Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca gjatë eventit për "Strategjinë afatmesme për Shkollën e Magjistraturës 2019-2023"

Tiranë, Shqipëri, 01/02/2019 - 12:17, UNIQUE ID: 190201_7
Speeches of the Ambassador

E dashur Ministre Gjonaj, Drejtor Sadushi, Shkëlqesi,

Reforma e drejtësisë është dhe do të mbetet një prioritet kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Nevoja për të konsoliduar progresin në këtë fushë u theksua nga Shtetet Anëtare në konkluzionet e Këshillit të qershorit të kaluar. Që atëherë, janë arritur hapa të konsiderueshëm, veçanërisht me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Tani që reforma po jep rezultate dhe transformimi i gjithë gjyqësorit shqiptar është bërë i prekshëm, ne duhet të sigurojmë qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit që po krijohet.

Roli i Shkollës së Magjistraturës këtu nuk mund të nënvlerësohet. Është institucioni kryesor që do të ndryshojë kulturën e gjyqësorit shqiptar.

Ngitja e institucioneve të duhura, zbatimi i ligjeve të duhura, nuk do të sjellin rezultate pa njerëzit e duhur. Shqipëria ka nevojë për magjistratë të cilët janë vërtet të pavarur dhe kanë forcën dhe integritetin për t'i rezistuar ndërhyrjes politike dhe presionit të vazhdueshëm mediatik.

Siç u dëshmua qartë nga prania e Komisioneres Jourová në seancën përuruese të këtij viti akademik tetorin e kaluar, Shkolla e Magjistraturës mund të mbështetet te Bashkimi Evropian si një aleat i fortë:

1. EURALIUS po punon së bashku me Shkollën për hartimin e rregullave të brendshme për rekrutimin, programet e trajnimit dhe analizën e precedentëve ligjorë.

2. BE-ja e mbështet gjithashtu Shkollën përmes nismës "Facility Horizontal" të Këshillit të Evropës, me ngritje kapacitetesh dhe trajnim mbi standardet evropiane. Kur të shqyrtojnë bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale me profesionistët e BE-së, magjistratët shqiptarë duhet të trajnohen për të përdorur në mënyrë efikase konventat e Këshillit të Evropës. Këto instrumente janë thelbësore për luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar transnacional.  

3. Përveç kësaj, tani ne jemi gati të nisim një program të madh mbështetës për drejtësinë prej më shumë se 40 milionë eurosh. Ai do të përfshijë një komponent shumë të rëndësishëm të mbështetjes buxhetore për sektorin e drejtësisë: 34 milionë euro gjatë 3 viteve të ardhshme do të sigurojë fonde drejtpërdrejtë në buxhetin e Shqipërisë.

Duke theksuar rëndësinë e Shkollës së Magjistraturës, dy nga shtatë treguesit me të cilët do të matet progresi, lidhen drejtpërdrejt me Shkollën. Ata matin performancën e përmirësuar dhe kapacitetet e përmirësuara. Vetëm këta dy tregues kanë një vlerë prej gati 10 milionë euro.

Me kusht që të arrihen rezultate në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë - për shembull për sigurimin e mjediseve të reja për Shkollën dhe përmirësimin e aktiviteteve të saj të trajnimit - fondet e BE-së do të vihen në dispozicion për t’i mbështetur këto përpjekje. Ne kemi parashikuar gjithashtu të investojmë në mjediset e ardhshme të Shkollës.

Së bashku me këtë program, BE-ja do të përcaktojë ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike prej më shumë se 2 milionë eurosh, nga e cila do të përfitojë edhe Shkolla e Magjistraturës. Kjo po përgatitet me Ministrinë e Drejtësisë si koordinatore. Nëse kërkesat për mbështetje specifike janë të përcaktuara dhe të shprehura mirë, mbështetja mund të sigurohet.

Aktivitetet e Shkollës duhet të jenë të koordinuara mirë, aq më tepër që disa nga detyrat e saj duhet të kryhen së bashku me institucione të tjera të drejtësisë, si KLD dhe KLP. Partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë sigurisht BE-në, janë të gatshëm të ndihmojnë, por është vetë Shkolla që duhet të drejtojë koordinimin e kësaj mbështetjeje.

Së fundmi KLD dhe KLP përcaktuan një numër prej 75 kandidatësh që do të pranohen në programin fillestar të trajnimit për periudhën 2019-2020. Për një kohë të gjatë, BE-ja kishte kërkuar një rritje të tillë dhe ne e mirëpresim këtë hap shumë pozitiv. Megjithatë, do të kemi nevojë edhe për më shumë kandidatë me përparimin e reformës në drejtësi, dhe në veçanti të vetingut.

Në përfundim, dëshiroj t'ju përgëzoj për strategjinë në mes të tremujorit dhe, në përgjithësi, për efikasitetin dhe angazhimin tuaj për përmirësimin e gjyqësorit shqiptar. Përgjegjësia juaj për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor është e konsiderueshme. Shkolla e Magjistraturës ka të ardhmen e reformës në duart e saj - dhe BE-në krah saj.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: