Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Mblidhet në Tiranë, më 10 prill, Grupi i Posaçëm BE-Shqipëri për Reformën e Administratës Publike

Tirana, Albania , 11/04/2019 - 12:36, UNIQUE ID: 190411_8
Press releases

Takimi i 8-të i Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike për Shqipërinë u zhvillua më 10 prill në Tiranë. Takimi u bashkëkryesua dhe u hap nga z. Erion Braçe, Zëvendëskryeministër dhe z. Georg Ziegler, Zëvendësshef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian. Fjalime hyrëse u mbajtën edhe nga Ambasadori Soreca, Shef i Delegacionit të BE-së dhe disa ministra të qeverisë shqiptare. Zëvendëskryeministri Braçe përsëriti angazhimin e qeverisë për të ndjekur reformën e administratës publike dhe për të luftuar korrupsionin dhe ndikimin e partive në rekrutimet në shërbimin civil. Ambasadori Soreca theksoi rëndësinë e një administrate publike të qëndrueshme dhe të aftë, si shtyllë kurrizore e shtetit, si dhe rolin e saj kyç në procesin e anëtarësimit në BE.

Pjesëmarrësit diskutuan zhvillimet kryesore dhe prioritetet kyçe në gjashtë fushat kryesore të reformës së administratës publike, duke përfshirë menaxhimin e financave publike, decentralizimin dhe qeverisjen vendore, zhvillimin dhe koordinimin e politikave, reformën e shërbimit civil, ofrimin e shërbimeve dhe llogaridhënien. Pala e BE-së e përshëndeti progresin e bërë në disa fusha, si përmirësimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, futja e vlerësimit të ndikimit rregullator për politika dhe ligje më të mira, organizimi i rekrutimeve të centralizuara përmes testimeve në internet dhe mundësitë më të fokusuara të trajnimit për shërbimin civil.

Pala e BE-së e inkurajoi administratën publike shqiptare për të përmirësuar cilësinë e planifikimit të politikave, monitorimin dhe zbatimin duke shpërndarë burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në administratë për të mundësuar një zbatim më të mirë të politikave. Duhet të bëhet më shumë për ngritjen e një sistemi të politikëbërjes që të jetë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës për aktorët përkatës. Pala e BE-së theksoi se një administratë mirëfunksionuese duhet të mbështetet jo vetëm te një administratë qendrore, por po aq edhe te një administratë vendore e fortë. Agjenda e decentralizimit duhet të avancohet, si në aspektin e legjislacionit ashtu dhe në atë të financave. Pala e BE-së u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të trajtojnë numrin e madh të vendimeve gjyqësore të pazbatuara lidhur me largimet e paligjshme nga puna të punonjësve publikë dhe nëpunësve civilë.

U diskutuan sfidat e ristrukturimit të vazhdueshëm të organeve në varësi të ministrive, zyrës së Kryeministrit dhe Parlamentit dhe pala e BE-së përsëriti rëndësinë e hartimit të një strategjie afatgjatë për procesin e ristrukturimit. Gjatë gjithë takimit, pala e BE-së theksoi nevojën për të forcuar kapacitetin e administratës publike për të adresuar më mirë shpresat e qytetarëve dhe për t'u përballur me sfidat e shumta në procesin e anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian u angazhua që të vazhdojë ta ndihmojë Shqipërinë për të ruajtur progresin e mirë dhe vrullin në reformën e administratës publike.

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: