Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

EESC - Veprimtaria Rinore “Evropa Juaj, Fjala Juaj” mbi zgjedhjet evropiane të vitit 2019

Bruksel, 20 dhjetor 2018, 21/12/2018 - 13:02, UNIQUE ID: 181221_6
Press releases

Shkolla "Elite" nga Vlora do të përfaqësojë të rinjtë nga Shqipëria

 

 

Tridhjetetre shkolla nga e gjithë Evropa do të shkojnë në Bruksel marsin e ardhshëm për të diskutuar mbi pikëpamjet, shpresat dhe pritjet e tyre rreth zgjedhjeve të ardhshme evropiane. Ato do të dalin me tre propozime që do të përfshijnë prioritetet më kryesore të brezit të tyre për t’u trajtuar nga Parlamenti Evropian. Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) do të sigurojë që propozimet të arrijnë te ligjvënësit.

 

Nxënës 16-18 vjeçarë nga shkollat e mesme në të gjithë Evropën do të shkojnë në Bruksel më 21 dhe 22 mars, për të ndarë pikëpamjet dhe idetë e tyre rreth zgjedhjeve evropiane të vitit 2019, si dhe për të punuar së bashku për "#YEYS mbush 10 vjet: Voto për të ardhmen! Ata do të diskutojnë mbi mundësitë dhe rreziqet e mundshme, si dhe do të ofrojnë zgjidhjet e tyre për sfidat aktuale.

 

Në veprimtari do të marrin pjesë katër nxënës shqiptarë nga shkolla "Elite" në Vlorë.

 

Zgjedhjet evropiane të vitit 2019 pritet të jenë veçanërisht sfiduese në një kontekst të rritjes së euroskepticizmit dhe EESC dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve në një përpjekje për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje.

Studentët do të debatojnë për pyetje specifike:

 

  • Çfarë mendoni se duhet bërë për të rritur pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e Parlamentit Evropian?
  • Si mund ta forcojmë demokracinë përfaqësuese në të ardhmen?
  • Çfarë lloj angazhimi politik ekziston përtej zgjedhjeve evropiane, dhe si do të merrnit ju pjesë në të?
     

Gjatë takimit YEYS të rinjtë do të votojnë mbi tre propozime që Parlamenti Evropian do t’i pranojë në fushatën e tij për zgjedhjet evropiane.

 

33 shkollat u përzgjodhën për të marrë pjesë në këtë nismë me anë të një përzgjedhjeje elektronike emrash në Bruksel, më 29 nëntor. Do të përfshihet një shkollë nga secili prej 28 Shteteve Anëtare të BE-së dhe nga pesë vende kandidate (Shqipëria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia). Në këtë 10 vjetor u mor një numër rekord prej 1038 aplikimesh.

E quajtur "Evropa juaj, Fjala juaj!" (YEYS), veprimtaria organizohet nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, zëri i shoqërisë civile në nivel evropian, dhe është veprimtaria më e rëndësishme e Komitetit për të rinjtë.

 

Nëpërmjet kësaj nisme, Komiteti synon të sigurojë që pikëpamjet, përvojat dhe idetë e brezit të ri të pranohen në politikë-bërjen e BE-së.

 

Hollësi të mëtejshme rreth YEYS2019 gjenden në faqen zyrtare të veprimtarisë. Shih videon YEYS 2018 këtu.

Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni:

Njësia e shtypit në EESC– Jasmin Klötzing

E-mail: press@eesc.europa.eu

Tel: +32 2 546 90 67

@EESC_PRESS

Video: EESC – Evropa në punë

 

______________________________________________________________________________

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian përfaqëson komponentë të ndryshëm ekonomikë dhe socialë të shoqërisë civile të organizuar. Ai është një organ konsultativ institucional i themeluar nga Traktati i Romës i vitit 1957. Roli i tij konsultativ u mundëson anëtarëve të tij, dhe rrjedhimisht organizatave që ata përfaqësojnë, të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes në BE. Komiteti ka 350 anëtarë nga e gjithë Evropa, të cilët emërohen nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

_______________________________________________________________________________

Languages:
Seksionet editoriale: