Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Konferencën e Nivelit Lartë "Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë"

Tirana, Albania, 04/10/2019 - 10:45, UNIQUE ID: 191004_8
Speeches of the Ambassador

Kryeministër Rama,

Ministre Gjonaj,

Sekretare e Përgjithshme

Miq të nderuar,

"Padrejtësia kudo qoftë është një kërcënim për drejtësinë në çdo vend".

Ky citim i famshëm nga Martin Luther King e ngërthen saktësisht rëndësinë e një sistemi drejtësie të pavarur dhe të përgjegjshëm për shoqërinë në tërësi.

Nëse padrejtësia prek qoftë edhe vetëm një qytetar, apo nëse një kriminel arrin t’i shmanget drejtësinë përmes korrupsionit, atëherë kontrata shoqërore prishet. E gjithë shoqëria vuan nga mosbesimi ndaj institucioneve që duhet ta mbrojnë atë.

Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë sepse drejtësia siguron barazinë e qytetarëve.

Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë sepse një sistem drejtësie funksionues është guri i themelit i një demokracie funksionuese.

Dhe, gjithçka ka të bëjë me drejtësinë sepse zbatimi i shtetit të së drejtës në një vend vendos stekën dhe frymëzimin për t’u ndjekur nga të tjerët në rajon.

Bashkimi Evropian është krenar që i ka mbështetur pa u lodhur përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar sistemin e saj të drejtësisë.

BE-ja mbështetet te vlerat e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore. Por reformat nuk ndodhin sepse ne i kërkojmë ato. Reforma në drejtësi ndodhi për shkak të mbështetjes së madhe nga qytetarët shqiptarë.

Qytetarët janë të parët që vuajnë nga një sistem i dështuar i drejtësisë. Humbja e besimit te gjyqësori nuk është një perceptim; ai rezulton nga padrejtësia e hidhur që shumë shqiptarë kanë pësuar personalisht ndër vite: një pronë e vjedhur sepse gjyqtari ishte korruptuar, një kriminel i regjur që nuk ndëshkohet, apo një biznes familjar i mbyllur për shkak të kërcënimit të patrajtuar nga krimi i organizuar.

Pranueshmëria dhe ligjshmëria e reformës në drejtësi të Shqipërisë mbështetet, para së gjithash, mbi kërkesën dhe mbështetjen e qartë të popullit shqiptar. Rezultatet e reformës janë rezultati i tij.

Duke bërë një hap pas dhe duke e parë në mënyrë realiste atë çka është arritur në tre vitet e fundit, mund të mendoni vetëm se shumë pak vende të tjera në botë do ta bënin një transformim dhe nivel kaq të thellë monitorimi ndërkombëtar.

  • Kushtetuta shqiptare u ndryshua me më shumë se një të tretën.
  • Janë miratuar rreth 40 akte të reja apo të modifikuara të legjislacionit, duke rindërtuar plotësisht qeverisjen gjyqësore dhe fusha të tilla si ligji procedural, legjislacioni penal ose profesionet e lira juridike.
  • Një gjyqësor që është riformuar për ta bërë atë më të pavarur nga politika dhe më të hapur ndaj botës akademike dhe shoqërisë civile.
  • Janë krijuar tre institucione të reja.
  • Rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë tashmë janë jashtë sistemit falë vetingut.

Gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm që e kaluan vetingun nuk do të njollosen më nga reputacioni i keq i atyre pa integritet. Në kontekstin e kësaj konference të nivelit të lartë, unë do të doja t’u jepja meritat e merituara gjyqtarëve dhe prokurorëve që kurrë nuk e humbën busullën e tyre morale. Ata janë krenaria e profesionit të tyre.

Asnjë ndryshim themelor nuk ndodh kurrë brenda natës, por duhet të nisë diku. Sistemi i ri gjyqësor është një realitet kushtetues dhe institucional nga ku nuk ka kthim pas.

Reforma është tashmë pjesë e historisë së Shqipërisë moderne, dhe e tillë që tani po shikohet nga i gjithë rajoni dhe më gjerë.

Historia nuk ka mbaruar, natyrisht. Ne jemi sot në një udhëkryq ku duhet të sigurohet qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit.

Pritjet janë të mëdha për t’i parë përsëri funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Qytetarët shqiptarë mezi presin që të krijohen SPAK dhe BKH dhe më e rëndësishmja, ata po presin rezultatet e para të punës së këtyre institucioneve.

Detyra kolektive tani është të shmanget ngadalësimi në mes të rrugëtimit. Ka shumë punë përpara dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm që të ketë sukses.

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë përkrah jush. Për tre vitet e ardhshme, BE-ja do të vërë në dispozicion më shumë burime financiare, me 42 milion Euro të dedikuara për programin tonë të ri të drejtësisë. Kjo përfshin një zarf prej 34 milion Eurosh që do të kontribuojë drejtpërdrejt në buxhetin e Shqipërisë, nëse vendi jep rezultate në strategjinë e drejtësisë. BE-ja është krenare që është mbështetësja e parë e drejtësisë në Shqipëri.

Tani jemi dy javë larg nga një prej vendimeve më të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.

Pa reformën në drejtësi, është e qartë se vendi do të kishte pritur edhe shumë vite për të arritur situatën e sotme pak para këtij momenti të rëndësishëm - vite që populli i Shqipërisë nuk mund t’i  humbasë.

Reforma ka hedhur themelet për forcimin thelbësor të sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Shqipëria është e gatshme të kalojë në hapin tjetër. Hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte një ndryshues i lojës për Shqipërinë, për t’u siguruar që procesi i reformës të bëhet i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm.    

Zonja dhe zotërinj, 


Historia e reformës në drejtësi në Shqipëri është histori angazhimi dhe konsensusi. Një rrugëtim drejt përfshirjes efektive të shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave themelore. Një histori që e tregon Shqipërinë në më të mirën e vet: kur vendi bashkohet, kur liderët dhe partitë bashkëpunojnë për hir të qytetarëve të tyre.

Fare thjesht, gjithçka ka të bëjë me drejtësinë sepse gjithçka ka të bëjë me demokracinë. Sepse nuk ka demokraci të vërtetë pa një sistem drejtësie që mbron të drejtat individuale, ruan vlerat themelore, lejon që e vërteta të ekspozohet dhe viktimat të mbrohen.

Shumë faleminderit!
 

Languages:
Seksionet editoriale: