Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në "Forumin Vjetor për Zhvillimin e Medias"

Tiranë, Shqipëri, 21/11/2018 - 11:12, UNIQUE ID: 181121_27
Speeches of the Ambassador

Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju, në Forumin Vjetor për Zhvillimin e Medias, tashmë në vitin e tij të katërt nën patronazhin e OSBE-së, dhe të shoh një nivel të tillë interesi në mesin e komunitetit mediatik në Shqipëri në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian.

Ne të gjithë biem dakord se mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias kërkon një angazhim të fortë ndaj demokracisë, qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies politike. Këto janë disa nga bazat që duhet të jenë të mirëpërcaktuara në çdo vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së.

Kjo është arsyeja pse BE-ja raporton vazhdimisht për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe në Shqipëri, pse po e shton ndihmën e saj financiare për mediet këtu dhe pse mbështet debatin e vazhdueshëm pikërisht rreth të njëjtave çështje - thelbësore në fund për demokracitë.

Pa dashur të ndalem në çështje që ju, si përfaqësues të komunitetit të medias në Shqipëri, i njihni shumë më mirë se unë, do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi për të shpjeguar shkurtimisht atë çka ne si Bashkim po bëjmë dhe planifikojmë të bëjmë për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Shqipëri:

 

  1. Së bashku me partnerët tanë të Këshillit të Evropës ne kemi mbështetur hartimin e një Kodi të ri të Etikës, i cili u prezantua më herët këtë vit dhe që përfshin një rregullore për mediet në rrjet, me qëllim që të ofrojë një version të përditësuar të kodit që pasqyron realitetin e medieve të reja të Shqipërisë;

 

  1. Ndihma jonë trajton gjithashtu çështjen e të drejtave të punës të gazetarëve shqiptarë, duke mbështetur nismat novatore të shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të medieve për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të gazetarëve dhe marrëdhëniet e tyre të punës;

 

  1. Në partneritet me OSBE-në, BE-ja po finalizon një program të ri, i cili synon të forcojë transmetuesin publik me prodhim cilësor të përmbajtjes dhe të përforcojë departamentin e gazetarisë të Universitetit të Tiranës, i cili përgatit gjeneratën e ardhshme të gazetarëve;

 

  1. E fundit por jo më pak e rëndësishme, vitin e ardhshëm do të kemi financim të dedikuar për gazetarinë e pavarur hetimore, duke u ofruar gazetarëve një mundësi për të aplikuar për fonde që do të mbështesin produksionet e tyre të pavarura dhe të bazuara në fakte.

 

BE-ja është e angazhuar të vazhdojë mbështetjen e saj në këtë fushë.

Ne e bëjmë këtë sepse besojmë se forcimi i profesionit të gazetarisë është e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshime shoqërore dhe për të luftuar vetëcensurën;

Sepse ne besojmë se qasja në informacion është e nevojshme për të shqyrtuar financimin publik në një demokraci;

Sepse ne, gjithashtu, besojmë se transmetuesi publik luan një rol kyç në sigurimin e një mbulimi të balancuar dhe të paanshëm të lajmeve, që është një pikë takimi për të gjithë anëtarët e publikut, duke përfshirë pakicat;

Së fundi, ne investojmë në këtë fushë, sepse transparenca e plotë e pronësisë së medias - dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare në kufizimet e pronësisë së medias - kontribuon për ta bërë diskursin publik të Shqipërisë plotësisht pluralist dhe të lirë nga interesat politike dhe ato të biznesit.

Në ditët e Medieve të Ballkanit Perëndimor në Shkup më herët këtë vit, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn theksoi nevojën për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të cilat jo vetëm që duhet të respektohen, por edhe të JETOHEN, me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes si shtylla kryesore.

Angazhimi dhe përgjegjësia politike janë vendimtare për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për ta sjellë atë në jetë. Për këtë arsye, unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të shohim aktorët politikë të marrin pjesë në forumin tonë këtu sot, duke shpresuar që këto mesazhe të përcillen të gjitha.

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja ta përmbyllja me fjalët e George Orwell-it, i cili ka thënë: “Liria e shtypit, nëse do të thotë ndonjë gjë, do të thotë liri për të kritikuar dhe kundërshtuar”.

BE-ja është e përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë për ruajtjen e lirisë së saj të medias, lirinë që të shprehni vetveten, lirinë për të kritikuar, debatuar dhe kundërshtuar, si një realitet që duhet JETUAR.

Languages:
Seksionet editoriale: