Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca mbi "Rolin strategjik të KLGJ-së dhe KLP-së në zbatimin e reformës në drejtësi"

Tiranë, Shqipëri, 28/01/2019 - 17:37, UNIQUE ID: 190128_19
Speeches of the Ambassador

E dashur Ministre Gjonaj,

Shkëlqesi,

Të dashur miq,

Faleminderit që na dhatë mundësinë të diskutojmë se sa të rëndësishëm janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për suksesin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Hapat vendimtarë të muajve të fundit, duke përfshirë themelimin e dy Këshillave, kanë treguar se reforma po jep rezultate dhe është e pakthyeshme. Jam i gëzuar që kemi ecur përpara, nga nevoja për ta mbrojtur reformën në diskutime mbi zbatimin e saj aktual dhe në veçanti, mbi faktin se si mund ta mbështesë atë BE-ja.

Sektori i drejtësisë është në thelbin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe reforma e saj është një përparësi kyçe për anëtarësimin në BE. Nevoja për të konsoliduar progresin në këtë fushë u theksua gjithashtu edhe nga Shtetet Anëtare në konkluzionet e Këshillit të qershorit të kaluar. Prandaj kjo rëndësi politike reflektohet në peshën që i është dhënë drejtësisë dhe shtetit të së drejtës  në mbështetjen tonë financiare: gati 100 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit.

Me strategjinë ndër-sektoriale të reformës në drejtësi dhe Planin e saj të Veprimit, nevojat e sektorit janë identifikuar nga të gjitha institucionet përkatëse. Strategjia synon objektivat që duhet të arrihen në të gjitha aspektet e reformës, si dhe identifikon veprimet dhe përgjegjësitë institucionale për progres. Institucionet tuaja janë në zemër të arritjes së disa prej këtyre qëllimeve, duke përfshirë forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve të sistemit të drejtësisë.

BE-ja aktualisht ofron mbështetje nëpërmjet tre instrumenteve kryesore: Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që mbështet procesin e vetingut, EURALIUS që siguron një mbështetje të konsoliduar për reformën dhe institucionet e drejtësisë dhe PAMECA që mbështet shërbimet e prokurorisë.

Për më tepër, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, BE-ja e mbështet sektorin e drejtësisë përmes nismës “Horizontal Facility”, që ndihmon në një numër fushash të lidhura me shtetin e së drejtës, si dhe me cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë.

EURALIUS tashmë po ndihmon Këshillat e rinj në fazën aktuale "fillestare". Është e rëndësishme që të gjitha institucionet të koordinojnë veprimet e tyre në këtë drejtim, jo ​​më pak edhe lidhur me aktivitetet që do të zhvillohen së bashku me Shkollën e Magjistraturës.

Por, sado e rëndësishme që është kjo mbështetje, ne nuk do të ndalemi këtu.

Ne jemi gati për të nisur një program të rëndësishëm për mbështetjen e drejtësisë, që përfshin një komponent shumë domethënës për mbështetjen e buxhetit në sektorin e drejtësisë. Këto burime - 34 milionë euro gjatë 3 viteve të ardhshme - do të sigurojnë fonde drejtpërdrejtë në buxhetin e Shqipërisë.

Nëse do të arrihen rezultate në zbatimin e Strategjisë së Drejtësisë - për shembull në sigurimin e mjediseve të reja, si dhe në përmirësimin e aktiviteteve të saj të trajnimit për Shkollën e Magjistraturës - fondet e BE-së do të vihen në dispozicion të buxhetit si një kontribut për këto përpjekje. Kjo vlen për të gjitha institucionet e tjera që kontribuojnë për zbatimin e reformës.

Kjo mbështetje e re do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve dhe asistencën teknike që ne po e përgatisim me Ministrinë e Drejtësisë si koordinatore. Tani është momenti për të përcaktuar nevojat tuaja dhe për të parashtruar propozime për mbështetje.

Unë kam pasur rastin edhe më parë, por dua t’i përsëris sot urimet e mia të sinqerta për ju, që keni arritur deri në këtë pikë, duke krijuar këshillat dhe duke i vënë plotësisht në veprim. Kjo vetëm sa e përforcon angazhimin e BE-së për ta mbështetur Shqipërinë për të ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor që sjell drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: