Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Zëvendës Shefes së Delegacionit të BE-sē Monika Bylaite në Shqipëri në konferencën “Zgjerimi kundrejt thellimit. Një dilemë për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor?"

Tirana, Albania, 25/09/2019 - 16:50, UNIQUE ID: 190925_24
Remarks

Seminar & Diskutim Publik mbi Rininë organizuar në kuadrin e nismës së Forumit të Reflektimit mbi Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor diskuton të ardhmen e Evropës!

Zgjerimi kundrejt thellimit:
një dilemë për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor
?

24-25 shtator 2019, Tiranë, Hotel Rogner

Jam mirënjohëse për nderin që të hap diskutimin e sotëm mbi “të ardhmen e Evropës”. Po e them këtë edhe në emër të Ambasadorit Soreca, i cili fatkeqësisht nuk mund të jetë këtu vetë këtë mëngjes. Është një nder për mua të flas pak para panelit shumë të shquar që do të pasojë, por, sidomos, është gjithashtu kënaqësi të flas këtu përpara një grupi të rinjsh kaq të motivuar.

Më lejoni, para së gjithash, të duartrokas organizatorët - veçanërisht Qendrën Austro-Franceze për Afrimin në Evropë, Fondacionin “Friedrich Ebert” dhe “Hub Policy” të BE-së, por edhe shumë të tjerë që janë përfshirë gjithashtu - më lejoni të duartrokas organizatorët për theksimin e rolit të Ballkanit Perëndimor në reflektimin e së ardhmes së Evropës. Për shkak se ky reflektim është, në të vërtetë, për një Bashkim në të cilin vendet e rajonit dëshirojnë të anëtarësohen. Një Bashkim në të cilin të rinjtë e sotëm - dhe në fakt jo vetëm të rinjtë - do të jenë qytetarët e së nesërmes. Prandaj, organizatorët kanë të drejtë të theksojnë nevojën për krijimin e pronësisë së përbashkët të projektit të integrimit evropian edhe këtu në Ballkanin Perëndimor.

Tani, tema specifike në nëntitullin e diskutimit të sotëm - "zgjerimi kundrejt thellimit" - natyrisht nuk ka të bëjë vetëm me "të ardhmen e Evropës", e cila është në titullin e programit të konferencës. Në fakt, kjo çështje ka qenë me ne që nga fillimi i integrimit evropian më shumë se 60 vjet më parë. Dhe do të guxoja të thosha se këto më shumë se 60 vjet histori na kanë treguar se "zgjerimi" dhe "thellimi" nuk paraqesin, në të vërtetë, një dilemë, siç sugjeron nëntitulli i diskutimit tonë. Ata nuk janë aspak kontradiktorë.

Më lejoni që të flas shkurtimisht për disa momente kryesore të integrimit evropian. Zgjerimi jugor i viteve 1980 shkoi paralelisht me themelimin e tregut të vetëm dhe prezantimin e një kohezioni të konsiderueshëm dhe politikave rajonale. Anëtarësimi i Suedisë, Finlandës dhe Austrisë në vitet 1990 u shpalos së bashku me krijimin e monedhës së vetme, heqjen e kontrolleve të brendshme kufitare dhe forcimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Zgjerimi lindor në vitet 2000 erdhi në të njëjtën kohë kur Bashkimi fitoi ndjeshëm në kompetenca në fushat e rëndësishme të drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe kur institucionet e BE-së dhe qeverisja e tyre demokratike u forcuan me Traktatin e Lisbonës.

Dhe që nga zgjerimi i fundit, ai i Kroacisë në vitin 2013, integrimi evropian është thelluar më tej me Bashkimin Bankar dhe mbikëqyrjen e integruar financiare, si dhe me Bashkimin e Mbrojtjes që synon autonominë strategjike evropiane. Edhe pse Bashkimi Evropian ka sot më shumë Shtete Anëtare se kurrë, ata i kanë besuar Evropës kompetenca në zona të paimagjinueshme vite më parë kur Bashkimi numëronte shumë më pak vende - marrim si shembuj të fundit Agjencinë e re Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, e cila do të patrullojë gjithnjë e më shumë kufijtë tanë të jashtëm, si dhe Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, e cila do të ketë kompetencën për të çuar pas hekurave zyrtarë të korruptuar evropianë dhe kombëtarë (që mashtrojnë me paratë e BE-së).

Sigurisht, “thellimi” i Evropës nuk ka të bëjë vetëm me institucionet dhe ligjet. Ka të bëjë po aq me atë çka njerëzit ndiejnë dhe besojnë. Por edhe këtu, thellimi dhe zgjerimi kanë përparuar paralelisht. Sot, pothuajse tre të katërtat (73%) e evropianëve që jetojnë në Bashkimin Evropian mendojnë se janë "qytetarë të Bashkimit Evropian". Kjo është shifra më e lartë e matur ndonjëherë, pavarësisht faktit se BE-ja është më e gjerë se kurrë. Tetë nga dhjetë evropianë besojnë sot se ajo çka i bashkon qytetarët e BE-së është më e rëndësishme se ajo çka i ndan[1].

Me pak fjalë, gjatë dekadave të kaluara nuk ka pasur asnjë kontradiktë midis zgjerimit dhe thellimit të Bashkimit Evropian. Të dy kanë përparuar paralelisht. Kjo na sjell në të tashmen dhe në të ardhmen.

Politika e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor bazohet në një strategji ambicioze që u prezantua në fillim të vitit të kaluar. Ajo e angazhon Komisionin të vazhdojë të ndjekë si zgjerimin ashtu dhe thellimin. Strategjia nuk lë dyshim se Komisioni e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, gjeografikisht i rrethuar nga Shtetet Anëtare të BE-së. Kemi një trashëgimi dhe histori të përbashkët dhe përballemi me mundësi dhe sfida të përbashkëta. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është, pra, në interesin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik të vetë Bashkimit. Ai është një investim gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, bazuar në vlerat e përbashkëta. Dhe, më e rëndësishmja, një perspektivë e besueshme e anëtarësimit është shtytësi kryesor i transformimit në Ballkanin Perëndimor.

Në fund të ditës, vendimi për të ftuar vendet kandidate për t'iu afruar BE-së u takon Shteteve Anëtare të BE-së. Udhëheqësit e tyre kombëtarë vazhdimisht kanë theksuar përkushtimin e tyre të qartë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të vitit të kaluar në Sofje. Muaji tjetër do të tregojë nëse kjo përkthehet në hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Komisioni Evropian beson se po.

Në të ardhmen ky angazhim i Komisionit Evropian nuk do të ndryshojë. Presidentja e zgjedhur e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka premtuar se "do të mbështesë dhe përshpejtojë" procesin e anëtarësimit, bazuar në meritat dhe përparimin e bërë nga secili vend. Në fakt, Presidentja e zgjedhur nuk ka lënë asnjë dyshim mbi bindjen e saj personale se thellimi dhe zgjerimi i projektit evropian ecin së bashku. Po citoj: "Për brezin tim, Evropa ishte një aspiratë e paqes, prosperitetit dhe unitetit që e sollëm në jetë përmes monedhës sonë të vetme, lëvizjes së lirë dhe zgjerimit."

Për ta përmbyllur, unë do të doja të uroja që të mos kapemi pas një dileme false. Le të mos përqendrohemi në faktin nëse zgjerimi dhe thellimi e përjashtojnë njëri-tjetrin - pasi mendoj se historia e integrimit evropian ka treguar se nuk është ashtu. Le të përqendrohemi në atë se si dhe ku dëshirojmë ta thellojmë Evropën dhe si mund ta zgjerojmë atë në Ballkanin Perëndimor në një mënyrë që është në interes të njerëzve si në Shtetet Anëtare aktuale ashtu edhe në ato të ardhshme.

Ka kaq shumë gjëra në rendin e ditës për të ardhmen e Evropës. Si mund ta bëjmë Evropën kontinentin e parë neutral klimatik në botë? Si mund të sigurohemi që të gjithë të përfitojnë nga integrimi ekonomik? Si mund ta bëjmë Evropën të përshtatshme për epokën digjitale? Si mund të sigurohemi që njerëzit në Evropë të ndjehen të mbrojtur në një botë më të pasigurt? Si mund ta ruajmë rendin botëror shumëpalësh dhe ta forcojmë vendin e Evropës në të? Dhe cila është mënyra më e mirë për të ushqyer, mbrojtur dhe forcuar demokracinë në kontinentin tonë?[2]

Këto janë të gjitha pyetjet për të cilat njerëzit në Ballkanin Perëndimor duhet të thonë fjalën e tyre - sepse ata do të preken prej tyre po aq sa njerëzit e tjerë në Evropë. Shpresoj që duke ndërmarrë bisedën për të ardhmen e Evropës në Ballkanin Perëndimor, diskutimi i sotëm mund të japë një kontribut për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë, dhe kjo u shkon të rinjve nga rajoni: kërkojuni llogari udhëheqësve tuaj kombëtarë për t’u siguruar që ata t’i realizojnë premtimet e reformës lidhur me BE-në, që i kanë bërë në vend dhe në Bruksel. Në këtë mënyrë, ju do të jepni kontributin tuaj që zgjerimi dhe thellimi të vazhdojë të ecin së bashku.

   Faleminderit!

 


[1] Shifrat e Eurobarometrit të vitit 2019.

[2] Gjashtë temat kryesore të udhëzuesve politike të Von der Leyen-it.

Languages:
Seksionet editoriale: