Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

BE-ja prezanton programin 5 milion Eurosh, për ofrimin e mbështetjes për sigurinë ushqimore në Shqipëri

Tiranë, Shqipëri, 06/02/2019 - 17:30, UNIQUE ID: 190206_6
Press releases

Bashkimi Evropian prezantoi sot programin e tij të ri mbi mbështetjen për sigurinë ushqimore në Shqipëri - një mbështetje katërvjeçare për vendin kandidat për të forcuar standardet e tij të sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve.

Programi prej 5 milionë Eurosh "Mbështetje për sigurinë e ushqimit, standardet veterinare dhe fitosanitare" do të zbatohet nga një grup i organeve publike nga Shtetet Anëtare të BE-së, i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës. Grupi përfshin gjithashtu edhe Autoritetin e Sigurisë Ushqimore të Finlandës, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës të Irlandës, si dhe CBS Creative Business Solutions - një OJQ shqiptare.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë Bledi Çuçi, Ministria e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës Helen McEntee dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës Samuli Virtanen ia prezantuan programin medias gjatë një konference të përbashkët për shtyp në “Shtëpinë e Evropës”.

Programi do të sjellë ekspertë të fushës në sigurisë ushqimore, sistemet veterinare dhe ato fitosanitare, për ta ndihmuar Shqipërinë që të harmonizojë legjislacionin e saj me normat e BE-së, për të forcuar sigurinë në të gjitha fazat e zinxhirit ushqimor, si dhe për të përmirësuar ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe bizneseve mbi çështjet e sigurisë ushqimore në vendin evropian jug- lindor.

Ky partneritet u siguron autoriteteve shqiptare qasje unike në organizatat homologe dhe individë në dy Shtete Anëtare të BE-së, të cilët kanë përgjegjësi të krahasueshme të drejtpërdrejta në kuadrin e sigurisë ushqimore të BE-së, ligjit veterinar dhe fitosanitar, si dhe përvojë të gjatë me reformimin e politikave të sigurisë ushqimore dhe sistemeve të menaxhimit gjatë tri dekadave të fundit.

"Projekti që po prezantojmë sot do ta sjellë Shqipërinë edhe më pranë standardeve të BE-së. Ai do të përmirësojë jetën e përditshme dhe shëndetin e shqiptarëve. Por më lejoni të theksoj edhe një përfitim të fundit: ai do të kontribuojë për hapjen e tregut të BE-së për produktet shqiptare. Legjislacioni ynë është shumë i qartë në lidhje me këtë - artikujt ushqimorë nuk mund të importohen nëse nuk respektojnë integritetin e zinxhirit ushqimor të BE-së”, tha Ambasadori i BE-së Soreca.

Ministri i Shtetit McEntee tha: "Ky është një bashkëpunim i rëndësishëm midis Shqipërisë dhe dy Shteteve Anëtare të BE-së - Irlandës dhe Finlandës - me mbështetjen financuese nga Bashkimi Evropian. Ky është një shembull i shkëlqyer i Bashkimit Evropian në veprim, me anëtarët e BE-së që mbështesin një vend kandidat për të harmonizuar ligjet dhe rregulloret e tij me normat evropiane, si dhe duke ndihmuar për krijimin e një sistemi dhe kulture të sigurisë ushqimore që përputhet me shembujt më të mirë në botë".

Irlanda dhe Finlanda vazhdimisht janë radhitur në mesin e shembujve kryesorë në botë për sigurinë dhe mbrojtjen ushqimore. Në kuadrin e projektit ato do ta sjellin këtë përvojë në Shqipëri për të forcuar sigurinë e saj ushqimore, sistemet veterinare dhe fitosanitare në përputhje me standardet e BE-së.

Languages:
Seksionet editoriale: