Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave nga 14 shtete anëtare pas tërmetit dhe përmbytjeve që goditën Shqipërinë

Tirana, Albania, 05/10/2019 - 09:16, UNIQUE ID: 191005_1
Speeches of the Ambassador

E dashur ministre,

të dashur kolegë,

Pas tërmetit që preku Shqipërinë dy javë më parë, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare ofruan menjëherë ndihmë. Deri më sot, 14 shtete anëtare kanë ofruar materiale apo ekspertizë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Holanda, Sllovenia, Sllovakia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo është vërtet e jashtëzakonshme dhe një dëshmi e faktit se sa pranë shqetësimeve të shteteve tona anëtare është Shqipëria.

Në emër të Bashkimit Evropian, dëshiroj të përgëzoj dhe të falënderoj kolegët e mi sot këtu, për bujarinë dhe shpejtësinë e reagimit të tyre.

Ne jemi gjithashtu krenarë për efikasitetin e Mekanizmit tonë të BE-së për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm disa ditë pas aktivizimit të tij për të ngritur një ekip prej 8 ekspertësh dhe për ta dërguar atë në Shqipëri.

Solidariteti është në zemër të Bashkimit Evropian. Ai lidh së bashku kulturat, etnitë dhe gjuhët tona të ndryshme. Ai është në rrënjë të asaj çka ne jemi si kontinent, pas shekujsh lufte dhe konflikti.

Ne mbështesim njëri-tjetrin.

Qendra e Koordinimit për Reagimin ndaj Emergjencave i përgjigjet kërkesës së qytetarëve tanë dhe jo vetëm brenda BE-së, pasi solidariteti nuk njeh kufi.

Përmes koordinimit të Bashkimit Evropian, furnizimet dhe sendet e ndihmës së parë, tendat e emergjencës, gjeneratorët e energjisë elektrike dhe pakot e ndihmave ushqimore janë dërguar në zonat e prekura.

Dorëzimi i shpejtë i këtyre ndihmave te popullata është thelbësore. Atëherë dhe aty ku duhen.

Në periudhën afatgjatë, disa nga materialet tashmë të magazinuara do ta ndihmojnë Shqipërinë të reagojë më shpejt në rast të një katastrofe tjetër.

Këtë herë, dëmi ishte i kufizuar dhe, për fat të mirë, askush nuk vdiq për shkak të tërmeteve. Por javët e kaluara duhet të shërbejnë si një shembull për Shqipërinë.

Shqipëria duhet të përmirësojë sistemin e saj të mbrojtjes civile dhe të marrë më shumë përgjegjësi për përgatitjen e saj për katastrofa.

Ngritja e shpejtë e një agjencie plotësisht funksionale të mbrojtjes civile, me një mandat të fortë ndërsektorial, është thelbësore.

Thelbësore është gjithashtu, përgatitja dhe kapacitetet e reagimit të stafit të mbrojtjes civile dhe komuniteteve.

Dua të theksoj gjithashtu rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit për të ndërtuar një "kulturë të re të parandalimit" tek njerëzit. Është shumë e rëndësishme të jesh i përgatitur në raste fatkeqësish.  

Së fundmi më lejoni të mbyll këtë fjalim duke falenderuar autoritetet shqiptare për reagimin e shpejtë dhe të shkëlqyer. Do të falenderoja edhe Ekipin e Mbrojtjes Civile të BE-së për punën e tyre të shkëlqyer dhe profesionale. Duke ardhur nga 6 vende të ndryshme, ju jeni mishërimi i bashkëpunimit evropian. Kur katastrofat godasin, shumë prej jush janë në vijën e parë. Përgëzime për përkushtimin tuaj në këtë fushë dhe për vendosmërinë tuaj!

Ajo çka pamë në punë këto dy javë është Bashkimi Evropian në më të mirën e tij - solidaritet dhe efikasitet i kombinuar në dobi të qytetarëve jo vetëm në vendet e BE-së, por kudo në botë.

Shumë faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: