Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjaimi i Ambasadorit Soreca në ceremoninë e përurimit të "Programit Rural III të Furnizimit me Ujë në Shqipëri".

Tirana, Albania, 04/04/2019 - 10:47, UNIQUE ID: 190404_5
Speeches of the Ambassador

I dashur Kryeministër, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, i dashur Ambasador dhe përfaqësues të KfW-së,

Pak ditë më parë, më 22 mars, ne kremtuam Ditën Botërore të Ujit me parullën "Ujë për të Gjithë". Kjo ka një rezonancë të veçantë me veprimtarinë e sotme. Programi rural i furnizimit me ujë që po prezantojmë këtu sot ka të bëjë në mënyrë specifike me çuarjen e ujit të pijshëm për gjithë qytetarët në Shqipëri.

Ceremonia e sotme e përurimit nuk është thjesht një tjetër projekt që çelet. Ai është një tjetër shembull i suksesshëm i partneritetit evropian mes një shteti anëtar, Gjermanisë dhe BE-së. Një shembull i institucioneve që bashkojnë forcat për të adresuar një nga nevojat më bazike dhe më themelore të çdo qenieje njerëzore: qasje në ujë të pijshëm të besueshëm dhe të sigurt.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, BE-ja dhe Gjermania kanë zbatuar së bashku tre programe të mëdha të ujit në Shqipëri - duke marrë më shumë se 100 milionë Euro investime. Nga nesër, me mbështetjen shtesë të Zvicrës, ne do të punojmë së bashku për programin më të madh të ujit në historinë e Shqipërisë, në dobi të më shumë se 11 bashkive.

Kjo është BE-ja që punon sa më mirë që mundet, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe duke e mbështetur Shqipërinë në reformat që janë të domosdoshme për integrimin e saj në BE.

Por më shumë se kaq:

Ky është një shembull i shkëlqyer se si mbështetja e BE-së shkon përtej qyteteve për të shënjestruar pjesët rurale të Shqipërisë – ata fshatra të largët dhe qytetarët që jetojnë dhe punojnë në mjedise të bukura por sfiduese. Kjo mbështetje do të shkojë në dobi të rreth 7,000 banorëve në Prrenjas dhe 85,000 njerëzve gjithsej.

Shërbimet e mira të furnizimit me ujë sjellin përfitime shëndetësore dhe sociale për popullsitë rurale. Ato mbështesin zhvillimin ekonomik në fshatrat rurale, si duke ruajtur aktivitetet jetësore, duke i bërë ato më tërheqëse për turistët, ashtu dhe duke lehtësuar tërësisht investimet e reja vendore. Ato mbështesin edhe brezat e rinj që të rrinë në vend duke siguruar jetë komode dhe atraktive, mundësi dhe vende pune potenciale.

Investime të tilla krijojnë edhe kushte më të mira për të promovuar kulturën, traditat dhe bukuritë natyrore, si p.sh., Parku Kombëtar i Jabllanicës këtu pranë - për zhvillimin ekonomik dhe social të këtij rajoni.

Ashtu si ushqimi që ka nevojë të ruhet dhe çatitë të riparohen para një dimri të vështirë, një sistem solid menaxhimi duhet krijuar që në fillim të projektit për të shmangur mbetjen pa ujë atëherë kur ju duhet.

Sigurimi i shtëpisë është një përgjegjësi familjare, ndërsa drejtimi i një sistemi të furnizimit me ujë është një detyrë kolektive dhe shumë më e vështirë...

Mesazhi im është që Prrenjasi dhe 82 fshatrat e tjera, 10 bashkitë, shërbimet bashkiake në fjalë, institucionet kombëtare, si dhe 85,000 banorët, duhet të angazhohen kolektivisht për të ndërtuar një menaxhim të fortë dhe të qëndrueshëm për sistemet e reja të ujit që do të ndërtohen.

Përndryshe, ndihma që BE-ja dhe Gjermania po sigurojnë, të cilën po e kremtojmë sot, mund të humbasë deri në kohën kur fëmijët tuaj të rriten.

Prandaj, të gjithë aktorët duhet të reflektojnë mbi këtë aspekt, si dhe për vetë veprat. Unë u bëj thirrje bashkive dhe ndërmarrjeve të përmirësojnë menaxhimin e tyre, institucioneve kombëtare t’i mbështesin këto shërbime, dhe të gjithë banorëve që të kontribuojnë në diskutim. Përgatituni për të bërë pjesën tuaj duke kontribuar në menaxhimin dhe koston e drejtimit të një sistemi të mirë të furnizimit me ujë dhe infrastrukturave, në mënyrë që ai t’ju shërbejë jo vetëm juve, por edhe brezave që do të vijnë.

Në sytë e mi, të shoh fillimin e punimeve të ndërtimit sot nuk ka të bëjë me makineritë apo materialet në terren, por si kontribuon konkretisht ndihma e BE-së për ta sjellë jetën e shqiptarëve më pranë asaj të bashkëqytetarëve të tyre në BE.

Unë pres që të kthehem dhe t’i shoh punimet të përparojnë me shpejtësi! Ambicia ime është që pas shumë vitesh, një pasardhës imi të vijë dhe të mund të bëhet dëshmitar i infrastrukturave të ujit në gjendje të shkëlqyer, si dhe i një fshati të gjallë dhe të begatë.

Faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj!

 

Languages:
Seksionet editoriale: