Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Ceremoninë e Nënshkrimit IPA 2018

Tirana, Albania, 13/09/2019 - 12:21, UNIQUE ID: 190913_6
Speeches of the Ambassador

I dashur Zëvendësministr Dedja, të dashur pjesëmarrës!

 

Së pari, dua t'ju falënderoj ju, Sokol, dhe gjithë stafin e zyrës mbështetëse të NIPAC dhe institucionet përfituese. Ju keni treguar shumë punë, përkushtim dhe angazhim gjatë përgatitjeve të këtij programi IPA 2018.

 

Menaxhimi i fondeve të BE-së është një ushtrim kompleks që kërkon përgatitje të gjera dhe koordinim ndërinstitucional. Të gjithë ata që janë përfshirë kanë bërë një punë të shkëlqyer, pa dyshim me burime të pakta.

 

Bashkimi Evropian është krenar që është donatori më i madh në Shqipëri. Kjo mbështetje ka një qëllim dhe një arsye: ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet një anëtare e plotë e familjes së Bashkimit Evropian.

 

Marrëveshja që po nënshkruajmë sot pasqyron përparësitë tona kyçe: reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dhe do të mbeten në zemër të partneritetit tonë me Shqipërinë. Por mbrojtja e mjedisit dhe administrimi i ujit gjithashtu do të mbështeten shumë nga programi i ri.

 

Bazuar në përparimin e mirë të bërë deri më tani, veçanërisht në zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vetingut, majin e kaluar Komisioni ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

 

Siç u theksua nga Presidentja e zgjedhur Ursula von der Leyden të martën e kaluar, në momentin e prezantimit të emërimit të komisionerëve të rinj, Komisioni i ri do ta mbështesë propozimin e bërë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim vendimin e Këshillit në tetor.

 

Unë e kam theksuar në raste të tjera se si vetëm pak vende të tjera kanë kaluar një transformim kaq të thellë dhe të plotë si reforma në drejtësi në Shqipëri. Meritat i shkojnë popullit shqiptar që e deshi dhe e kërkoi këtë ndryshim.

 

Zbatimi i plotë i reformës në drejtësi duhet të vazhdojë. Tani ne po vëmë në dispozicion më shumë burime financiare, me 42 milion Euro të dedikuara për programin tonë të ri të drejtësisë.

 

Kjo përfshin një fond prej 34 milion Eurosh që do të kontribuojë drejtpërdrejt në buxhetin e Shqipërisë. Këto fonde bazohen plotësisht në rezultatet e strategjisë së drejtësisë. Prandaj, e inkurajoj qeverinë shqiptare, çdo aktor dhe institucion, që t’i mbështesë angazhimet e strategjisë dhe të zbatojë plotësisht reformat.

 

Kjo mbështetje përfshin të gjitha fushat dhe institucionet e sistemit gjyqësor. Ajo është gjithashtu në kohën e duhur për të siguruar krijimin e shpejtë dhe të plotë të institucioneve të reja.

 

Një element tjetër kyç i programit i kushtohet luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Shqipërinë pasi tani jemi shumë afër krijimit të SPAK-ut. Gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm tashmë po diskutojnë se si mund të ndiqet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrën më efikase dhe të pavarur.

 

Qytetarët e Shqipërisë kanë shpresa të mëdha për këto struktura të reja dhe duan të shohin ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë pozitiv në jetën e tyre. Po ashtu edhe Bashkimi Evropian.

 

Pothuajse 20 milion Euro do të jenë në dispozicion të Shërbimeve të Prokurorisë në Shqipëri dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të arritur rezultate në shpartallimin e rrjeteve kriminale.

 

Ne do të ofrojmë mbështetje në mënyrë specifike për hetime financiare dhe konfiskime; menaxhimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe kufijve blu; Akademinë e Sigurisë dhe bashkitë në zbatimin e alternativave ekonomikisht të zbatueshme ndaj kultivimit dhe tregtisë së kanabisit.

 

Por partneriteti ynë shkon përtej forcimit të shtetit ligjor: paketa përfshin një mbështetje të konsiderueshme për mjedisin dhe përmirësimin e cilësisë së ujit. Kjo do të forcojë infrastrukturën e ujërave të zeza të bashkive dhe do të përmirësojë funksionimin e ndërmarrjeve ujore - për shërbime më të mira për qytetarët dhe më pak ndotje të natyrës.

 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, 6 milion Euro do t'i kushtohen rehabilitimit të Bylisit si një sit unik i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane.

 

Nëse e shohim të ardhmen me një Komision të ri që së shpejti do të fillojë mandatin e tij dhe ciklin e ri financiar të BE-së që fillon në vitin 2020, nuk kemi kohë për të humbur.

 

Reformat duhet të përparojnë dhe, paralelisht, përgatitjet për IPA III duhet të fillojnë pa vonesë. Priten ndryshime për periudhën e ardhshme shtatëvjeçare, por një gjë nuk do të ndryshojë: BE-ja do të mbetet partnerja numër një e Shqipërisë.

Languages:
Seksionet editoriale: