Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në hapjen e Zyrës Ndërlidhëse të Europolit në Tiranë

Tirana, Albania , 11/07/2019 - 13:19, UNIQUE ID: 190711_6
Speeches of the Ambassador

I dashur Ministër Lleshaj, e dashur Drejtore Ekzekutive De Bolle, i dashur Drejtor i Përgjithshëm Veliu, shkëlqesi, të dashur kolegë,

Jam shumë i lumtur që kremtojmë këtë përurim me ju sot, për disa arsye.

Para së gjithash sepse muajt e fundit kemi pare rezultatet konkrete të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Europolit, me shpartallimin e grupeve kriminale transnacionale. Një numër operacionesh policore të koordinuara mirë, që përfshinin Europolin dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Shtetet Anëtare të BE-së dhe në Shqipëri, kanë çuar në fakt në ndalimin e drejtuesve të grupeve kriminale transnacionale dhe sekuestrimin e parave, bizneseve, drogave dhe aseteve të tjera kriminale. Operacioni “Goldfinger” është vetëm shembulli më i fundit në këtë seri.

Këto operacione të suksesshme ofrojnë dëshmi se autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit janë partnerë të besueshëm që meritojnë besimin e homologëve të tyre në Shtetet Anëtare të BE-së. Policia e Shtetit në Shqipëri është gjithnjë e më e aftë të angazhohet në operacione policore shumë delikate me partnerët e saj evropianë.

Më lejoni të përmend këtu se ky bashkëpunim në rritje në nivel operativ mund të kontribuojë vetëm për mbështetjen e rastit të Shqipërisë në kryeqytetet e BE-së, duke pasur parasysh vendimin e Këshillit në tetor për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Unë kam qenë një mbështetës i fortë - në pozicionin tim të mëparshëm në Komisionin Evropian - për të siguruar që Shqipëria të ishte një nga vendet e para që të kishte një Oficer Ndërlidhës të Europolit të dislokuar këtu. Jam i lumtur të shoh se farat e para të mbjella kohë më parë sot po sjellin fruta. Mbetem më shumë se kurrë i bindur se puna e Oficerit Ndërlidhës të Europolit do të jetë shumë e dobishme për bashkëpunimin policor BE-Shqipëri.

Unë kam besim se me praninë e Alen Perušić, si Oficer Ndërlidhës i Europolit në Tiranë, Shqipëria do të japë më shumë rezultate në zbatimin e ligjit.

Ne gjithashtu mund të mbështetemi tek Aleni për ta ndihmuar Policinë e Shtetit Shqiptar për ta përdorur me potencial të plotë Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Europolit. Si një rrugë për t’u ndjekur, unë e inkurajoj Policinë Shqiptare të shkëmbejë informacion me Europolin në mënyrë më proaktive. Unë jam i sigurt se prania e Alenit në këtë ndërtesë do të jetë gjithashtu e dobishme në këtë drejtim.

Zyra e re Ndërlidhëse e Europolit i shton një mjet operativ mbështetjes tashmë të fortë që Bashkimi Evropian i ofron Shqipërisë për shtetin ligjor. Më lejoni të përmend këtu në veçanti mbështetjen e rëndësishme teknike të ofruar nga dy projektet tona PAMECA dhe EURALIUS.

Ne gjithashtu po planifikojmë Akademinë e Sigurisë, duke zhvilluar kapacitetet e punonjësve të policisë për hetimet financiare, si dhe ofrimin e planifikuar të pajisjeve për Policinë Kufitare dhe atë të Migracionit.

Zyra Ndërlidhëse e Europolit i shtohet gjithashtu dislokimit të fundit të rojave kufitare të FRONTEX-it në fund të majit. Ky dislokim ka dhënë tashmë rezultate pozitive në parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe ndalimin e trafikantëve të emigrantëve.

Vendosja në këtë post e Alen Perušiç-it duhet të shihet në këtë perspektivë më të gjerë, si një tjetër etapë e rëndësishme në bashkëpunimin BE-Shqipëri për shtetin ligjor.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, më lejoni të shpreh shpresën se Marrëveshja e Bashkëpunimit Eurojust-Shqipëri - nënshkruar tetorin e kaluar - mund të hyjë në fuqi shumë shpejt. E di se kërkesat e fundit, të lidhura me zbatimin e kërkesave për mbrojtjen e të dhënave, po trajtohen nga autoritetet shqiptare dhe unë vetëm mund t'ju inkurajoj që të ecni përpara me këtë sa më shpejt që të jetë e mundur.

E gjithë kjo tregon se Bashkimi Evropian po e përmbush Strategjinë e tij për Ballkanin Perëndimor të miratuar në shkurt të vitit të kaluar, e cila përfshiu një zotim për rritjen e angazhimit të Agjencive të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së në rajon. Dhe Shqipëria është padyshim një pararendëse në Ballkanin Perëndimor nga ky këndvështrim.

Zonja dhe zotërinj, jam i bindur se Europoli dhe Policia e Shtetit Shqiptar tani do të jenë në gjendje ta sjellin bashkëpunimin policor midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në nivelin tjetër. Më lejoni t'ju uroj të gjithëve më të mirën në këtë përpjekje, në dobi të vendit tuaj dhe të Bashkimit Evropian.

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: