Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në ceremoninë e nisjes së 14 studentëve shqiptarë të cilët janë shpallur fitues të bursave Erasmus+

Tirana, Albania, 31/07/2019 - 12:39, UNIQUE ID: 190731_2
Speeches of the Ambassador

E nderuar Znj. Ministre Shahini

Të nderuar kolegë,

Të dashur studentë e miq,

 

Jam më se i lumtur të mirëpres sot këtu 14 studentët shqiptarë që kanë fituar bursë nga nga programi Erasmus + në universitetet e 8 vendeve anëtare të BE-së.

 

Ju do të ndiqni rrugën e 3500 studentëve shqiptarë dhe anëtarëve të stafit akademik që në katër vitet e fundit kanë marrë pjesë në programet e Erasmus +.

 

Programi i Erasmus është një prej nismave më të suksesshme të ndërmarra ndonjëherë nga Bashkimi Evropian. Suksesi i programit i atribuohet dukshëm faktit se tregon më konkretisht se çdo program tjetër përfitimet e integrimit evropian. 

 

Erasmus ju mundëson të përjetoni në mënyrë të drejtpërdrejtë ndjesinë e të qenit evropian. Ai ndërton ura lidhëse midis Shteteve Anëtare dhe vendeve si Shqipëria, ndërlidh popuj dhe kultura, si dhe ndihmon në ndarjen e vlerave. Pra, me pak fjalë, është esenca e vetë idealeve të BE-së.

 

Siç e dini, aktualisht BE-ja po punon me programin e ri të Erasmus +, i cili synon të bashkërendojë të gjitha veprimet e BE-së për mbështetjen e arsimit të lartë me ato për mbështetjen e arsimit për zhvillimin e aftësive praktike, të ashtuquajtur si arsim profesional.

 

Programi i ri ofron mundësi të shkëlqyera për institucionet, stafin, hulumtuesit dhe studentët e arsimit të lartë dhe atij profesional, të cilat mund të bëjnë ndryshimin jo vetëm në karrierën dhe jetën tuaj personale, por edhe në të ardhmen e Shqipërisë.

 

Komisioni ka parashtruar një propozim tejet ambicioz për të ardhmen e programit Erasmus, duke përfshirë edhe më shumë se dyfishimin e buxhetit të tij nga 14.7 milion në 30 mililon Euro. Propozimi synon të arrijë tek 12 milionë të rinj për një periudhë kohore shtatë vjeçare (2021-27).

 

Programi i ardhshëm i Erasmus + do të jetë një prej instrumenteve kryesore të Strategjisë së re të BE-së për të Rinjtë, e cila synon, ndër të tjera, arritjen e një shkalle më të lartë koherence midis prioriteteve të politikës për të rinjtë dhe zbatimit të Erasmus.

 

Bashkimi Evropian ka ngritur me sukses edhe Trupat Evropiane të Solidaritetit, përmes së cilave të rinjtë, duke përfshirë edhe të rinjtë shqiptarë, mund të marrin pjesë në misione vullnetare, qoftë brenda apo jashtë vendit të tyre.

 

Të rinjtë e sotëm shqiptarë janë e qytetarët e nesërm të BE-së. Në një vend ku 40% e popullsisë është më e re se mosha 30 vjeç, këta të rinj do të jenë padyshim ata që do ta çojnë vendin përpara.

 

Arsimi është thelbi i kësaj të ardhmeje dhe pa mësues të zotë dhe sisteme arsimore etike, shoqëritë tona nuk mund të përparojnë.

 

Siç ka thënë edhe Franklin Roosevelt, “Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen për të rinjtë, por mund të formojmë të rinjtë për të ardhmen”. Investimi në arsim është jetik për promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane të demokracisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe respektit. Arsimi është shumë më tepër se punësueshmëria. Ai na ofron pikërisht ato vlera që na ndihmojnë të jetojmë dhe të rritemi së bashku.

 

Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë po ato të drejta dhe mundësi si miqtë e tyre në BE dhe qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që këtë gjë ta bëjmë realitet sa më shpejt.

 

Tani, më lejoni ta kthej vëmendjen drejt atyre për të cilët jemi mbledhur sot!

 

Ju uroj sa më shumë suksese në studime! Ju do të jeni ambasadorët e Shqipërisë së Europë! Do t’ju ngarkohet detyra sublime e ndarjes së kulturës shqiptare me kolegët dhe miqtë tuaj.

 

Me t’u kthyer, presim që të promovoni përvojën tuaj në BE dhe në Shqipëri, duke u bërë personalisht pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE!

 

Urime dhe suksese!

 

Languages:
Seksionet editoriale: