Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Ndihma e BE-së për njerëzit e dëmtuar nga tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri

Tirana, Albania, 28/09/2019 - 12:41, UNIQUE ID: 190928_1
Press releases

28 shtator 2019

Pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishëm që goditën Shqipërinë më 21 shtator 2019 dhe shirat e dendur që goditën të njëjtën zonë menjëherë më pas, autoritetet shqiptare kërkuan ndihmë ndërkombëtare përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Përmes koordinimit të Bashkimit Evropian, furnizimet e ndihmës së parë dhe sendet e ndihmës, të tilla si tendat e emergjencës, gjeneratorët e energjisë elektrike dhe kutitë e ndihmave ushqimore tashmë janë nisur drejt në zonat të prekura.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides tha: "Bashkimi Evropian po mobilizon ndihmë të menjëhershme në solidaritet me njerëzit e goditur nga këto fatkeqësi natyrore në Shqipëri. Falënderoj ngrohtësisht të gjitha shtetet për ofertat e tyre të ndihmës përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme sipas kërkesës së autoriteteve shqiptare."

Sot, në një konferencë për shtyp me ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha: "Më duhet të përshëndes bujarinë dhe shpejtësinë e përgjigjes së shteteve anëtare të BE-së. Shqipëria nuk është vetëm e afërt gjeografikisht me BE-në, por edhe afër zemrës dhe shqetësimeve tona. Ajo që ne shohim sot në punë është një shembull se si funksionon më së miri BE-ja, ku solidariteti dhe efikasiteti kombinohen në të mirë të qytetarëve jo vetëm në shtetet anëtare të BE-së, por kudo në botë."

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha: “I jam shumë mirënjohëse Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen. E vlerësoj akoma më shumë këtë mbështetje, për faktin që Shqipëria sot nuk është e anëtarësuar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. E megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur e domethënëse solidariteti. Dua të falënderoj çdo vend që përmes këtij Mekanizmi, bujarisht ka vendosur të na mbështesë në këto momente të vështira. Ka kaluar shumë pak kohë që kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Mbrojtjen Civile Mbrojtjen Civile. Tërmeti i datës 21 shtator ishte testi i parë i këtij mekanizmi që është ende në hapat e parë dhe që kërkon ende shumë punë, koordinim, transformim institucional e përgjegjësish, përpara se të bëhet vërtet funksional. Por ishte një test që gjithsesi tregoi se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky mekanizëm i ndërtuar mbi modelet që funksionojnë sot në BE.”

Njëmbëdhjetë shtete anëtare / pjesëmarrëse në Mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile kanë paraqitur oferta të ndihmës. Këto janë Austria, Kroacia, Italia, Greqia, Hungaria, Finlanda, Franca, Mali i Zi, Norvegjia, Sllovakia dhe Sllovenia. Tani është duke u bërë një vlerësim i nevojave për të kanalizuar sa më mirë ndihmat e ofruara për të mbuluar nevojat e menjëhershme dhe për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare në krijimin e kapaciteteve për të papriturat e ardhshme. Për më tepër, një ekip ekspertësh nga gjashtë shtete anëtare / pjesëmarrëse në Mekanizëm mbërritën më 27 shtator 2019 në Tiranë, Shqipëri, për të ndihmuar me bashkërendimin logjistik në terren të ardhjes së ndihmave dhe për të mbështetur autoritetet kombëtare me vlerësimet e mëtejshme të nevojave.

Qendra e Koordinimit për Reagimin ndaj Emergjencave e Bashkimit Evropian që funksionon njëzet e katër  orë në shtatë ditë të javës është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të monitoruar zhvillimet në terren dhe për t'iu përgjigjur çdo kërkese shtesë për ndihmë nga BE-ja.

Background:

Dy tërmete goditën qarkun e Durrësit në Shqipëri më 21 shtator 2019, një me magnitudë 5.6 M dhe i dyti 5.1 M. Tërmetet u pasuan nga më shumë se 100 pasgoditje. Zonat më të prekura janë shtatë prefekturat / rajonet e Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Dibrës, Lezhës, Fierit dhe Beratit.

Më 23 shtator 2019, Shqipëria u godit nga stuhitë e shiut dhe reshjet e mëdha që shkaktuan përmbytje të menjëhershme në disa prej zonave të prekura nga tërmetet.

Dëmtime të mëdha të shtëpive, ndërtesave dhe infrastrukturës. Janë ngritur qendra të përkohshme evakuimi për njerëzit të cilëve iu desh të linin shtëpitë e tyre për arsye sigurie.

Ndihma e ofruar përmes Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile mobilizohet sipas nevojave të komunikuara nga autoritetet shqiptare. Ajo synon kryesisht të sigurojë strehim të ngutshëm dhe të mbulojë nevojat themelore të menjëhershme të njerëzve të cilët u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre, si dhe të ndihmojë për krijimin e kapaciteteve emergjente.

 

Faqe informative: Qendra e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave e Bashkimit Evropian

 

Foto: Qendra e Koordinimit të Reagimit nga Emergjencave

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: