Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Ballkani Perëndimor dhe Turqia angazhohen për reforma social-ekonomike kyçe

Bruxelles, 17/05/2019 - 17:28, UNIQUE ID: 190517_30
Press releases

Ministrat e financave të BE-së u takuan sot në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, si pjesë e dialogut vjetor ekonomik dhe financiar të rajonit me BE-në. Ministrat ranë dakord për Konkluzionet e Përbashkëta që përshkruajnë sfidat kryesore ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, si dhe për udhëzime politike të shënjestruara që adresojnë nevojat më të mprehta të reformës social-ekonomike që ka rajoni.

"Jam shumë i kënaqur që shoh angazhimin e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi për të zbatuar reforma strukturore të rëndësishme dhe nganjëherë të vështira. Pa një shtet ligjor funksional, një reformë të thellë të administratës publike dhe një qeverisje ekonomike të fuqishme, rritja e qëndrueshme nuk do të ndodhë. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar ekonomi më të begata dhe gjithëpërfshirëse", tha Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Dialogu bazohet në Programet e Reformave Ekonomike, të përgatitura nga secila qeveri partnere dhe të vlerësuara nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Ushtrimi mbështet fuqizimin e qeverisjes ekonomike në vendet në fjalë - kyç për stabilitetin makroekonomik dhe kapacitetin për zbatimin e reformave strukturore. I gjithë procesi pasqyron koordinimin e politikave ekonomike midis shteteve anëtare të BE-së që zhvillohet gjatë Semestrit Evropian.

Udhëzime politike specifike sipas vendeve të vendosura bashkërisht

Rekomandimet politike të vendosura për Shqipërinë përqendrohen në ndjekjen e konsolidimit fiskal dhe mobilizimit më të madh të të ardhurave, përmirësimin e transparencës së financave publike dhe planifikimin e investimeve publike. Shqipëria gjithashtu ra dakord të vazhdojë zgjidhjen e kredive me probleme. Autoritetet shqiptare u angazhuan për zbatimin e reformës në drejtësi. Ata gjithashtu ranë dakord të përmirësojnë shërbimet mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të inkurajojnë investimet në turizëm. Shqipëria gjithashtu ra dakord të sigurojë  liberalizimin efektiv të tregut të energjisë, të përmirësojë efiçencën e energjisë dhe të rrisë përdorimin e energjisë së rinovueshme. Së fundmi, autoritetet u angazhuan për të përmirësuar politikat aktive të tregut të punës dhe për të zbatuar reformën e arsimit profesional, për të përmirësuar kapacitetet për vlerësimin e nevojave të kujdesit social dhe për të rritur shpenzimet për arsimimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme.

Masat e reformës të vendosura me Malin e Zi përfshijnë zvogëlimin e borxhit publik dhe shpenzimeve publike për pagat, duke përforcuar qeverisjen buxhetore. Mali i Zi gjithashtu u zotua të zvogëlojë kreditë me probleme, duke përfshirë edhe jashtë sistemit bankar, të përmirësojë mjedisin rregullator për bizneset dhe të luftojë informalitetin. Autoritetet u zotuan të forcojnë masat e aktivizimit të punësimit dhe koordinimin e tyre me shërbimet sociale. Qeveria gjithashtu ra dakord të përmirësojë monitorimin e rezultateve të të nxënit praktik në arsimin profesional dhe atë të lartë.

Rekomandimet e politikave për Bosnje-Hercegovinën përqendrohen në përmirësimin e planifikimit fiskal, duke rritur transparencën e sektorit publik dhe duke përmirësuar statistikat në mbarë vendin. Autoritetet ranë dakord të rrisin investimet publike dhe të përmirësojnë shënjestrimin e përfitimeve sociale. Autoritetet u angazhuan për zgjidhjen e kredive me probleme. U ra dakord të avancohet me ristrukturimin ose privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Autoritetet ranë dakord të thjeshtojnë dhe harmonizojnë procedurat e regjistrimit të bizneseve. Së fundmi, vendi ra dakord të rishikojë pykën tatimore për të inkurajuar punësimin, si dhe të rishikojë politikat e regjistrimit të arsimit për të përmirësuar lidhjet me nevojat e tregut të punës.

Rekomandimet e politikave e ftojnë Turqinë të nxisë kursimet e brendshme, si dhe të përmirësojë politikën fiskale dhe monetare për të ulur inflacionin. Në fushën e reformave strukturore, autoritetet u angazhuan për të forcuar shtetin ligjor dhe për të përmirësuar përpjekjet për reduktimin e numrit të kompanive të mbetura nën kujdestari. Ato gjithashtu u angazhuan për të reduktuar ndikimin e qeverisë mbi çmimet e konsumit. Autoritetet ranë gjithashtu dakord që të punojnë për reduktimin e sektorit joformal, duke përmirësuar regjistrimin parashkollor dhe shkollor, si dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e grave në punë.

Maqedonia e Veriut njohu nevojën për një konsolidim fiskal më ambicioz për stabilizimin e borxhit dhe rritjen e transparencës së financave publike. Autoritetet ranë dakord të zbatojnë strategjitë e fundit për inkurajimin e përdorimit të monedhës vendase dhe zgjidhjen për kreditë me probleme. Ata u angazhuan për të përmirësuar funksionimin e inspektorateve të biznesit, për të krijuar një regjistër të taksave para-fiskale, si dhe për të forcuar kapacitetin e gjykatave civile për trajtimin e mosmarrëveshjeve tregtare. Qeveria gjithashtu ra dakord të inkurajojë formalizimin e ekonomisë. Së fundmi, qeveria ra dakord të zbatojë garancinë për të rinjtë në të gjithë territorin, të modernizojë sistemin arsimor dhe të miratojë ligjin mbi mbrojtjen sociale.

Kosova ra dakord të përfundojë proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës. Autoritetet ranë dakord të sigurojnë që buxheti i vitit 2020 të përputhet me rregullat ekzistuese fiskale, të përmirësojnë mbikëqyrjen financiare të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe të përmirësojnë menaxhimin e projekteve të investimeve publike. Autoritetet u angazhuan për përmirësimin e qasjes në financa. Kosova ra dakord të miratojë incentiva të mëtejshme për efiçencën e energjisë dhe një plan për të përballuar rritjet e pritshme të kostove të energjisë, si dhe për të mbështetur energjitë e rinovueshme. Kosova ra dakord për të inkurajuar formalizimin e ekonomisë. Së fundmi, Kosova ra dakord të rrisë masat aktive të tregut të punës për gratë dhe ofrimin e arsimit profesional për profesionet e kërkuara, si dhe të rrisë investimet në arsim, veçanërisht në arsimin e hershëm në fëmijëri.

Burimi: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/news_corner/news/western-...

Languages:
Seksionet editoriale: