Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në veprimtarinë "Lidhim Kufijtë" organizuar në kuadër të programit IPA për Bashkëpunimin Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë

Kukës, Shqipëri, 31/10/2018 - 19:51, UNIQUE ID: 181031_9
Speeches of the Ambassador

Në ditarët e tij të udhëtimit, fituesi i çmimit Nobel Jose Saramago, i përshkruan kufijtë jo si një pengesë midis ‘nesh’ dhe ‘ të tjerëve’, por si një vend ku zhvillohet dialog midis komuniteteve.

Bashkëpunimi territorial përmes kufijve është po aq i rëndësishëm për politikën tonë aktuale të zgjerimit, sa edhe ka qenë për ndërtimin e vetë Bashkimit Evropian. Ky bashkëpunim i mbledh popujt bashkë, lehtëson ndarjen e ideve dhe aseteve dhe inkurajon bashkëpunimin strategjik drejt qëllimeve të përbashkëta politike dhe ekonomike.

Në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi ndërkufitar mbulon rreth 3.000 km vijë kufitare midis vendeve të rajonit. Zonat e kategorizuara si të tilla përfaqësojnë rreth 35% të sipërfaqes së rajonit dhe 36% të popullatës. Angazhimi i BE-së në programet e bashkëpunimit ndërkufitar shihet qartë në rritjen e buxhetit të tyre me kalimin e viteve. Sot, financimi i përgjithshëm i BE-së për bashkëpunim territorial në këtë rajon arrin në shifrën e 100 milion Euro. Së bashku me kontributet e Vendeve Anëtare kjo shifër arrin në 242 milion Euro.

Në Kukës është e lehtë të kuptosh përse bashkëpunimi ndërkufitar është një përparësi me rëndësi. Në secilën anë të kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës gjenden disa nga zonat më të bukura të të dy vendeve. Vende si Prizreni apo Shishtaveci duhet të jenë pjesë e itinerarit të çdo turisti që viziton rajonin. Mundësitë turistike të kësaj zone janë të nënvlerësuara gjerësisht dhe me përmirësimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit, këto mundësi duhet vetëm të rriten.

Programi Shqipëri/Kosovë ka sjellë rezultate të rëndësishme përmes 5 projekteve të ndryshme. Në Shishtavec është ndërtuar një rrugë për të lidhur fshatrat me kufirin. Në të njëjtën kohë, projektet e financuara nga BE-ja në Kosovë, kanë ndërtuar një rrugë dhe një pikë kufitare në anën tjetër të kufirit, në Dragash. Kjo ka përmirësuar lidhjen e zonave kufitare dhe ka lehtësuar tregtinë.

Megjithatë, potenciali tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës mbetet gjerësisht i pashfrytëzuar. Sipas shifrave më të fundit, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë rënë, në vlerën e 125 milion Eurove. Po ashtu, importet shqiptare nga Kosova janë shumë më të ulëta në vlerë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Integrimi i suksesshëm ekonomik në rajon do të jetë i mundur vetëm pas përforcimit të lidhjeve që mund të arrihet nga projektet ndërkufitare.

Jam me të vërtetë i kënaqur që patëm mundësinë të mbajmë këtë aktivitet vlerësues këtu në Kukës. Prania jonë tregon vlerën e shtuar kryesore të bashkëpunimit territorial; zhvendosjen e vëmendjes nga qendra për t’u përqendruar më shumë në rajone, në fshatra dhe në zonat rurale, që mezi pres t’i shoh duke qenë se kam vetëm pak kohë që kam ardhur në Shqipëri!

Për ne, bashkëpunimi ndërkufitar është instrumenti kryesor për të punuar në nivel vendor. Ky bashkëpunim ka ndikime të drejtpërdrejta dhe të prekshme në komunitetet vendore. Në Shqipëri dhe Kosovë ne po mbështesim programe trajnimi për aftësi digjitale, ku kanë marrë pjesë 200 biznese private. Po përforcojmë kapacitetet e shkollave profesionale, po formojmë studentët për “punët inteligjente” në ekonominë digjitale dhe po i vëmë ata në kontakt me bizneset vendore. Pra, rezultatet janë shumë konkrete!

Nuk ka dyshim që projektet e bashkëpunimit territorial sjellin burime financiare shtesë që u nevojiten shumë autoriteteve vendore, por çka është më e rëndësishme, ato mundësojnë transferimin e njohurive dhe përvojës përtej kufijve, veçanërisht nga Vendet Anëtare.

Sot, brezi i parë i projekteve Ndërkufitare si ato Shqipëri-Kosovë, është mbyllur. Mësimet e mara na kanë ndihmuar të formësojmë brezin e dytë. Bashkëpunimi i ardhshëm Ndërkufitar do të duhet të mbështetet gjithmonë e më shumë në përfshirjen e institucioneve vendore. Ato janë në pozicionin më të mirë për të garantuar vijimësi dhe qëndrueshmëri për rezultatet e projektit.

Fatkeqësisht, mundësitë e financimit shpesh nuk njihen dhe autoritetet vendore mund të mos kenë kapacitete për të aplikuar për këto fonde. Të gjithë ne duhet të sigurojmë që ndërgjegjësimi i përgjithshëm dhe mbështetja e duhur të arrijnë në nivelin vendor. Kjo është përparasi për BE-në dhe për Qeverinë e Shqipërisë, por çështja nuk ka të bëjë vetëm me financimin.

Bashkëpunimi ndërkufitar krijon lidhje midis popujve, i sjell vendet më afër me standardet e BE-së, krijon besim dhe me pak fjalë, e bën jetën e përditshme të komuniteteve vendore në secilën anë të kufirit më të mirë dhe më të thjeshtë.

Languages:
Seksionet editoriale: