Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Nënkomiteti i 10të BE-Shqipëri mbi Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale

Bruksel, 15/11/2018 - 19:39, UNIQUE ID: 181115_13
Press releases

Më 15 nëntor u zhvillua në Bruksel takimi i Nënkomitetit të 10-të ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbi temat që lidhen me arsimin, kërkimin dhe teknologjinë, shoqërinë e informacionit dhe politikën sociale. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare për zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëkryesua, për BE-në nga z. Georg Ziegler, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe për Shqipërinë nga z. Gent Çakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Komisioni përshëndeti progresin e arritur nga autoritetet shqiptare vitin e kaluar, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen në PISA 2018, përpjekjet e ndërmarra për trajnimin e mësuesve dhe punën e ndërmarrë në fushën e punësimit dhe politikës sociale. Komisioni e përgëzoi Shqipërinë për arritjen e një rritjeje të konsiderueshme të numrit të shqiptarëve që përfitojnë nga programi arsimor Erasmus+ dhe për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin 2017-2020. Komisioni i inkurajoi autoritetet që të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të përfunduar procesin e hartimit të Strategjisë Shqiptare të Specializimeve të Zgjeruara dhe për të bërë më shumë përpjekje për promovimin e mundësive të lidhura me pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin kërkimor të BE-së ("Horizon 2020"), meqë kjo mund të nxisë rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe vendet e punës. U theksua rëndësia vendimtare e finalizimit të miratimit të të gjitha akteve nënligjore në lidhje me arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe ato të lidhura me ndryshimet në kornizën shqiptare të kualifikimeve. Komisioni, gjithashtu, nënvizoi nevojën e përfundimit të zbatimit të kalimit digjital dhe të numrit të emergjencës (112) në të gjithë vendin, çka është me rëndësi për të gjithë qytetarët.

Languages:
Seksionet editoriale: