Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadorit Soreca në evenimentin Shkëmbimi i Përvojave – Gjyqtarët dhe Prokurorët e Strukturave të Specializuara

Tirana, Albania, 04/02/2019 - 18:25, UNIQUE ID: 190204_14
Speeches of the Ambassador

Të dashur anëtarë të gjyqësorit dhe prokurorisë shqiptare, të dashur kryetarë, të dashur miq,

Jam shumë i lumtur që jam sot me ju, mes gjyqtarësh dhe prokurorësh, për të shkëmbyer përvojën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tema e sotme ka të bëjë drejtpërdrejt me tre nga pesë prioritetet kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE: zbatimin e reformës së drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Hapat vendimtarë të muajve të fundit, duke përfshirë themelimin e dy Këshillave, kanë treguar se reforma po jep rezultate dhe se është e pakthyeshme. Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për të theksuar se sa të rëndësishme janë Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Posaçme për suksesin e reformës së drejtësisë në Shqipëri.

Zbatimi i reformës po ecën përpara dhe tani jemi në fazën e krijimit të SPAK-ut, me gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm të pavarur që diskutojnë praktikat dhe shkëmbejnë përvojat mbi mënyrën se si mund të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrën më të mirë.

Dëshiroj t'ju inkurajoj fuqishëm që të jeni pjesë e këtij zhvillimi historik dhe të kontribuoni për ndërtimin e një gjyqësori të pavarur dhe pa korrupsion në Shqipëri.

Te ju mbështeten shumë pritshmëri. Qytetarët e Shqipërisë kanë shpresa të mëdha për këto struktura të reja dhe duan të shohin ndikimin e prekshëm pozitiv në jetën e tyre. Po ashtu edhe Bashkimi Evropian.

BE-ja po e mbështet krijimin dhe funksionimin e këtyre strukturave. Aktualisht Euralius-i po i ndihmon këshillat në këtë fazë për rregullat e brendshme dhe procedurat për të klasifikuar kandidatët. Ne po ndjekim nga afër të gjitha hapat në këtë drejtim, për të garantuar që procesi të mbetet i bazuar në merita dhe që të përzgjidhen kandidatët më të shkëlqyer.

Pas krijimit, Euralius-i dhe Pameca do të vazhdojnë t’i mbështesin institucionet e reja.

Sa i përket krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), BE-ja së bashku me SHBA-të do të ofrojnë udhëzime dhe këshilla nga ekspertët për një periudhë dyvjeçare. Kjo do të përfshijë monitorimin e procesit të rekrutimit dhe trajnimin e hetuesve, siç parashikohet në ligjin mbi SPAK-un.

Para se t’ia lë radhën ish-Shefes së Prokurorisë kroate, zonjës Tamara Laptos, do të doja gjithashtu të përfitoja nga rasti për t'ju përgëzuar që keni arritur në këtë pikë, që jeni sot këtu, si dhe për interesimin tuaj - dhe shpresoj – për qëllimet personale lidhur me këtë strukturë të ardhshme.

BE-ja është përkrah jush, e përkushtuar për ta mbështetur Shqipërinë për të ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor që sjell drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: