Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Nënkomiteti i 10të i MSA-së Shqipëri - BE për Bujqësinë dhe Peshkimin

Tiranë, Shqipëri, 07/12/2018 - 20:02, UNIQUE ID: 181207_17
Press releases

Përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Shqipëria u takuan në Tiranë më 6 dhjetor 2018 për të diskutuar mbi nivelin e zbatimit të MSA-së dhe përafrimin e legjislacionit të vendit me acquis të BE-së në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke përfshirë sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare, si dhe peshkimin. Takimi u bashkëkryesua për BE-në nga zoti Georg Ziegler, zëvendësshef i Njësisë nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe për Shqipërinë nga zonja Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sektorët e diskutuar kanë një potencial të lartë për të gjeneruar rritje ekonomike, punësim dhe tregti. Komisioni mirëpriti përpjekjet e autoriteteve shqiptare për forcimin e kapacitetit të tyre administrativ, çka  mundësoi fillimin më 30 nëntor 2018 të zbatimit të programit IPARD (një program i zhvillimit rural i financuar nga BE-ja) për një shumë prej mbi 50 milion EURO. Ky program, ndër të tjera, do të financojë investimet në fermat bujqësore, si dhe përpunimin dhe diversifikimin e aktiviteteve bujqësore. Komisioni theksoi nevojën që Shqipëria të forcojë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kombëtare përgjegjëse për IPARD-in dhe të sigurojë zbatimin e tij në mënyrë transparente.

Komisioni e inkurajoi Shqipërinë që të ndërtojë kapacitetin administrativ në fushat e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare, i nevojshëm për të rritur kontrollin e sëmundjeve të kafshëve dhe bimëve. Për më tepër, Komisioni e ftoi Shqipërinë që të vazhdojë të punojë për identifikimin dhe konsolidimin e tokës, duke përfshirë krijimin e kadastrës, çka është thelbësore për zbatimin e disa aspekteve të rëndësishme të Politikës së Përbashkët Bujqësore (PPB).

Në sektorin e peshkimit, Komisioni mirëpriti në veçanti nënshkrimin nga Shqipëria të Deklaratës Ministrore MedFish4Ever të Maltës dhe të Planit Rajonal të Veprimit për Peshkimin në Shkallë Vogël të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (KPPM), si dhe e nxiti Shqipërinë që të zbatojë angazhimet përkatëse të marra.

Languages:
Seksionet editoriale: