Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Konferencën Hapëse: "Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave", Shqipëri 2020

Tirana, Albania, 20/09/2019 - 16:09, UNIQUE ID: 190920_10
Speeches of the Ambassador

E dashur Znj. Dhuli,

E dashur Ministre Denaj,

Të dashura zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur që jam sot këtu në konferencën hapëse të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020.

Ne kemi bërë partneritet me INSTAT-in prej shumë vitesh dhe kemi parë se si INSTAT-i e ka transformuar veten në kohë. Pajtueshmëria me rekomandimet ndërkombëtare dhe ato të Eurostat-it, përdorimi i praktikave më të mira, transparenca e metodologjive, modernizimi i mjeteve: këto ndryshime kanë çuar në një njohuri më shteruese të tipareve ekonomike dhe sociale të shoqërisë shqiptare.

BE-ja e ka shoqëruar këtë përpjekje me mbështetje financiare prej 14.5 milion Eurosh, duke ndihmuar përafrimin e statistikave shqiptare me standardet e BE-së.

Sot po diskutojmë sfidën dhe objektivin tjetër të INSTAT-it: Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2020.

Censi i vitit 2020 do të jetë me rëndësi shumë të madhe për të siguruar informacion të besueshëm për të zhvilluar dhe vlerësuar politikat e bazuara në prova, për të planifikuar dhe drejtuar shërbime publike të synuara mirë dhe për të ndarë fonde.

Nëse mblidhen siç duhet, të dhënat e censit i ndihmojnë autoritetet  të mbajnë ritmin me demografinë që ndryshon me shpejtësi të shoqërisë moderne. Ato përmirësojnë zgjedhjet e bëra në punësim, strehim, investime dhe mbrojtjen e pakicave dhe grupeve të cenueshme.

Për të korrur këto përfitime, megjithatë, kërkohet një përpjekje e madhe kombëtare. INSTAT-i është kyç për koordinimin dhe sigurimin e cilësisë së kësaj pune. Por INSTAT-i do të ishte i paaftë pa ushtrinë e më shumë se 8000 regjistruesve, kontrolluesve dhe mbikëqyrësve, si dhe pa përfshirjen e një numri të madh të institucioneve kombëtare dhe natyrisht të bashkive. Nevoja për koordinim të përpjekjeve nga të gjitha këto institucione nuk mund të theksohet sa duhet.

Rëndësia e censit të popullsisë dhe banesave nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri. Është po aq kuptimplotë për aspiratën shqiptare për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në BE, censet përcaktojnë numrin e votave të Shteteve Anëtare në institucionet e BE-së, dhe sigurojnë një kuptim të mirë të dallimeve midis rajoneve, në mënyrë që të identifikojnë nevojat për mbështetje.

Censi do të jetë gjithashtu baza e negociatave tona me Shqipërinë pasi ato të kenë filluar. Në të vërtetë, një politikë e mirë e integrimit evropian bazohet në të dhëna gjithëpërfshirëse, të krahasueshme dhe të besueshme. Kjo është arsyeja pse BE-ja ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm gjatë dekadave të fundit për të harmonizuar rezultatet e censit dhe për të siguruar që të dhënat e mbledhura janë drejtpërdrejt të krahasueshme.

Censi shqiptar i vitit 2011 shënoi një moment historik të rëndësishëm në këtë kuptim: ishte, për herë të parë, i bazuar në një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse në nivelin e BE-së, me një grup të përcaktuar mirë të të dhënave të harmonizuara, të pasqyruara në Sistemin Evropian të Statistikave, dhe të paraqitura para publikut të gjerë online. Ne jemi të lumtur të shohim që INSTAT-i ka zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me EUROSTAT-in dhe është në rrugën e përafrimit.

Sidoqoftë, Këshilli i Evropës theksoi se censi i vitit 2011 nuk arriti të sigurojë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të deklaruar lirshëm origjinën e tyre etnike dhe fenë. Në funksion të diskutimit aktual parlamentar për Ligjin e ri të Censit, dëshiroj të theksoj rekomandimin e Këshillit të Evropës, të përsëritur vitin e kaluar, se deklarimi i etnisë duhet të jetë i lirë dhe të bazohet në parimin e vetëidentifikimit.

Legjislacioni duhet ta bëjë të qartë se sanksionet nuk mund të zbatohen për shprehjen vullnetare të origjinës etnike të një personi. Censi, pra, është i lidhur ngushtë me miratimin e akteve nënligjore mbi të drejtën e vetëidentifikimit të lirë, për të cilin Bashkimi Evropian ka bërë thirrje në dy Konkluzionet e tij të fundit për Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria ka kaluar një rrugë të gjatë për të përmirësuar besueshmërinë dhe disponueshmërinë e të dhënave statistikore. Modernizimi i mëtejshëm i Sistemit Kombëtar të Statistikave Shqiptare mund të veprojë si shtytës për vendin në rrugën e tij drejt integrimit në BE.

BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt përputhjes me standardet statistikore të BE-së. Ne jemi të përkushtuar për të punuar së bashku për ta bërë zbatimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020 një sukses të madh.

Faleminderit!

 

 

Languages:
Équipes éditoriales: