Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Rita Saraçi, blogere e modës dhe avokuese për mbrojtjen e ambientit

14/11/2018 - 09:30
From the blog

Bashkë me alpinisten Arineta Mula, me aktorin Vedat Bajrami dhe me notarin Lum Zhaveli, Saraçi është pjesë e rëndësishme e Fushatës për Mjedis, duke synuar të rrisë vetëdijën për mbrojtjen e ambientit në Kosovë

 

Rita Saraçi është një vajzë e veçantë. Si blogere e modës dhe ndërmarrëse, Saraçi e di mirë se është të jesh e suksesshmë në dy fusha të ndryshme të jetës.

Saraçi e nisi karrierën si një blogere e modës ndërsa më vonë e krijoi brendin e saj të rrobave: FAR. Planet e saj për të ardhmen janë rritja e këtij biznesi dhe këtij brendi atraktiv, krijimi i më shumë dizajneve dhe rrobave, dhe rritja në përgjithësi e ekipit të FAR.

Rita është njëra prej katër kampioneve të Fushatës për Mjedis në Kosovë, e cila po organizohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian. Bashkë me alpinisten Arineta Mula, me aktorin Vedat Bajrami dhe me notarin Lum Zhaveli, Saraçi është pjesë e rëndësishme e Fushatës për Mjedis, duke synuar të rrisë vetëdijën për mbrojtjen e ambientit në Kosovë.

“Unë mendoj se ne duhet ta ndryshojmë gjuhën kur flasim për mjedisin. Fatkeqësisht, problemet që shkaktohen prej njerëzve janë të tmerrshme dhe shqetësuese, prandaj duhet të kontribuojmë që të zvogëlojmë këtë dëm njerëzor që po shkakton dëme në mjedis” tregon Saraçi.

Përveç shkrimeve në blogun e saj, me idenë për të shpërndarë më shumë informata rreth mbrojtjes së mjedisit, Saraçi ka organizuar disa herë Flea Market në Prishtinë, një organizim ku qytetarët mund të blejnë e të shesin rroba.

 

“Një prej mënyrave më të mira të zvogëlojmë mbeturinat është ri-përdorimi dhe riciklimi i gjërave, që të mos shkojnë drejt në mbeturina. Unë shpresoj që klientët e FAR i duan produktet tona, që t'i veshin dhe t'i rregullojnë aty ku duhet, dhe në fund të mos i hudhin por t'i kalojnë ato tek njerëzit tjerë,” tregon tutje Saraçi.

Deri sot ajo ka lansuar tri koleksione të rrobave me brendin FAR, njëri prej tyre unisex – për të dy gjinitë.

Saraçi tregon se është e lumtur dhe e privilegjuar që është pjesë e Fushatës për Mjedis organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Është e veçantë pjesëmarrja ime në këtë fushatë, pasi më është dhënë mundësia të tregoj për përvojën time në mbrojtjen e mjedisit. Poashtu, shpresoj që deri në një pikë edhe po e fuqizoj audiencën time që të hulumtojnë më shumë çështjet e mjedisit, e më pas të motivohen më shumë për mbrojtjen e planetit. Për më tepër, konsideroj që mjedisi është problem për të gjithë qytetarët në Kosovë. Pa marrë parasysh prapavijën tonë, profesionet tona, në duhet të kemi më shumë kujdes dhe duhet të japim më shumë llogari dhe dashuri për mjedisin,” vazhdon Saraçi.

Saraçi insiston që mjedisi në përgjithësi, por edhe malet, burimet e ujit, lumenjtë, liqenet dhe parqet nacionale duhet të mbrojen nga shkatërrimi i mëtutjeshëm, ku duhet ndihma edhe e institucioneve.

“Mjedisi është vendi ku takohemi të gjithë: vendi të cilin e kemi interes të përbashkët, diçka që të gjithë e ndajmë, e mbrojmë dhe duhet t’i përkushtohemi,” përfundon Saraçi.

Seksionet editoriale: