Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Raport mbi përmbushjen e kërkesave të regjimit pa viza: pyetje dhe përgjigje

Bruksel, 19 dhjetor 2018, 20/12/2018 - 12:27, UNIQUE ID: 181220_4
Factsheets

Komisioni Evropian – Skedë informative

 

Çfarë po paraqet Komisioni sot?

Komisioni po raporton sot mbi funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe me vendet e Partneritetit Lindor: Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Raporti i sotëm është vlerësimi i dytë i kryer në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave për 8 vendet që përfitojnë nga regjimi i udhëtimit pa viza sipas skemës së liberalizimit të vizave.

Cili është vlerësimi i përgjithshëm?

Komisioni mendon se të 8 vendet vazhdojnë t’i përmbushin kriteret e liberalizimit të vizave, megjithatë kërkohet veprim i mëtejshëm - në disa raste i menjëhershëm - për një numër vendesh në fusha specifike për të siguruar përmbushjen e vazhdueshme të standardeve.

Ndërsa janë ndërmarrë përpjekje për të vazhduar përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave dhe për të përmbushur rekomandimet e Komisionit nga dhjetori 2017, të 8 vendet duhet të marrin masa të mëtejshme për të adresuar migracionin e parregullt. Nevojiten gjithashtu përpjekje shtesë për të luftuar krimin e organizuar, si dhe nevojitet një veprim urgjent nga Moldavia dhe Ukraina për të trajtuar korrupsionin.

Tani është e domosdoshme që këto reforma të mbështeten dhe vendet të mos tërhiqen nga arritjet e tyre.

Pse janë vlerësuar vetëm disa zona?

Ndërsa Komisioni po monitoron përmbushjen e vazhdueshme të të gjitha standardeve të liberalizimit të vizave, sot ne nuk po raportojmë mbi standardet që konsiderohen të qëndrueshme.

Raporti i sotëm fokusohet në fusha specifike ku nevojitet më shumë punë, sidomos migracioni i parregullt (duke përfshirë kthimin dhe ripranimin), politikat e vizave dhe luftën kundër krimit të organizuar (përfshirë luftën kundër pastrimit të parave) dhe korrupsionin.

Pse raporti vlerëson vetëm 8 vende nga të gjithë ata që kanë regjime pa viza me BE-në?

Ndërsa rreth 60 vende anembanë botës përfitojnë nga regjimi i udhëtimit pa viza në BE, në disa raste, qasja pa viza mund të vendoset me negociata dypalëshe, të quajtura “dialogë për liberalizimin e vizave”. Ato bazohen në progresin e bërë nga vendet në fjalë në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe migracionit të paligjshëm, si dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.

Raporti fokusohet vetëm në ato vende që e kanë përfunduar me sukses dialogun për liberalizimin e vizave: Shqipëria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Gjeorgjia, Republika e Moldavisë dhe Ukraina.

Sipas rregullave të BE-së, Komisioni është përgjegjës për monitorimin e përmbushjes së vazhdueshme të kërkesave për liberalizim të vizave nga vendet e treta, të cilat kanë përfunduar me sukses dialogun për liberalizimin e vizave, si dhe për raportimin mbi zhvillimet në Parlamentin Evropian dhe në Këshill.

Pse përmenden në mënyrë specifike vetëm disa vende te konkluzionet?

Konkluzionet e raportit nxjerrin në pah vendet ku nevojiten veprime të veçanta dhe urgjente.

Konkluzionet nënvizojnë faktin se Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, duhet të ndërmarrin secila veprime të menjëhershme në mënyrë që të sigurojnë përparim të vazhdueshëm në fusha të caktuara. Moldavia duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar sfidat e migracionit të parregullt, duke përfshirë aplikimet e pabazuara për azil, si dhe për të siguruar përmbushjen e standardeve antikorrupsion. Gjeorgjia duhet të marrë masa të mëtejshme të menjëhershme për të trajtuar sfidat e migracionit të parregullt, duke përfshirë numrin gjithnjë e më të madh të kërkesave të pabazuara për azil. Ukrainës i kërkohet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të siguruar përmbushjen e vazhdueshme të standardit antikorrupsion, si dhe për të adresuar sfidat e migracionit të parregullt.

Përveç kësaj, konkluzionet theksojnë se është vërejtur rritje e migrimit të parregullt nga Ukraina, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Shqipëria ka marrë masa efektive kur bëhet fjalë për adresimin e migracionit të parregullt, por megjithatë nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të siguruar rezultate të përmirësuara dhe të qëndrueshme. Serbia gjithashtu duhet të sigurojë ripranimin e shtetasve të vendeve të treta, si dhe të sigurojë përputhjen me politikën e vizave të BE-së.

Konkluzionet përmendin gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor kanë vazhduar të marrin masa për të luftuar krimin e organizuar, por përpjekjet duhet të forcohen nga të 8 vendet. Në veçanti, Moldavia duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të luftuar pastrimin e parave dhe Ukraina për të luftuar korrupsionin.

Sa shpesh raporton Komisioni mbi përmbushjen e standardeve?

Nën kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit, Komisioni duhet të raportojë mbi përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave të paktën një herë në vit. Ky raportim do të vazhdojë për të paktën 7 vjet pas hapjes së regjimit të udhëtimit pa viza për një vend të tretë.

Çfarë është kërkesa (standardi) për liberalizimin e vizave?

BE-ja e zhvillon dialogun e liberalizimit të vizave me disa vende të treta, për të punuar drejt qëllimit afatgjatë të udhëtimit pa viza, me kusht që të krijohen kushte për lëvizshmëri të mirë-menaxhuar dhe të sigurt.

Dialogu i liberalizimit të vizave u zhvillua me sukses mes BE-së dhe pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe me tre vende të Partneritetit Lindor, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Ato kanë rezultuar me dhënien e regjimit të udhëtimit pa viza qytetarëve të këtyre vendeve; për Malin e Zi, Serbinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në dhjetor 2009, për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në fund të vitit 2010, për Moldavinë në prill 2014, për Gjeorgjinë në mars 2017 dhe për Ukrainën në qershor 2017.

Këta dialogë u mbështetën mbi “Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave” për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe “Planet e Veprimit për Liberalizimin e Vizave” (PVLV) për vendet e Partneritetit Lindor. Këta Udhërrëfyes dhe Plane Veprimi përfshinin katër blloqe kërkesash, të quajtura "standarde", të cilat vendet duhet t'i përmbushnin. Kërkesat lidheshin me sigurinë e dokumenteve, përfshirë ato biometrike; menaxhimin e kufirit, migracionin dhe azilin; rendin dhe sigurinë publike; si dhe marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore. Standardet kanë të bëjnë me politikën dhe kuadrin institucional (legjislacioni dhe planifikimi), si dhe me zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të këtij kuadri.

Gjatë dialogëve të liberalizimit të vizave, Komisioni vëzhgoi nga afër zbatimin e Udhërrëfyesve dhe Planeve të Veprimit përmes raporteve të rregullta të progresit. Këto raporte progresi iu transmetuan Parlamentit Evropian dhe Këshillit dhe janë të arritshme për publikun.

Çfarë është mekanizmi i rishikuar i pezullimit të vizave?

Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013. Mekanizmi mundëson pezullimin e përkohshëm të regjimit të përjashtimit nga vizat për një vend të tretë, për një periudhë të shkurtër kohore, në rast të një rritjeje të konsiderueshme të migracionit të parregullt.

Në maj 2016, Komisioni propozoi rishikimin e rregullave ekzistuese në mënyrë që të forcohet më tej ky mekanizëm. Masat e reja i mundësojnë Bashkimit Evropian të reagojë më shpejt dhe në mënyrë më fleksibël kur ballafaqohet me një rritje të presionit të migracionit apo me rreziqe të brendshme të sigurisë të cilat mund të lindin nga regjimi i udhëtimit pa viza.

Në kuadrin e mekanizmit të rishikuar, Komisioni mund ta aktivizojë mekanizmin, ndërsa më parë vetëm Shtetet Anëtare mund ta bënin këtë. Përveç kësaj, mekanizmi i rishikuar vendosi gjithashtu një detyrim për Komisionin që:

  • të monitorojë përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave të cilat janë përdorur për të vlerësuar dhënien e regjimit të udhëtimit pa viza një vendi të tretë si rezultat i një përfundimi të suksesshëm të dialogut për liberalizimin e vizave;
  • të raportojë rregullisht në Parlamentin Evropian dhe në Këshill, të paktën një herë në vit, për një periudhë shtatëvjeçare pas datës së hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për atë vend të tretë.

Mekanizmi i rishikuar i pezullimit u miratua në shkurt të vitit 2017 dhe hyri në fuqi në mars 2017. Sot Komisioni po boton raportin e dytë në kuadrin e detyrimit të ri të monitorimit dhe raportimit.

Kur mund të aktivizohet mekanizmi i pezullimit?

Mekanizmi i pezullimit mund të aktivizohet në rrethanat e mëposhtme:

  • një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e migrimit të parregullt, duke përfshirë njerëz të zbuluar se qëndrojnë në mënyrë të parregullt dhe persona të cilëve u është refuzuar hyrja në kufi;
  • një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) e kërkesave për azil me shkallë të ulët të njohjes (rreth 3-4%);
  • një rënie e bashkëpunimit për ripranim, veçanërisht në rast të një shkalle më të lartë refuzimi për aplikimet e ripranimit;
  • një rrezik në rritje për sigurinë e Shteteve Anëtare, në veçanti vepra të rënda penale.

Komisioni mund ta aktivizojë gjithashtu mekanizmin në rast se disa kërkesa në lidhje me përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave nuk plotësohen më nga vendet e treta që kanë kaluar nëpër një dialog të liberalizimit të vizave.

Cilët janë hapat e ardhshëm?

Raporti përcakton veprimet që duhen ndërmarrë nga vendet partnere për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave. Komisioni do të monitorojë përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave, si dhe do t'i raportojë Parlamentit Evropian dhe Këshillit të paktën një herë në vit.

Për më shumë informacion

Njoftim për shtyp: Liberalizimi i vizave – Komisioni raporton mbi përmbushjen e kërkesave të regjimit pa viza nga vendet e Ballkani Perëndimor dhe Partneritetit Lindor

Raporti i dytë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave

Dokument pune i stafit të Komisionit që shoqëron Raportin e dytë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave

Raporti i parë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave

Dokument pune i stafit të Komisionit që shoqëron Raportin e parë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave

 

MEMORANDUM/18/6820

 

Persona kontakti për shtypin:

Pyetje nga publiku i gjerë: Europe Direct me telefon 00 800 67 89 10 11 ose me email

Languages:
Seksionet editoriale: