Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit

Tirana, Albania, 05/04/2019 - 15:23, UNIQUE ID: 190405_8
Statements on behalf of the EU

Drejtoreshë Hoxha,

Autoritete të shquar, të dashur të ftuar dhe kolegë,

Jam jashtëzakonisht e kënaqur që marr pjesë në këtë ceremoni mëngjesin e sotëm dhe shoh krijimin e "Qendrës së re Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile".

Asnjë shoqëri nuk është e fortë dhe e qëndrueshme mjaftueshëm pa u mbështetur në komunitete të hapura dhe pjesëmarrëse.

Për këtë arsye, BE-ja mbështet dhe investon në rolin e shoqërisë civile brenda dhe përtej kufijve të saj.

Qeverisja e mirë është një kërkesë kyçe politike për çdo shtet që të bashkohet me Bashkimin Evropian.

Qeverisja e mirë ka të bëjë edhe me nivelin e angazhimit të shoqërisë civile dhe me pjesëmarrjen e strukturuar në dialogët mbi reformat.

Promovimi aktiv i rolit të shoqërisë civile është një shtyllë kyçe e BE-së, e cila i jep prioritet partneriteteve dhe investimeve në ndërtimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të shoqërive.

Qytetarët, dhe në përgjithësi shoqëria civile, duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë vazhdimisht në politikë-bërje dhe në proceset legjislative, si dhe të monitorojnë nga afër zbatimin e politikave që prekin qytetarët.

Krijimi i kësaj qendre të re përfaqëson qartë një hap tjetër në forcimin e një angazhimi të tillë të shoqërisë civile.

Në të njëjtën kohë, më lejoni të kujtoj se me mundësitë vijnë edhe përgjegjësitë!

Ne besojmë se organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri do të shfrytëzojnë çdo mundësi për të rritur pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë, jo si një zë i largët, larg veprimit, por si aktore të përgjegjshme, të vetëdijshme, të informuara dhe efektive.

Ne besojmë në gatishmërinë tuaj, si shoqëri civile, për të shfaqur një përkushtim të tillë, besueshmëri dhe përgjegjësi të qëllimeve.

Besueshmëria vjen nga aftësia për të pasqyruar mendimet e ndryshme të segmenteve të ndryshme të popullsisë në Shqipëri.

Ka shumë shembuj gjatë tri dekadave të fundit në Shqipëri, ku shoqëria civile ka luajtur një rol vendimtar në gjenerimin e ndryshimeve përmes angazhimit dhe dialogut me qytetarët (si lëvizja kundër armëve kimike apo lëvizjet qytetare për mbrojtjen e lumenjve anembanë vendit, për të përmendur vetëm disa shembuj).

Ju, si shoqëri civile, e dini shumë mirë se sa më e fortë është aleanca me elektoratin tuaj, aq më të fuqishme mund të rriteni ju dhe të bëheni efektive në informimin e politikë-bërjes.

Sa më të fortë të rriteni, aq më mirë do ta mbroni hapësirën demokratike për qytetarët shqiptarë.

Thirrja dhe inkurajimi për punën tuaj sigurisht vjen me një kujtesë të qartë për qeverinë, institucionet dhe aktorët politikë.

Vlerat bazë të BE-së përfshijnë gjithashtu aftësinë e qeverisë për të marrë në konsideratë dhe për të pranuar kontribute nga shoqëria civile, aq më shumë kur ato vijnë në formë kritike të dobishme.

Prandaj është e rëndësishme që qeveria dhe autoritetet në Shqipëri të krijojnë një hapësirë të hapur dhe të sigurt për dialog me shoqërinë civile në të gjitha nivelet.

Është e rëndësishme që mjedisi legjislativ dhe fiskal për shoqërinë civile të përmirësohet në mënyrë që të arrijmë me sukses një shoqëri civile të fuqishme dhe të gjallë.

Pritet shumë që të gjithë aktorët në pozita vendimmarrëse të angazhohen në mënyrë proaktive në një dialog të gjerë me shoqërinë civile, në nivel qendror dhe vendor në mënyrë të barabartë, si dhe të përfitojnë nga kontributet e tyre në çështjet e integrimit në BE dhe më gjerë.

Më e rëndësishmja, ky dialog nuk duhet të mbetet me dyer të mbyllura.

Shoqëria civile dhe qeveria duhet ta shohin njëra-tjetrën më shumë si partnerë sesa si kundërshtarë në udhën drejt integrimit në BE.

Komisioni Evropian vazhdimisht nënvizon rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në një demokraci pjesëmarrëse dhe thekson nevojën për të bërë përpjekje të mëtejshme "për të thelluar lirinë e asociimit, për të krijuar korniza rregullatore dhe stimuj publikë për zhvillimin e organizatave të shoqërisë civile si një zë i pavarur".

Kështu, është përgjegjësi e qeverive dhe e institucioneve evropiane që të sigurojnë që roli dhe influenca e organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të aktivistëve të forcohet dhe të bëhet efektiv, si dhe të kultivojë vazhdimisht aleanca me qytetarët e Shqipërisë.

Krijimi i Qendrës Kombëtare Burimore në Shqipëri është një mundësi e shkëlqyer dhe do të shërbejë si një platformë dhe si një mjet për të rritur më tej përpjekjet dhe kapacitetet e shoqërisë civile në Shqipëri.

Përmes Qendrës Burimore do të arrihet dhe do të mbështetet për të forcuar kapacitetet e veta shoqëria civile, në veçanti në nivel vendor, si dhe grupe të ndryshme informale dhe aktiviste.

Qendra Burimore rrit më tej ndërgjegjësimin dhe informacionin e bazuar në kërkime mbi çështjet kyçe të zhvillimit të mjedisit të përshtatshëm për zhvillimin e OSHC-ve

Qendra Burimore do të mbështesë rrjetëzimin e shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe rajonal përmes bashkëpunimit të ngushtë me programe dhe iniciativa të tjera që po ndodhin.

Angazhimi juaj si shoqëri civile duhet të jetë në zemër të çdo procesi reformash në vendin tuaj.

Integrimi në BE nuk është një proces për korridoret e pushtetit të lartë - nëse nuk përfshin të gjithë shoqërinë ai nuk mund të realizohet. Ne e dimë nga anëtarësimet e mëparshme se ndryshimi ndodh me të vërtetë vetëm kur bëhet kjo dhe kur perceptohet pikërisht në nivel vendor.

Ju si shoqëri civile jeni në një pozicion të përkryer për ta bërë këtë, krahas qeverisë vendore dhe aktorëve të tjerë.

Qendra Burimore kontribuon për përmirësimin e imazhit publik dhe të besimit në shoqërinë civile duke rritur transparencën dhe llogaridhënien, si dhe proceset e ndërsjella konsultative me elektoratin.

Ne besojmë se një mbështetje e tillë do t’i mundësojë shoqërisë civile të luajë një rol themelor për t’i ndihmuar qytetarët e Shqipërisë si një vend në proces zgjerimi, jo vetëm për t'u bërë të vetëdijshëm për vlerat e përbashkëta evropiane, por edhe për t’i diskutuar dhe promovuar në mënyrë aktive këto vlera.

Forumi i sotëm është gjithashtu një mundësi dhe një moment i mirë për të reflektuar se si BE-ja mund të bëhet më strategjike në mbështetjen e shoqërisë civile në Shqipëri.

Ju uroj një vazhdim të suksesshëm të kësaj veprimtarie, ju falënderoj shumë për vëmendjen tuaj dhe shpresoj shumë të mësoj më vonë mbi rezultatet e diskutimit tuaj strategjik.

 

Languages:
Seksionet editoriale: