Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në "Seminarin për Konsultimin e Strategjisë së Menaxhimit Financiar Publik"

Tiranë, Shqipëri, 13/03/2019 - 15:13, UNIQUE ID: 190313_11
Speeches of the Ambassador

"Reforma e Menaxhimit Financiar Publik" është sigurisht një temë thelbësore për ekonomistët, kontabilistët, auditorët; por mund t’i tingëllojë tepër e thatë dhe shumë teknike gjithë të tjerëve. Mendoj se duhet ta ndryshojmë këtë.

Mënyra se si një qeveri i shpenzon paratë e veta ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kjo nis me zgjedhjet politike që duhet të përkthehen në buxhete kombëtare dhe vendore. Dhe pastaj vjen pjesa më e vështirë, zbatimi i duhur për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme dhe për të ofruar shërbime cilësore për çdo qytetar.

Menaxhimi Financiar Publik ka të bëjë me shërbime më të shumta dhe më të mira.

Dje pata kënaqësinë të flas në veprimtarinë përmbyllëse të një prej projekteve tona doganore dhe dëshiroj të theksoj disa nga mesazhet edhe këtu sot.

Planifikimi i shëndoshë dhe shpenzimi i fondeve publike nuk është një qëllim në vetvete. Ato janë të domosdoshme për të ofruar shërbimet më të mira të mundshme në një mjedis me burime të kufizuara - sepse kurrë nuk do të ketë para të mjaftueshme për të bërë gjithçka menjëherë.

Kjo është pikërisht arsyeja pse ne e konsiderojmë Menaxhimin Financiar Publik të shëndetshëm si pjesë përbërëse të çdo Reforme të Administratës Publike. Dhe siç e dini, Reforma e Administratës Publike është një përparësi kyçe në udhën e anëtarësimit në BE për Shqipërinë. Një administratë që funksionon dhe jep shërbime cilësore është një kusht thelbësor për çdo vend kandidat për të hyrë në BE.

Mesazhi im kryesor sot është se Reforma e Menaxhimit Financiar Publik nuk është vetëm punë e Ministrisë së Financave.

Natyrisht që Ministria e Financave e kryeson procesin dhe ne e mirëpresim seminarin e sotëm të konsultimit.

Ministria e Financave vendos gjithashtu rregullat dhe procedurat, me fjalë të tjera përcakton kriteret dhe kufijtë e asaj që duhet bërë, që mund të bëhet dhe çfarë nuk mund të bëhet.

Por, të gjithë kanë një rol për të luajtur! Kjo përfshin çdo ministri të linjës, çdo bashki dhe institucionet e pavarura – po mendoj, për shembull, për Komisionin e Prokurimeve Publike dhe Institucionin e Kontrollit të Shtetit të Shqipërisë; por edhe për Parlamentin që mbikëqyr planifikimin dhe përdorimin e buxhetit të shtetit; dhe së fundi, por jo më pak të rëndësishme, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët e Shqipërisë.

Paratë publike janë paratë e taksapaguesve. Çdo taksapagues ka të drejtë të kërkojë që paratë e tij apo të saj të shpenzohen mirë.

Duke marrë një shembull konkret: për shembull, politikanët vendorë që premtojnë të ndërtojnë një rrugë të re. Cikli i Menaxhimit Financiar Publik nis me përfshirjen e këtij premtimi në planet kombëtare dhe sektoriale duke vlerësuar kostot dhe përfitimet e kësaj rruge.

Meqë jo çdo gjë mund të bëhet menjëherë, është e rëndësishme të përcaktoni prioritetet dhe të zgjidhni – rrjedhimisht reformat duhet të vihen në radhë.

Hapi tjetër është pasqyrimi i planit të sektorit në buxhet. Sepse aty ku nuk ka fonde të caktuara për të arritur objektivat, objektivat thjesht nuk do të arrihen.

Pastaj, planifikimi dhe menaxhimi i investimeve publike, si dhe rregullat e prokurimit garantojnë, ose të paktën duhet të garantojnë, se është përzgjedhur projekti, ofertuesi dhe mënyra më e mirë e mundshëm e financimit për ndërtimin e rrugës. Cilësia dhe kostot kanë rëndësi - para dhe gjatë zbatimit aktual.

Së fundi, monitorimi dhe auditimi - të kryera ose nga brenda ose nga jashtë - janë gurë themeli kyç të llogaridhënies dhe mund të ofrojnë mësime të rëndësishme për përmirësime.

Nëse të gjitha këto nuk bëhen, rruga e premtuar nuk do të ndërtohet me koston e duhur, me cilësinë e duhur dhe në një afat kohor të duhur. Ose nuk do të ndërtohet fare.

Kontributi juaj sot do të jetë thelbësor për të përcaktuar prioritetet dhe renditjen e Reformës së Menaxhimit Financiar Publik për katër vitet e ardhshme. Ju uroj diskutime dhe reflektime të frytshme!

Languages:
Seksionet editoriale: