Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Takimi i Nënkomitetit të 10-të BE-Shqipëri mbi Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal

Tiranë, Shqipëri, 07/03/2019 - 19:30, UNIQUE ID: 190308_25
Press releases

 

Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) dhe Shqipëria, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë u takuan më 7 mars 2019 në Tiranë për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe mbi përafrimin e legjislacionit të vendit me acquis e BE-së në fushat e transportit, energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike e zhvillimit rajonal.

Takimi u kryesua për Shqipërinë nga z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe për Delegacionin e BE-së nga z. Detlev Boeing, koordinator i MSA-së dhe pikë ndërlidhjeje në Njësinë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Në lidhje me ndërlidhjen Komisioni ka vënë re njëfarë progresi që pas Samitit të Londrës. Shqipëria vazhdon t’i mbështesë aktivisht aktivitetet e WB6, duke përfshirë Agjendën e Ndërlidhjes dhe masat përkatëse të reformës. BE-ja i bëri njëkohësisht thirrje Shqipërisë të shtojë përpjekjet për zbatimin e masave të reformës së ndërlidhjes në fushat e transportit dhe energjisë.

Në lidhje me transportin, Shqipëria raportoi mbi masat e fundit që synojnë të përmirësojnë infrastrukturën rrugore. Komisioni rikujtoi nevojën për përpjekje të vazhdueshme për rrugë më të sigurta dhe zhvillimin e sistemeve inteligjente të transportit në transportin rrugor. Shqipëria është plotësisht e angazhuar që të vazhdojë me miratimin e legjislacionit zbatues të Kodit të Hekurudhave dhe krijimin e autoriteteve hekurudhore. Komisioni njohu disa përmirësime në sigurinë ajrore dhe në menaxhimin e trafikut ajror. Shqipëria duhet t'i kushtojë vëmendje të veçantë përmirësimit të cilësisë së anijeve nën flamurin e saj.

Në lidhje me energjinë, Komisioni vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për tranzicionin e energjisë së pastër, siç u konfirmua në takimin e fundit të Ministrave të WB6 për Energjinë dhe Mjedisin në Podgoricë. Megjithatë, reforma e sektorit të energjisë elektrike duhet të përshpejtohet. Progresi i mirë në sektorin e gazit duhet të pasohet me forcimin e kapaciteteve administrative dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018-2030 duhet të ishte harmonizuat më mirë me angazhimet në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit mbi Ndryshimet Klimatike. Komisioni e nxiti Shqipërinë që të përshpejtojë harmonizimin e legjislacionit të saj mbi efiçencën e energjisë, duke respektuar detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Komisioni përshëndeti përpjekjet e mëtejshme në harmonizimin me acquis e BE-së për mjedisin, por shfaqi shqetësime në lidhje me vendimin e Shqipërisë për të pezulluar planet për një strategji ndërsektoriale. Komisioni përshëndeti synimin e Shqipërisë për të rishikuar investimet e mëdha aktuale apo të planifikuara në hidrocentrale duke pasur parasysh kërkesat e legjislacionit mjedisor të BE-së (p.sh. EIA) dhe mbrojtjen e natyrës, si dhe pret veprime të menjëhershme konkrete. Fushat e menaxhimit të ujit dhe mbetjeve vazhdojnë të kërkojnë investime të konsiderueshme dhe forcimin e monitorimit. Komisioni pret progres të mëtejshëm në transpozimin e direktivave kyçe për ujin të BE-së dhe në forcimin e agjencive zbatuese. Lufta kundër ndotjes plastike dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytete mbeten sfida të veçanta për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Komisioni pret gjithashtu forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes civile nëpërmjet një ligji të ri dhe krijimin e një agjencie të dedikuar.

Sa i përket ndryshimeve klimatike, Komisioni e nxiti Shqipërinë që të miratojë Strategjinë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe planet përkatëse të veprimit dhe përshtatjes. Shqipëria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje harmonizimit me acquis e BE-së për klimën. Shqipëria duhet të adresojë rritjen e kërkesave për staf dhe kapacitete për veprimet klimatike, si dhe të sigurojë struktura të përshtatshme në qeveri për ndryshimet klimatike.

Komisioni dhe Shqipëria shkëmbyen gjithashtu mendime mbi zhvillimin rajonal dhe progresin në lidhje me masat ligjore dhe institucionale.

Languages:
Seksionet editoriale: