Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në evenimentin për çeljen e fushatës "Evropianët që bëjnë ndryshimin" me Altin Prengën

Mrizi i Zanave, Fishtë, Lezhë, 18/02/2019 - 18:00, UNIQUE ID: 190225_19
Speeches of the Ambassador

Zëvendësministre Sorensen,

Drejtor Dedgjonaj,

Studentë,

I dashur Altin,

 

Kam tashmë më shumë se pesë muaj në Shqipëri si Ambasador i BE-së. Kam parë shumë vende të bukura dhe kam takuar shumë njerëz të mirë nga veriu në jug.

Por “Mrizi i Zanave” zë një vend të veçantë për mua. Gjithmonë vij me kënaqësi të madhe. Sigurisht për natyrën, paqen dhe ushqimin e mrekullueshëm që është e kuptueshme për të gjithë ata që vijnë këtu. Por edhe për Altin Prengën dhe atë çfarë ai ka krijuar.

Me mediat sociale, me reality TV-në dhe famën e menjëhershme, nganjëherë është e lehtë të harrohet se cilët janë shembujt e vërtetë. Por Altini, me të vërtetë, është një prej tyre.

Altini e nisi i vetëm dhe e ndërtoi këtë histori suksesi thjesht nga pasioni dhe këmbëngulja. Me vizionin e tij, ai mori me vete me qindra njerëz dhe familje që punojnë për restorantin dhe promovojnë produkte të cilësisë së mirë. Ai është një dëshmi e gjallë se mund të ndërtoni famë pa qenë egoistë, se mund ta përdorni suksesin tuaj në dobi të të gjithë komunitetit.

Nuk është për t’u habitur që zyrat tona qendrore në Bruksel e kanë zgjedhur Altinin për të paraqitur një nga gjashtë "Evropianët që bëjnë ndryshimin". Fushata paraqet individë mbresëlënës dhe të talentuar të cilët patën guximin të ndjekin pasionin e tyre. Ajo, gjithashtu, tregon se si Ballkani Perëndimor është plotësisht pjesë e kulturës evropiane dhe se si qytetarët e tij ndajnë të njëjtat vlera dhe aspirata si ato brenda Bashkimit Evropian.

Me këtë fushatë të BE-së, Altini po bëhet më shumë se një shembull shqiptar, një shembull evropian!

Ajo çka ka vërtet rëndësi është se sa frymëzues janë këta gjashtë "Evropianë që bëjnë ndryshimin". Suksesi i “Mrizit të Zanave” është gjithashtu ai i një brezi të ri të trajnuar nga Altini, që ndjek hapat e tij. Është prekëse të shohësh kaq shumë prej jush këtu sot. Nuk ka vërtet shenjë më të mirë të suksesit sesa të kesh pas të rinjtë.

Nga ferma në pirun, një biznes si “Mrizi i Zanave” ka nevojë për njerëz shumë të kualifikuar dhe të motivuar në çdo hap të zinxhirit ushqimor. Ky vend tregon se njerëzit e trajnuar si duhet mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe të gjejnë mundësi pune të kënaqshme.

Kjo është arsyeja pse BE-ja po investon në arsimin profesional. Jam krenar që një nga 7 shkollat e arsimit dhe formimit profesional që ne kemi mbështetur është shkolla profesionale "Kolin Gjoka" e Lezhës. Dhe më bën edhe më krenar fakti që disa prej atyre nxënësve po përgatiten te “Mrizi i Zanave” dhe restorante të tjera shumë të mira të zonës.

Shoqatat e biznesit na thonë se mbi 40% e ndërmarrjeve shqiptare nuk gjejnë profilin e saktë të punonjësve në tregun vendas. Kjo nuk është e pranueshme në klimën aktuale të punësimit dhe duhet të adresohet. Shkollat e arsimit ​profesional mund të jenë zgjidhja për ta trajtuar këtë hendek dhe ne do ta diskutojmë këtë së bashku pak më vonë.

Por tani është koha për të festuar arritjen e Altin Prengës dhe për të zbuluar videon që do të promovohet nga institucionet e BE-së në të gjithë Evropën dhe më gjerë.

I dashur Altin, është një privilegj për ne të të kemi si ambasador të natyrës punëtore, të përkushtuar dhe të pasionuar të shqiptarëve.

Urime!

Languages:
Seksionet editoriale: