Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Soreca, gjatë prezantimit të Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian

Tiranë, Shqipëri, 22/01/2019 - 10:53, UNIQUE ID: 190122_2
Speeches of the Ambassador

I dashur Ambasador i Rumanisë,

Shkëlqesi,

Të dashur miq,

Gjatë 6 muajve të ardhshëm Presidenca e parë rumune e Këshillit do të drejtojë Bashkimin Evropian në udhëtimin e tij gjithnjë përpara. Si President i Rumanisë, z. Klaus Iohannis, me të drejtë tha se kjo Presidencë do t’i japë formë të ardhmes së Bashkimit Evropian.

Rumania do të drejtojë vështirësitë, por gjithashtu edhe mundësitë me të cilat po përballet aktualisht Bashkimi: tërheqja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, negociatat për Kornizën Financiare Shumëvjeçare post-2020 dhe sigurisht, zgjedhja e Parlamentit Evropian të ardhshëm.

12 vjet pasi Rumania u bashkua me Bashkimin Evropian, BE-ja mund të mbështetet gjithashtu te një presidencë që do ta shtyjë më tej agjendën e zgjerimit. Në lidhje me këtë, pas presidencave të suksesshme bullgare dhe austriake, unë e mirëpres fuqimisht vazhdimësinë e mbajtjes së Ballkanit Perëndimor midis prioriteteve tona kryesore këtë semestër.

Për Shqipërinë kjo periudhë do të jetë absolutisht vendimtare. Jemi rreth katër muaj larg Raportit Vjetor të Komisionit dhe pesë muaj larg diskutimit të ardhshëm të Këshillit mbi zgjerimin.

Ajo që shtetet anëtare presin nga Shqipëria u tha qartë qershorin e kaluar: të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit gjatë muajve të fundit, të cilat jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik i qëndrueshëm ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare.

Po ashtu, kohët e fundit kemi parë progres shumë të rëndësishëm në lidhje me reformën në drejtësi, me piketën e ngritjes së institucioneve të reja. Kjo shtron udhën për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, si dhe për ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së. Por ajo çka nënkupton thellësisht është se reforma e drejtësisë, bazuar në veting, po funksionon dhe është e pakthyeshme.

BE-ja i ka mirëpritur shumë këto zhvillime të fundit, por duhet bërë edhe më shumë. Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret si i mirëqenë. BE-ja është plotësisht e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë, siç tregoi vizita e Komisionerit Hahn javën e shkuar, por vendi duhet t’i orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi.

Për këtë nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për t'u bashkuar për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Në këtë drejtim, reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e ODHIR/OSBE-së paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak.

Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në etapat e ndryshme të pranverës. Do të ishte një gabim për Shqipërinë që të mos fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë vendi gjatë muajve të ardhshëm për t'u paraqitur plotësisht i përgatitur.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, është një shans që të mund të mbështetemi në angazhimin e Rumanisë si një partnere për ta drejtuar këtë punë në mënyrë efikase dhe me sukses së bashku.

Dua t’i uroj Rumanisë gjithë të mirat dhe sukses për këtë presidencë të parë historike të vendit. Tani kam nderin të ftoj Shkëlqesinë e Tij Mircea Perpelea, Ambasador i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë, për të prezantuar prioritetet e Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Mulţumesc, Ambasador.

Languages:
Seksionet editoriale: