Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian Soreca gjatë prezantimit të projektit "Mbështetje për sigurinë ushqimore, standardet veterinare dhe fitosanitare" në Shqipëri

Tiranë, Shqipëri, 06/02/2019 - 17:30, UNIQUE ID: 190206_7
Speeches of the Ambassador

Jam shumë i lumtur të njoftoj sot prezantimin e projektit "Mbështetje për sigurinë ushqimore, standardet veterinare dhe fitosanitare", financuar nga Instrumenti i BE-së për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA), me një shumë prej 5 milion Eurosh.

Projekti do të zbatohet për një periudhë 4-vjeçare nga një grup organesh publike nga Shtetet Anëtare i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës dhe duke përfshirë Autoritetin e Sigurisë së Ushqimit të Finlandës.

Që prej krizave ushqimore të fundit të viteve 1990, Bashkimi Evropian ka investuar shumë në një sistem të sigurisë ushqimore që garanton nivelin më të lartë të mbrojtjes për konsumatorët.

Sot BE-ja mund të krenohet se ka sistemin më gjithëpërfshirës dhe më të rreptë për menaxhimin e rreziqeve të ushqimit.

Kjo është një një histori suksesi që tregohet rrallë, por modeli ynë është bërë një pikë referimi e përdorur në mbarë botën.

Ne kemi qenë gjithmonë të etur për ta ndarë përvojën tonë, veçanërisht me vendet kandidate që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.

BE-ja ka një histori të gjatë angazhimi për ta ndihmuar Shqipërinë për ndërtimin e kapaciteteve të duhura për një sistem të konsoliduar veterinar dhe të sigurisë ushqimore.

Miratimi i korpusit mbresëlënës të standardeve të BE-së në këtë fushë është një sfidë e madhe, por e domosdoshme.

Me projektin prej 5 milion Eurosh të paraqitur sot, ne dëshirojmë të mbështetemi mbi këtë përvojë dhe ta përtërijmë duke adresuar të gjithë zinxhirin e ushqimit – që nga ferma deri te piruni, siç na pëlqen të themi.

Të gjithë aktorët duhet të marrin përgjegjësi dhe të garantojnë prodhimin e ushqimit të sigurt për konsumatorët.

Një përmirësim tjetër do të jetë fokusi që do t’i jepet përfshirjes së konsumatorit dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik. Kjo është themelore, meqë konsumatori është përfituesi përfundimtar i kësaj mbështetjeje.

Qytetarët shqiptarë duhet të kenë kontrollin, të kuptojnë të drejtat e tyre dhe të kërkojnë zbatimin e tyre. Angazhimi dhe pjesëmarrja do të jenë kyçe për zbatimin.

Projekti që po prezantojmë sot do ta sjellë Shqipërinë edhe më pranë standardeve të BE-së. Ai do të përmirësojë jetën e përditshme dhe shëndetin e shqiptarëve. Por më lejoni të theksoj edhe një përfitim të fundit: ai do të kontribuojë për hapjen e tregut të BE-së për produktet shqiptare. Legjislacioni ynë është shumë i qartë në lidhje me këtë - artikujt ushqimorë nuk mund të importohen nëse nuk respektojnë integritetin e zinxhirit ushqimor të BE-së.

Në këtë kontekst, duhet të përmend një zhvillim shumë të rëndësishëm të kohëve të fundit: prezantimin e IPARD-II, për të cilin BE-ja ka përcaktuar 72 milion Euro në Shqipëri. Ai do të sigurojë investime në prodhimin dhe përpunimin e ushqimit, duke ndihmuar për zbatimin e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe atyre veterinare dhe fitosanitare.

Para se t’ia lë fjalën Ministrit Çuçi, dëshiroj shumë të falënderoj Ministren e Shtetit Helen McEntee dhe Sekretarin e Shtetit Samuli Virtanen për angazhimin e tyre dhe për praninë e tyre sot.

Është një mundësi e shkëlqyer që Irlanda dhe Finlanda udhëheqin dhe janë të përfshira në këtë projekt. Vendet tuaja kanë një eksperiencë të gjatë dhe të çmuar në sigurinë ushqimore. Institucionet shqiptare duhet të përfitojnë sa më shumë nga ky angazhim. Ai ka potencialin për të qetë një faktor ndryshues dhe për ta transformuar rrënjësisht sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: