Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në Takimin e Grupit Special për Reformat e Administratës Publike (RAP)

Tirana, Albania , 10/04/2019 - 14:48, UNIQUE ID: 190410_5
Speeches of the Ambassador

Grupi Special për Reformat e Administratës Publike (RAP)

Qytetarët meritojnë qasje në shërbime me cilësi të mirë; bizneset meritojnë të ndihmohen në përpjekjet e tyre për të krijuar vende pune dhe rritje ekonomike; fëmijët dhe të rinjtë meritojnë qasje në arsim cilësor dhe mundësi të mira për të qëndruar në këtë vend....

Mund të vazhdojmë me një listë të gjatë për të cilën të gjithë mund të pajtohemi lehtësisht, por pika për të cilën duhet të pajtohemi vërtet sot është se administrata publike duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së këtyre çështjeve dhe jo pjesë e problemit. Pasja e një administrate publike që di të identifikojë prioritetet, të përpunojë zgjidhje dhe t'i zbatojë ato në praktikë, është një nga prioritetet kyçe që Shqipëria të përparojë në udhën drejt integrimit evropian.

Administrata publike është shtylla kurrizore e shtetit dhe makineria që mund t’i bëjë realitet planet e qeverisë. Plani Kombëtar për Integrim Evropian duhet të jetë, për shembull, harta që e udhëzon administratën shqiptare në rrugën komplekse të përafrimit drejt acquis evropiane: ai duhet të jetë një plan mjaftueshëm realist dhe gjithëpërfshirës që të zbatohet në tërësi dhe në kohën e duhur nga e gjithë administrata shqiptare.

Menaxhimi i shëndetshëm i financave publike mund të shihet si karburanti që i mundëson makinerisë të funksionojë mirë. Planifikimi dhe shpenzimi i shëndetshëm i fondeve publike nuk është një qëllim në vetvete. Ato janë të domosdoshme për të ofruar shërbimet më të mira të mundshme në një mjedis me burime të kufizuara - sepse kurrë nuk do të ketë para të mjaftueshme për të bërë gjithçka në të njëjtën kohë. Duhet të kuptohet qartë se të gjithë kanë një rol për të luajtur në këtë proces! Kjo përfshin çdo ministri të linjës, çdo bashki, institucionet e pavarura, por edhe Parlamentin që mbikëqyr planifikimin dhe përdorimin e buxhetit të shtetit, dhe së fundi, por jo më pak, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët e Shqipërisë.

Përvojat me zgjerimet e mëparshme kanë treguar rëndësinë e pasjes së një administrate të fortë, si gjatë procesit të gjatë dhe të vështirë të shqyrtimit ashtu edhe - më e rëndësishmja - kur duhet të menaxhohet një rrjedhë substanciale e fondeve strukturore. Megjithatë, riorganizimi i kohëve të fundit i ministrive nuk ka arritur ende rezultatet e pritura në drejtim të përmirësimit të administratës shqiptare për të dhënë rezultate

Qeveritë vendore janë pjesë e të njëjtit ekuacion; ato janë instrumente kyçe, si niveli i qeverisjes më afër qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike dhe përmbushjen e nevojave të tyre. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm deri tani, sidomos me reformën administrative-territoriale, por procesi i decentralizimit duhet të avancohet dhe të mbështetet edhe më tej, si në aspektin e legjislacionit ashtu edhe të financave, nëse në fund të fundit bashkitë duan t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë efektive dhe efikase.

Në vitin 2017 janë dhënë disa rekomandime në Grupin e fundit Special për RAP. Diskutimet e sotme do të na tregojnë se sa keni përparuar me to. Por, edhe më e rëndësishmja, ne duhet të biem dakord për rrugën e ardhshme për të vazhduar përparimin në drejtim të reformave.

Shqipëria ka bërë në fakt një rrugë të gjatë: gjatë viteve të fundit janë miratuar disa ligje të rëndësishme: Ligji për Shërbimin Civil, Kodi i Procedurave Administrative, Ligji për Buxhetin Organik, Ligji për të Drejtën e Informimit dhe Ligji për Konsultimet Publike. Janë bërë përpjekje të mira për t’u ofruar shërbime më të mira qytetarëve. Ju keni filluar të vlerësoni ndikimin ekonomik dhe social të ligjeve të reja të propozuara në Kuvend.

Tani duhet të vazhdojmë në drejtimin e duhur. Dua të theksoj në mënyrë të veçantë disa prioritete për veprim:

  • Ruajtja e një rekrutimi të hapur dhe transparent të nëpunësve civilë - duke shmangur përdorimin e mënyrave të shpejta;
  • Vazhdimi i reformës së administratës shtetërore - në veçanti i agjencive dhe institucioneve të varësisë;
  • Zbatimi i Kodit të Procedurave Administrative në të gjithë fushën;
  • Përdorimi i konsultimeve publike si një mjet i vërtetë për hartimin e politikave dhe për të promovuar pjesëmarrjen e qytetarëve;
  • Përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike – zbatimi në praktikë i rregullave në letër në të gjitha ministritë dhe reduktimi i fragmentimit ekzistues;
  • Dyfishimi i përpjekjeve për decentralizim, duke u mundësuar bashkive që të kenë burime adekuate për të kryer detyrat e tyre.   

Sërish, mund të vazhdonim me një listë të gjatë... por këto janë temat kryesore për të cilat dëshiroja t’ju sinjalizoja. Ju uroj një ditë të shkëlqyer pune dhe diskutimesh!

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: