Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Parliament për mekanizmin parlamentar monitorues për ndjekjen e rekomandimeve të /për institucionet e pavarura

Tirana, Albania , 12/04/2019 - 14:23, UNIQUE ID: 190412_8
Speeches of the Ambassador

Parlament, 12 prill, ora 10.00

I dashur Kryetar i Kuvendit, z. Ruçi, deputetë, ministre Spiropali, kryetarë dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura, të dashur ambasadorë dhe kolegë:

Unë jam këtu sot për të shprehur mbështetjen tonë për punën e institucioneve të pavarura, të cilat janë shtylla kurrizore e një shteti dhe shoqërie demokratike. Bashkimi Evropian inkurajon fuqimisht përpjekjet e parlamentit, por edhe të qeverisë, për të përmirësuar koordinimin dhe llogaridhënien në punën e institucioneve të pavarura.

Ne e kemi mirëpritur mekanizmin parlamentar monitorues kur u themelua. Ne gjithashtu kemi marrë parasysh hapat e ndërmarrë për ta forcuar atë në vitin e kaluar. Ne tani kërkojmë dhe presim rezultate më të prekshme dhe publikisht të dukshme. Përpjekje të tilla, të cilat në thelb prekin pothuajse çdo element të arkitekturës shtetërore, kërkojnë angazhim afatgjatë politik dhe teknik.

Me funksionet e tyre të mbikëqyrjes, rregullimit dhe hetimit, institucionet e pavarura janë vendimtare për qeverisjen demokratike dhe mishërimin e vlerave politike të BE-së. Roli i tyre në ruajtjen e ekuilibrit të pushteteve, një sistemi ligjor të shëndetshëm që zbatohet si duhet, si dhe një administrate publike përgjegjëse nuk mund të ekzagjerohet.

Si rezultat, institucionet e pavarura janë të rëndësishme për të përparuar me prioritetet kryesore të reformës për të cilat Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord dhe të cilat ne i mbështesim dhe i monitorojmë. Një rëndësi e tillë reflektohet në rolin që institucionet e pavarura kanë për dialogun tonë politik me Shqipërinë, si dhe në ndihmën tonë ndaj vendit.

Ndërsa është arritur shumë progres, mbeten ende sfida të rëndësishme. Për disa vite, Raportet Vjetore të Komisionit Evropian kanë deklaruar se Shqipëria duhet të forcojë më tej kapacitetin dhe profesionalizmin e institucioneve të pavarura. Kjo përfshin nevojën për të adresuar boshllëqet në kornizën legjislative, strukturën institucionale, si dhe buxhetet dhe burimet njerëzore. Misionet shqyrtuese të kolegëve, si dhe projektet tona të ndihmës kanë rekomanduar dhe mbështetur përmirësimin e pavarësisë dhe performancës së tyre. Ndjekja e rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga pushtetet legjislative dhe ekzekutive është çelësi që kjo të ndodhë.

Më lejoni ta mbyll duke përsëritur se ne e përshëndesim dhe presim rezultate të vazhdueshme nga kjo përpjekjeje. Ne ju inkurajojmë që të ruani një qasje gjithëpërfshirëse në këtë proces, për të siguruar monitorim transparent, si dhe për të qenë edhe më ambiciozë. Këto përpjekje do të çojnë përfundimisht në përmirësimin e debatit për propozimet, në legjislacion më të mirë dhe në forcimin e zbatimit.

Ajo çka ne po diskutojmë këtu sot nuk janë koncepte abstrakte politike. Institucionet e pavarura sigurojnë garanci vendimtare për shtetin e së drejtës, si dhe për të drejtat politike, qytetare dhe ekonomike, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Faleminderit!

 

Languages:
Seksionet editoriale: