Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në eventin lançues të "Përgatitja dhe mbështetja e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE (ALBE): Monitorimi dhe mbështetja e reformave të Shqipërisë në udhën e saj drejt BE-së"

Tiranë, Shqipëri, 28/02/2019 - 17:15, UNIQUE ID: 190228_28
Speeches of the Ambassador

Të dashur Zëvendësministra,

Shkëlqesi,

I dashur Knut,

Kur morra detyrën si ambasador këtu në Tiranë, rajoni dhe Bashkimi Evropian sapo kishin përfunduar piketat kryesore në procesin e zgjerimit. Komisioni Evropian përcaktoi strategjinë e tij të re dhe ambicioze për rajonin në shkurt, udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor u takuan në Sofje në maj dhe në Londër në korrik. Ndërsa qershorin e kaluar, Këshilli i BE-së vlerësoi progresin e bërë dhe përcaktoi udhën për të ardhmen.

Ajo çka presin Shtetet Anëtare për Shqipërinë ishte shprehur shumë qartë: të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në piketat e tjera të pranverës: raporti vjetor, diskutimi në Këshill, dhe së fundmi, vendimi për hapjen e negociatave. Do të ishte një gabim historik për të gjitha palët në Shqipëri po të mos bënin maksimumin gjatë muajve të ardhshëm për të qenë plotësisht të përgatitur.

Gjatë muajve të fundit ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit, që jo vetëm duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik solid i ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare.

Po ashtu, kohët e fundit kemi parë progres shumë të rëndësishëm në lidhje me reformën në drejtësi, me krijimin historik të institucioneve të reja. Kjo shtron udhën për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, si dhe për krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së. Por ajo çka nënkupton në thelb është se reforma e drejtësisë, bazuar në veting, po funksionon dhe është e pakthyeshme. Është një arritje që nuk mund të mbivlerësohet.

BE-ja i ka përshëndetur këto zhvillime të fundit, por duhet bërë më shumë. Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret si i mirëqenë.

Për të gjitha këto arsye, ndiejmë veçse keqardhje të madhe për vendimin e deputetëve të opozitës për të hequr dorë nga mandatet e tyre. Siç kanë deklaruar Përfaqësuesja e Lartë / Zëvendëspresidentja Mogherini dhe Komisioneri Hahn, kjo e pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, jo të bojkotohen.

Përveç se shkon kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë, ky vendim minon seriozisht progresin që ka bërë vendi në udhën e tij drejt Bashkimit Evropian. Mesazhi ynë dhe ai i anëtarëve të Parlamentit Evropian që vizituan Tiranën dje dhe sot, është një thirrje për qeverinë dhe opozitën për t'u angazhuar në diskutime konstruktive. Partitë nga të gjitha anët duhet të tregojnë gatishmërinë e tyre për t'u bashkuar për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Unë jam një njeri optimist dhe ne sigurisht që do të vazhdojmë të nxisim për një agjendë pozitive. Ka fusha të rëndësishme ku Shqipëria mund dhe duhet të tregojë aftësinë e saj për të dhënë rezultate përpara qershorit. Po mendoj veçanërisht për:

  1. Krijimin e Prokurorisë Speciale, SPAK;
  2. Emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese;
  3. Vazhdimin e operacioneve policore "Forca e ligjit" kundër krimit të organizuar;
  4. Arritjen e progresit në zgjidhjen e çështjeve të të drejtave të pronësisë;
  5. Finalizimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave;
  6. Dhe së fundi, mbështetjen e rinisë kreative dhe të aftë të këtij vendi.

Të shprehësh optimizëm pas ngjarjeve të ditëve të kaluara nuk do të thotë të tregohesh naiv. Reformat po zbatohen pavarësisht nga trazirat politike dhe agjenda e integrimit e BE-së nuk ka ngecur në vend.

Unë besoj se aktorët politikë do të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide. Ne do të jemi krah për krah me ata që duan të sigurohen se vendimi i Këshillit në qershor do të jetë pozitiv - politikanët, por edhe shoqëria civile siç është mbledhur sot këtu. Ne kemi besim te ju dhe unë do të doja të falënderoja CDI-në dhe Ambasadën Holandeze për organizimin e kësaj veprimtarie.

Dikush, tek i cili Shqipëria mund të mbështetet gjithashtu, është natyrisht, Knuti, i cili ka bërë kaq shumë për këtë vend. Jam i lumtur t'ju jap fjalën tani. Faleminderit për një tjetër vizitë të rëndësishme dhe për mesazhet e qarta sot. Dhe faleminderit që keni mbetur një avokat kaq i përkushtuar dhe i patundur i Shqipërisë në BE përgjatë viteve.

Languages:
Seksionet editoriale: