Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca për Konsultimet Publike mbi Raportin Vjetor Shqipëria 2019

Tiranë, Shqipëri, 06/11/2018 - 10:38, UNIQUE ID: 181106_3
Speeches of the Ambassador

Të dashur përfaqësues nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare,

Çdo vit, Komisioni Evropian miraton dokumentin e tij strategjik për zonën e zgjerimit. Ai vlerëson ecurinë e secilit vend dhe përcakton rrugën e ardhshme, si dhe rekomandimet për vitin që vjen.

Ky raport nga Komisioni për Këshillin do të publikohet në pranverë 2019. Ai do të ketë rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë. Më herët këtë vit, Këshilli i Bashkimit Evropian përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019.

Këshilli deklaroi qartazi se Shtetet Anëtare do ta vlerësojnë progresin e bërë nga Shqipëria në bazë të këtij Raporti Vjetor.

Prioritetet për të cilat raportohet janë të qarta:

  • Historiku i qëndrueshëm i hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; përfshirë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit;
  • Konsolidimi i progresit të bërë në reformën gjyqësore:
  • avancimi i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve;

 

  • finalizimi i krijimit të organeve të specializuara, përkatësisht Struktura e Posaçme e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Gjykata.

 

  • Reduktimi i numrit të aplikimeve të pabazuara për azil;
  • Trajtimi i barabartë i të gjitha pakicave dhe qasja në të drejtat për personat që u përkasin atyre; dhe
  • Rekomandimet e OSBE / ODIHR-it mbi zgjedhjet që janë duke u trajtuar.

 

Lidhur me historikun e zbatimit të ligjit, gjatë muajve të fundit, Policia e Shtetit Shqiptar ka ndërmarrë disa operacione të rëndësishme policore kundër krimit të organizuar dhe në veçanti, kundër trafikimit të drogës. BE-ja i ka mirëpritur këto operacione. Ne kemi parë nga Policia e Shtetit Shqiptar atë lloj veprimesh proaktive dhe rezultatesh të prekshme që Bashkimi Evropian ka pritur nga Shqipëria. Ky trend pozitiv duhet të ruhet dhe një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale, e aftë të vazhdojë me forcë luftën kundër krimit të organizuar, është thelbësore për Shqipërinë në udhën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Pra, ne gjendemi në fazën përgatitore të atij që do të jetë një dokument thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë. Komisioni Evropian do të mbledhë informacion nga shtetet anëtare, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare, bizneset, agjencitë dhe misionet e BE-së, midis shumë të tjerëve. Të gjitha këto informacione do të mblidhen, do të verifikohen, do të ndër-referohen dhe do të konfirmohen këtu në Tiranë dhe më pas në Bruksel.

Tani ne po mbajmë dy ditë të plota konsultimesh publike, sepse Komisioni Evropian e vlerëson shumë kontributin e shoqërisë civile në politikën e tij të zgjerimit. Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol vendimtar për t’u dhënë një zë të gjithë qytetarëve shqiptarë, si dhe për t’u kërkuar llogari institucioneve publike. Ju jeni partnerë thelbësore për Delegacionin këtu.

Ashtu si vitin e kaluar, ne do t'i kushtojmë sa më shumë kohë të jetë e mundur, gjatë dy ditëve të plota, dëgjimit të reflektimeve tuaja mbi progresin e bërë dhe identifikimit të fushave të përmirësimit, amullisë apo regresit. Të kuptuarit nga ana juaj e situatës “në terren” është i një rëndësie vendimtare për aftësinë tonë për të kuptuar progresin e vërtetë të Shqipërisë.

Pjesëmarrja dhe angazhimi qytetar përbëjnë themelin kryesor mbi të cilin çdo demokraci lulëzon. Është ky vitalitet demokratik që ne kërkojmë të inkurajojmë në këtë vend. Siç e dini, ne vazhdimisht nxisim qeverinë qendrore apo bashkitë që të rrisin angazhimin e tyre politik në drejtim të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile.

Dëshiroj t'ju falënderoj për kohën dhe përpjekjet e shpenzuara në kontributin me shkrim që na dërguat, si dhe për debatet që do të keni. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ushtrimin e Raportit Vjetor, por edhe me kontributin tuaj jetik si mbikëqyrësit e interesave të qytetarëve shqiptarë.

Languages:
Seksionet editoriale: