Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fuqia e Rinisë – Pritja e datës 9 maj 2019

Tirana, Albania , 11/05/2019 - 09:04, UNIQUE ID: 190511_1
Speeches of the Ambassador

Më 20 gusht të verës së kaluar, një nxënëse e shkollës së mesme vendosi ta lërë mësimin dhe të ulet para Parlamentit Suedez derisa Marrëveshja e Parisit të zbatohej plotësisht.

Ky veprim i vetëm i një vajze 15 vjeçare nisi lëvizjen më të suksesshme mjedisore globale që ishte parë ndonjëherë. Vetëm gjashtë muaj më pas, lëvizja “Të premtet për të ardhmen” do të mblidhte më shumë se 1.5 milionë nxënës në rrugët e 125 vendeve.

Greta Thunberg është një nga shumë të rinjtë që sjell një urgjencë të re në ballë të ndryshimeve politike.

Një brez që shpesh është i zhgënjyer me mënyrat e vjetra të bërjes së gjërave.

Një brez që është më i arsimuari që ka parë ndonjëherë Evropa e megjithatë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, është një brez që mund të përfundojë në gjendje ekonomike më pak të mirë se prindërit e vet.

Një brez që është i paduruar përballë katastrofës mjedisore, padrejtësive sociale dhe diskriminimit.

Një brez që është gjithashtu i paduruar me Bashkimin Evropian.

Projekti evropian ka qenë gjithmonë i fokusuar tek të rinjtë. Robert Schuman, Deklaratën e të cilit kremtojmë sot, besonte se:

"Ideja e një Evrope të pajtuar, të bashkuar dhe të fortë, duhet të jetë kryefjala e brezave të rinj."

Në shkrimet e tij, ai u dha shkollave një rol thelbësor në luftën kundër shkaqeve të konflikteve territoriale - përmes librave, mësimeve, takimeve dhe udhëtimeve. Në 60 vitet e fundit, Bashkimi Evropian ka punuar për të zbatuar vizionin e Schuman-it.

Është e pamundur të mos përmendet Erasmus - ndoshta programi më i popullarizuar i BE-së, me 10 milionë të rinj që kanë përfituar prej tij.

Erasmus të mundëson të përjetosh drejtpërdrejt si është të jesh evropian. Ai gjithashtu ndërton ura midis Shteteve Anëtare dhe vendeve si Shqipëria. Vetëm në katër vitet e fundit, 3500 studentë shqiptarë kanë marrë pjesë në programet e lëvizshmërisë në kuadrin e Erasmus+ dhe 2000 studentë të huaj kanë ardhur në Shqipëri.

Bashkimi Evropian ka krijuar gjithashtu një Korpus të suksesshëm Evropian të Solidaritetit, nëpërmjet të cilit të rinjtë, përfshirë shqiptarët, mund të bëjnë vullnetarizëm në vendin e tyre ose jashtë tij.

Disa prej nesh janë aq të vjetër sa për të kujtuar një kohë kur Evropa nuk ishte një Bashkim gjithëpërfshirës, ​​por një kontinent i ndarë, ku lëvizshmëria e arsimit nuk ishte e drejtë e të gjithëve, por privilegj i disa të paktëve.

Këto janë arritje unike dhe të jashtëzakonshme, por ne nuk duhet të ndalemi këtu.

Të rinjtë evropianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, janë të paduruar me institucionet e tyre, për shkak të një ndjenje të fortë shkëputjeje.

Ekziston një rrezik i vërtetë i ndarjes së brezave midis të rinjve dhe të vjetërve sa i përket qasjes në vendimmarrje dhe sigurisë materiale.

Këto ndjenja janë burimi i një nevoje në rritje për të kërkuar kushte më të mira jetesë gjetkë, siç ndodh shumë shpesh këtu për të rinjtë shqiptarë. Por edhe brenda BE-së, pavarësisht nga përfitimet e një lëvizjeje pa kufij, një numër në rritje evropianësh të rinj favorizojnë partitë që i kthejnë shpinën projektit evropian.

Në BE dhe në Shqipëri, përgjigjet ndaj këtij fenomeni alarmues duhet të gjenden në strategjitë ambicioze të arsimit dhe në zhvillimin afatgjatë ekonomik. Por është e qartë se si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, veprimi më urgjent është përgjigja ndaj thirrjes për përfshirje që vjen nga brezi i ri.

Le të mos e lemë të jetë një thirrje e humbur. Nevoja për t'i përfshirë ata është më urgjente se kurrë, për të mos rrezikuar përfitimet që ne i marrim si të mirëqena.

Të rinjtë mund të nxisin qeveritë, institucionet, cilindo prej nesh, për të vepruar. Ne kemi nevojë që ata të jenë vazhdimisht të përfshirë në ndërtimin e Evropës së të ardhmes.

Zonja dhe zotërinj,

Sfida e brezit të prindërve tanë ishte të rindërtonte Evropën nga rrënojat dhe shkatërrimi i luftës.

Sfida e brezit tjetër ishte bashkimi i Evropës pas ndarjeve të Luftës së Ftohtë.

Sfida e brezit tonë është t’i rijapë formë një Evrope të bashkuar, elastike dhe të qëndrueshme për të ardhmen. Një Bashkim Evropian që është i kompletuar dhe përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor si Shtete Anëtare.

Siç tha Përfaqësuesja e Lartë / Zëvendëspresidentja jonë Federica Mogherini, gjatë vizitës së saj në Tiranë dje dhe sot: "Në vend të termit zgjerim, më pëlqen të them ribashkim i Ballkanit Perëndimor me Evropën".

Të rinjtë shqiptarë të së sotmes janë qytetarët e BE-së të së nesërmes. Në një vend ku 40% e popullsisë është më e re se 30 vjeç, do të ishte budallallëk që të mos i përfshinim ata në këtë proces. Është rinia e vendit tuaj ajo që do ta çojë atë përpara.

Arsimi është në zemër të këtij ndryshimi. Pa mësues të aftë dhe sisteme edukimi etike shoqëritë tona nuk mund të përparojnë.

Sipas fjalëve të Franklin Roosevelt-it, "Ne nuk mund ta ndërtojmë gjithmonë të ardhmen për rininë tonë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen". Investimi në arsim është jetësor për promovimin e vlerave tona të përbashkëta evropiane të demokracisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe respektit. Arsimi është më shumë se punësim. Ai siguron vlerat që na mundësojnë të jetojmë së bashku.

Por në Tiranë, ashtu si në Bruksel, BE-ja duhet të bëjë më shumë për t'u angazhuar me të rinjtë. Unë e kam bërë bashkëpunimin me ta një prioritet të mandatit tim. Dialogu i strukturuar që Brukseli ka nisur me të rinjtë do të zbatohet edhe në Shqipëri, në bashkëpunim me autoritetet kombëtare. Në fakt, ne kemi filluar tashmë me Javën e Evropës duke përfshirë rreth 35 shkolla të mesme, universitete dhe organizata të fëmijëve.

Ky dialog do të strukturohet nga katër parime:

Angazhimi: Të krijojmë një angazhim të rregullt të BE-së me organizatat rinore për të dëgjuar idetë dhe shqetësimet e tyre rreth integrimit në BE. Që këtë mëngjes, me 9 kolegë të mi ambasadorë, shkëmbyem mendime me 150 të rinj shqiptarë se si ta ngremë këtë Dialog të Strukturuar dhe si t’i trajtojmë çështjet që ata ngritën, siç është edukimi qytetar dhe mbështetja për fëmijët pa kujdes prindëror ose që vijnë nga migrimi në një vend të BE-së.

Lidhja: Të rinjtë mund të jenë forca më e madhe në ndërtimin e komuniteteve. Po mendoj  për vajzat e shkollës së mesme të Rrëshenit të cilat kanë krijuar grupin Let Girls Learn për të mbështetur njëra-tjetrën, apo organizatën joqeveritare rinore “Filizat” në Gostimë që organizon koncerte për të rinj me aftësi të kufizuara - sepse të zbavitesh është gjithashtu një e drejtë! Ne do të nxisim më shumë shkëmbime që lidhin të rinjtë shqiptarë me çështjet e BE-së, por edhe me të rinjtë e Shteteve Anëtare. Suksesi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) në Tiranë dëshmon për nevojën për më shumë shkëmbime ndërkulturore.

Mbrojtja: Çdo fëmijë ka të drejtën për një mjedis të sigurt dhe edukues - pa dhunë, ngacmim apo diskriminim. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë qendrat ku të rinjtë që u përkasin minoriteteve kanë vendosur të mbrojnë njëri-tjetrin, si “Streha” që bën një punë shembullore me komunitetin LGBTI.

Fuqizimi: Duhet të ndërtojmë më shumë mekanizma për t'u dhënë të rinjve një zë. BE-ja mbështet një grup të quajtur “Ekspertët e Rinj Mjedisorë” në Bulqizë, të cilët po nxisin për përfshirje më të madhe në vendimet mjedisore vendore, ndërsa në Dibër një grup të quajtur “Ndryshojmë të Ardhmen” që rrit përfshirjen e të rinjve në qeverisjen vendore. “Bashkitë për Evropën” po bën tashmë një punë fantastike duke nxitur që çështjet e BE-së të diskutohen në nivel vendor.

Zonja dhe zotërinj,

Sot është festa e Evropës, e Shqipërisë dhe e fuqisë së rinisë së tyre.

Urgjencën dhe përkushtimin që Greta Thunberg ka sjellë në luftën kundër ndryshimit klimatik, e shoh çdo ditë në Shqipëri në sytë e të rinjve që takoj.

Pasja e një popullsie të madhe rinore i ofron Shqipërisë një potencial që është pothuajse i pakrahasueshëm me vende të tjera në Evropë.

Ne kemi nevojë për ndihmën dhe zërin e tyre për ta kuptuar si duhet integrimin e Shqipërisë në BE, jo si udhëheqësit e së nesërmes, por si qytetarët e rinj të së sotmes.

Evropa bëri një ndryshim për brezin tim. Ne kemi përfituar nga mundësitë e arsimit jashtë vendit dhe kemi arritur të udhëtojmë lirisht për punë, për argëtim dhe për dashuri.

Bashkimi Evropian u ka mundësuar të rinjve të jenë të pavarur, të jenë të ndryshëm nëse dëshirojnë, si dhe të rriten, si personalisht ashtu dhe brenda komuniteteve të tyre.

Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si shokët e tyre në BE dhe synimi ynë kolektiv duhet të jetë që kjo të ndodhë sa më parë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: