësisht krah për krah.

 

Ky bashkëpunim i ngushtë transatlantik në Ballkanin Perëndimor bazohet në një konvergjencë themelore të pikëpamjeve. Një konvergjencë pikëpamjesh si për të ardhmen e rajonit, por edhe për atë çka duhet për të arritur atje.

 

Dhe besoj se ka qenë kjo konvergjencë pikëpamjesh - dhe qëllimi ynë i përbashkët - që e ka bërë bashkëpunimin BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor kaq efektiv, si dhe na ka mundësuar që së bashku të kontribuojmë për përparimin e rëndësishëm që ka bërë rajoni gjatë viteve të kaluara.

 

Kjo konvergjencë pikëpamjesh, ky qëllim i përbashkët, bazohen në besimin tonë të përbashkët - dhe angazhimin tonë - për një rajon të Ballkanit Perëndimor të bazuar në demokraci, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të pakicave dhe ekonomitë e tregut të hapur. Dhe në të dyja anët e Atlantikut, ne besojmë se mënyra më e mirë për ta mbështetur rajonin në këtë transformim është përmes integrimit të tij në Bashkimin Evropian dhe, për ato vende që e dëshirojnë, në NATO.

 

Ky besim dhe angazhim janë të palëkundur. Ka pasur një zhgënjim të madh në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, sepse Këshilli i fundit Evropian nuk mundi të pajtohej për të hapur bisedimet e anëtarësimit në BE me dy vendet. Unë, gjithashtu, e di se miqtë tanë amerikanë kishin shpresuar për një vendim tjetër. Po ashtu edhe unë.

 

Por njerëzit në Shqipëri dhe në Maqedoni e Veriut, dhe në fakt rajoni më i gjerë, duhet ta dinë që angazhimi i Bashkimit Evropian për integrimin në BE të Shqipërisë dhe fqinjëve të saj nuk ka ndryshuar. BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë me Shqipërinë dhe rajonin për të mbështetur udhën e tyre të integrimit në BE. Çështja mbetet në krye të agjendës së BE-së dhe shumica dërrmuese e udhëheqësve të BE-së janë të vendosur për të përparuar në këtë udhë.

Ndaj në këtë angazhim ndaj integrimit evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë së bashku. Ne vazhdojmë të punojmë çdo ditë për të mbështetur qeveritë dhe njerëzit në rajon për të bërë përparime të mëtejshme në udhët e tyre të reformës.

 

Këtu në Shqipëri, reforma në drejtësi ilustron forcën e bashkëpunimit BE-SHBA më shumë se gjithçka. Ne kemi punuar së bashku që ditën e parë për të mbështetur institucionet shqiptare për hartimin dhe rënien dakord për këtë reformë historike. Një reformë që e ka kërkuar shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë dhe që do të jetë një shtyllë themelore për shtetin e së drejtës dhe prosperitetin ekonomik në vend.

 

Si Bashkimi Evropian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara kanë mobilizuar mbështetjen e tyre politike, teknike dhe financiare për ta bërë reformën në drejtësi një sukses, dhe ekspertët tanë vazhdojnë ta shoqërojnë bashkërisht procesin, përfshirë edhe përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

 

Por Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë udhëheqjen e përbashkët për ta mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për reforma edhe në fusha të tjera, të tilla si reforma zgjedhore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më lejoni të shikoj shkurtimisht edhe gjetkë në rajon. Ne kemi punuar së bashku 15 vjet më parë në Bosnjë dhe Hercegovinë për reformën në drejtësi. Më gjerësisht mbi shtetin e së drejtës, në Kosovë, Shtetet e Bashkuara për herë të parë në botë morën pjesë në një operacion civil të BE-së, duke dërguar ekspertë në EULEX.

 

Maqedonia e Veriut është një rast tjetër. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku për të mbështetur udhëheqësit politikë të vendit për ta drejtuar vendin e tyre për daljen nga një krizë e thellë politike, si dhe për një nga arritjet më të rëndësishme të rajonit në dekada - Marrëveshjen e Prespës për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë.

Sa i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Beograd-Prishtinë, do të duhet më shumë punë për të arritur një kthesë të ngjashme historike. Por, ashtu si në të kaluarën, edhe në të ardhmen, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku për t’i mbështetur të dyja palët për të arritur një marrëveshje.

 

Për këtë çështje, si për shumë të tjera, shumë do të varet nga angazhimi dhe vullneti politik i udhëheqësve të rajonit. Por nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë atje për t’i mbështetur ata që duan të përparojnë dhe të përmbushin aspiratat evropiane dhe euro-atlantike të popujve të tyre. Sot dhe në vitet në vazhdim.

 

Faleminderit për vëmendjen.

 

Languages:
Seksionet editoriale: