Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në evenimentin lançues të BERZH për Financimin e Energjisë së Gjelbër në Shqipëri

Tiranë, Shqipëri, 12/03/2019 - 16:16, UNIQUE ID: 190312_22
Speeches of the Ambassador

E dashur Ministre Denaj,

Të dashur kolegë të BERZH-it,

Të dashur partnerë,

Efiçenca e energjisë shpesh përshkruhet si burimi më i madh energjetik i BE-së. Reduktimi i përdorimit të energjisë është mënyra më konkurruese, me kosto efektive dhe gjerësisht e disponueshme për të ulur emetimet. Ajo ndihmon rritjen ekonomike dhe rrit sigurinë e energjisë pasi zvogëlon varësinë tonë nga burimet e huaja të energjisë. Kjo është arsyeja pse BE-ja i ka vendosur vetes objektiva ambicioze për kursimin e energjisë për vitin 2020 dhe 2030 dhe pse parimi "në fillim efiçenca e energjisë" është në zemër të “Unionit të Energjisë” të Komisionit.

Me fondin që po prezantojmë sot, Bashkimi Evropian tregon angazhimin e tij për të zbatuar Unionin e Energjisë në Shqipëri, si dhe për ta bërë ekonominë e saj më të gjelbër në dobi të të gjithë qytetarëve.

Falë Bashkimit Evropian, Ballkani Perëndimor do të kontribuojë për të arritur 1.6 teravat orë në vit kursime të energjisë. Kjo mund të mos ju duket shumë, por është ekuivalenti i më shumë se 4 muajve konsumi të energjisë elektrike për të gjithë Shqipërinë në vit.

Në këtë proces ne kemi etiketuar 36 "Banka të Gjelbra" në të gjithë Ballkanin Perëndimor - që do të thotë se u kemi ofruar atyre instrumentet, konsulentët dhe ekspertizën që t'ju shërbejnë me kredi "të gjelbra".

Koordinimi i shkëlqyer i përpjekjeve me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, institucionet financiare ndërkombëtare, donatorët bilateralë, shoqërinë civile dhe sigurisht, me ministrat e energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e kanë mundësuar këtë rezultat mbresëlënës. Të punuarit së bashku ka qenë vërtet praktika më e mirë për të shmangur mbivendosjet dhe për të identifikuar boshllëqet që duhet t’i mbulojmë së bashku.

Stimujt monetarë natyrisht që janë shumë të rëndësishëm për të stimuluar investimet në efiçencën e energjisë. Por qeveria shqiptare duhet të përqendrohet gjithashtu në reformimin e legjislacionit kombëtar në përputhje me acquis e BE-së, reformimin e tregut të energjisë, krijimin e një tregu për shërbimet e energjisë dhe ngritjen e një fondi për efiçencën e energjisë.

Ngritja e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë në vitin 2016 ishte një hap i parë shumë i mirë. Ne po e mbështesim tani Agjencinë përmes asistencës teknike për të rritur kapacitetet e saj. Megjithatë, qeveria shqiptare do të duhet të investojë më shumë në infrastrukturë të qëndrueshme dhe të inkurajojë teknologji novatore të gjelbra.

Fondi për Financimin e Energjisë së Gjelbër i BERZH-it, që po prezantojmë sot, është një pjesë thelbësore e problemit. Përmes Programit Rajonal të Efiçencës së Energjisë (REEP Plus), BE-ja po e mbështet fondin për të nxitur investimet në efiçencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme në Shqipëri dhe në rajon. Po përqendrohemi tek "arra më e fortë për t’u thyer", pra, tek investimet për efiçencën e energjisë në sektorin e banesave. Për të rritur shanset për sukses, Fondi për Financimin e Energjisë së Gjelbër kombinon linja kredie në bankat partnere vendore me asistencë të konsiderueshme teknike, si dhe me stimuj investimesh.  

Kontributi i BE-së që fokusohet në sektorin e rezidencial do të ndihmojë për të sjellë 85 milionë euro hua për "efiçencën e energjisë" në rajon, nga të cilat 9 milionë janë caktuar vetëm për Shqipërinë.

Kjo do t'u mundësojë qytetarëve të Shqipërisë të modernizojnë dritaret, dyert dhe bojlerët e tyre, si dhe të investojnë në teknologji që do të sigurojnë kursime energjie për ekonomitë familjare. Nuk ka si të jetë më konkrete se kaq. Nëse jetoni në një banesë individuale dhe dëshironi të merrni një hua për rinovime që kursejnë energji, kredia e BERZH-it do ta bëjë atë 15-20% më lirë.

Në gjithë Ballkanin Perëndimor, Fondi për Financimin e Energjisë së Gjelbër pritet të shkurtojë më shumë se 21,000 ton CO2 në vit. Ai do të japë një kontribut të rëndësishëm për Planet Kombëtare të Veprimit për Efiçencën e Energjisë, si dhe do të ndihmojë për reduktimin e emetimeve. Ne vlerësojmë se do të përfitojnë rreth 30,000 familje në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ketë gjithashtu efekt të konsiderueshëm në fuqinë blerëse, pasi të paktën 50% e popullsisë në rajon shpenzon më shumë se 10% të të ardhurave të saj neto për energji.

Unioni i Energjisë ishte një nga 10 prioritetet e Komisionit Juncker. Ai ka dhënë rezultate përtej pritshmërive gjatë 5 viteve të fundit. Ne duhet ta kapim këtë moment për ta përfshirë Ballkanin Perëndimor në këtë tranzicion shoqëror. Intensiteti i energjisë në Ballkanin Perëndimor është tepër i lartë në krahasim me BE-në, por kjo do të thotë gjithashtu se potenciali i efiçencës së energjisë këtu është i pakrahasueshëm.

Para një viti ne miratuam strategjinë për Ballkanin Perëndimor dhe premtuam ta zgjeronim Unionin e Energjisë në të gjitha dimensionet e tij në rajon. Prezantimi i Fundit të Financimit të Energjisë së Gjelbër sot është një hap i rëndësishëm përpara. Ai tregon se BE-ja po jep rezultate në angazhimin e saj për rajonin.

Pra, së bashku, le ta zbatojmë plotësisht Unionin e Energjisë në Ballkanin Perëndimor, për mundësitë e punësimit të ofruara nga ekonomia e gjelbër, për hir të mjedisit dhe sigurisht në të mirë të brezave tanë të ardhshëm.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: